Vendlindja në letërsinë shqipe, të para edhe të pas viteve ‘90 (VIDEO)

Studiues të letërsisë, shkrimtarë edhe poet u bën bashkë në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar për të diskutuar mbi hapësirën edhe rolin, që zë vendlindja në letërsinë shqipe. Konferenca e organizuar nga Qendra e Studimeve “Pjetër Budi” riktheu edhe një herë në vëmendje rolin e vendlindjes tek autorët që kanë shkruar letërsi shqipe para viteve 90, për të ardhur më pas në ditët e sotme. Studiuesit e letërsisë shqipe Anton Nikë Berisha dhe Behar Gjoka rrëfejnë se vendlindja është fryma e secilit tekst dhe amza e marrëdhënies, që një shkrimtar ka me fjalën.

“Nëse një poet i rikthehet vendlindjes do të thotë se ka diçka të veçantë për të thënë, që nuk do ta thotë përmes tematikës, por përmes strukturës. Janë një varg shkrimtarësh, por ajo që duhet të themi, është se cili prej tyre e ka thënë më bukur? Janë një varg, unë sot përmend një përsiatje poetike të Koliqit, që është e jashtëzakonshme, këtu nuk kemi të bëjmë me një tekst të zakonshëm, por me një tekst poetik që të bën të mendosh me javë edhe me mua”, shprehet studiuesi Anton Nikë Berisha.

Studiuesi Behar Gjoka vendin e vendlindjes në letërsi shpesh e quan arratisje nga vetja për të shkuar tek të tjerët, për t’u kthyer atje ku autori ka lindur. Kjo është një përpjekje për të kthyer vëmendjen nga letërsia shqipe, sepse sipas tij, gati-gati vihet në dyshim nëse po shkruhet më letërsi? Ndërkohë, që tradita, dëshmon se kemi një marrëdhënie jetike, që nuk i qasemi.

“Vendlindja është fryma e secilit tekst, është amza e marrëdhënies që ka artisti i fjalës, që ka më shumë mundësi shprese. Kjo është një përpjekje për të parë jo vetëm një autor më vete, por letërsinë me këtë akt. Ndërkohë që po ndodh diçka me atdheun tonë, edhe natyrisht që më së paku mos të braktisim atdheun shpirtëror, që është letërsia. Mendoj se nuk mund që të kuptohet asnjë autor pa të, më të theksuar e kanë autorë, si Naim Frashëri, Martin Camaj, Lasgush Poradeci apo Ismail Kadareja. Gjithçka ka të bëjë me ekspozimin jo të atdheut si ndarje, por si aspekt shpirtëror. Unë do të thosha se është mirë që të tërheqim vëmendjen me këto përvoja”, shprehet studiuesi Behar Gjoka.

Studiuesit ndalin edhe tek ajo çfarë ka ndodhur me letërsinë shqipe të pas viteve ’90, edhe vendin që zë atdheu në këto vepra  

“Është e vështirë që ta them, pasi dy shkrimtarë që mund të mos kesh lexuar mund të jenë ata që e kanë shkruar në mënyrë dinjitoze. Por padyshim, se vendlindja është e pranishme tek secili shkrimtar i mirëfilltë, ai e gjen edhe shpreh. Vendlindja është diçka shpirtërore, që merr përmasën mitike edhe kjo është e rëndësishme në letërsi”, shprehet Anton Nikë Berisha.

Në raport me vendlindjen shumë autorë kanë pësuar një lloj ikje fizike,sipas Gjokës, sepse disa nga autorët e letërsisë shqipe jetojnë jashtë, ndërsa pjesa tjetër jeton në Shqipëri.

“Ata që kanë ikur e kanë më të nevojshme, si Rudolf Marku, Besa Myftiu, por ruhet kjo marrëdhënie është e pranishme, nuk është më atdheu krenar, por i dhimbshëm. Në këtë kuptim unë gjykoj se kjo temë vijon që të jetë e prekshme, sepse nuk ka shkrimtar që kërkon që ta ndërrojnë atdheun. Është tjetër gjë nëse ikën për të ndryshuar kushtet, ndërsa marrëdhënie shpirtërore është e pranishme”.

Më tej Gjoka shton se letërsia e para viteve ‘90 trajtonte tema të mëdha për atdheun, ndërsa tani atdheu është, si përvojë, si intimitet. “E  vë re jo pak te Ridvan Dibra, Arian Leka, Agron Tufa, Arlinda Guma etj. Mos të bëjë listim të tepërt, por mendoj se atdheu është fryma pa të cilin asnjë shkrimtar nuk mund të jetojë. Ndërsa, atdheu heroik, ishte më shumë një atdhe ideologjik, që ne ishim të detyruar që ta duam. Por dashuria për nënën, për atdheun është një nevojë, pa të cilën ne nuk mund të jetojmë”, shprehet Gjoka.

Referimet e konferencës shkencore do të botohen në revistën “Pasqyra e t’rrëfyemit”.

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave