Bilanci i viktimave sa vjen e rritet si pasojë e tërmeteve shkatërrimtare me magnitudë 7.2 e më pas 7.5 të shkallës Rihter që goditën Venezuelën mbrëmjen e të mërkurës.

Ligjvënësi Jorge Rodriguez raportoi përpara mediave se numri i viktimave kishte shkruar në 1430 ndërsa të plagosur raportohen të jenë rreth 3238 persona.

Kërkimet për rreth 50 mijë të zhdukur vijojnë për të 4-tën ditë radhazi ndërsa mbi 20 ekipe ndërkombëtare shpëtimi janë angazhuar në terren. Zona më e prekur është ajo e La Guairas shumë pranë kryeqytetit Karakas. Qindra godina banimi janë rrafshuar e shumë persona kanë mbetur nën rrënoja.

Orët sa vijnë dhe janë më kritike për shpëtimin e jetëve ndërsa as vetë qytetarët nuk kanë ndaluar së gërmuari me duar për të nxjerrë nga gërmadhat të bllokuarit. Ndërkohë lëkundjet nuk kanë të ndaluar teksa janë raportuar 430 pasuese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:17
Venezuelë/ Çifti i bashkëshortëve s’i lëshojnë duart njëri-tjetrit gjatë tërmetit, i moshuari i qëndron afër gruas së paralizuar (VIDEO)

Një çift bashkëshortësh përjetoi tmerrin e tërmeteve shkatërrimtar në Venezuelë.  I moshuari shkoi pranë gruas së tij të paralizuar për t’i kapur duart gjatë momenteve të panikut. Në video shihet teksa ai e puth në ballë ndërsa sendet vazhdojnë dhe bien nëpër shtëpi si pasojë e lëkundjeve të forta që godasin njëra pas tjetrës.

Ora 18:33
Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, pas 50 orësh 15-vjeçarja dhe qeni i saj nxirren gjallë nga rrënojat

Në orët e para të së shtunës, ekipet e shpëtimit nga El Salvador përfunduan një operacion që zgjati më shumë se 13 orë në Playa Grande, në shtetin La Guaira, duke nxjerrë të gjallë 15-vjeçaren Camila Sofía Medina Rivas dhe qenin e saj, Chanel. Të dyja kishin mbetur të bllokuara për më shumë se 50 orë në katin e nëntë të një ndërtese të shembur si pasojë e dy tërmeteve të së mërkurës.

Operacioni u zhvillua në tre faza. Pasi vendosën kontaktin e parë, ekipet e shpëtimit u detyruan të shembnin disa mure për të arritur te vajza në mënyrë të sigurt. Fillimisht u nxor qeni, ndërsa menjëherë më pas u shpëtua edhe 15-vjeçarja, e cila rezultoi plotësisht e padëmtuar.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, njoftoi lajmin duke deklaruar: “E shpëtuam Camilën! Faleminderit Zotit që na përdori në këtë mënyrë. Forca Venezuelë.”

Ky shpëtim vjen vetëm pak orë pas një operacioni tjetër në të njëjtën zonë, gjatë të cilit të njëjtat ekipe shpëtimi nxorën nga rrënojat 39-vjeçaren Nayarit Colmenares, e cila gjithashtu kishte mbetur e bllokuar për më shumë se 50 orë.

Ora 17:58
Mrekulli pas tërmeteve në Venezuelë, foshnja 18-ditëshe nxirret e gjallë nga rrënojat (VIDEO)

 

Një foshnjë 18-ditëshe është nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Venezuelë pas 2 tërmeteve të fuqishme që goditën vendin mbrëmjen e të mërkurës. Ekipet e shpëtimit pasi e kanë nxjerrë foshnjën nga rrënojat, ia kanë dhënë në krah të atit, i cili shpërthen menjëherë në lot. Ndërkohë e ëma e fëmijët u shpëtua nga rrënojat pak më parë, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë në vend, pasi tërmetet e njëpasnjëshme e goditën vendin, duke vrarë të paktën 920 persona dhe duke plagosur më shumë se 3,360 të tjerë.