Vepra e Shuteriqit, në kërkim të
shqipes së shkruar para Buzukut

Vepra e Shuteriqit, në kërkim të<br />shqipes së shkruar para Buzukut
Që shqipja duhet të jetë shkruar para librit të njohur të Buzukut, këtë e besojnë një pjesë e mirë e albanologëve që janë marrë me historinë e shkrimit të shqipes, por për Shuteriqin zbulimi i rrënjëve më të thella të fjalës së shkruar shqipe u kthye në një pasion të jetës së tij dhe i kërkimit të vijueshëm shkencor.
Ishte jo vetëm kërshëria shkencore, por me sa duket dhe plotësimi i një amaneti lënë prej të atit, Simon Shuteriqi, i cili besonte se “shqipja ishte shkruar më shumë se aq”, një motiv i përkushtimit të tij gjatë gjithë jetës të hulumtimit të fakteve e të dhënave që dëshmojnë shkrimin e fjalës shqipe, përtej dokumenteve të njohura, si “Formula e pagëzimit” (1462) dhe dëshmive të tjera.

Më 1950 Shuteriqi pat përgatitur një bibliografi për shkrimet e vjetra shqipe që e botoi në shtypin shkencor. Si vijim i kësaj pune lindi vepra “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850”, që njohu dy botime në Tiranë, më 1965 dhe më 1976 i dyti. Në qoftë se do të njohim si botim të parë, botimin si libër, pra atë të vitit 1965, ky i vitit 1976 është botimi i dytë. Ky botim nuk përfaqësonte një ribotim, por përkundrazi një version të ri, të përpunuar, të plotësuar e të zgjeruar me gati dy të tretat e numrit të njësive që përmbante botimi i parë.

Por kërkimi në këtë terren të vështirë në mugëtirë të shekujve do të vazhdonte pa ndërprerje edhe pas botimit të dytë, d.m.th. përtej shekujve XVI-XVIII. Prof. Shuteriqi punoi deri në frymën e fundit, për ta plotësuar këtë vepër të jetës së tij. Besimi në lashtësinë e kulturës së shkruar të popullit të vet e nxiste të hulumtonte në një det literature, botimesh vendëse e të huaja, nga Mesjeta e hershme në periudhën moderne duke regjistruar çdo fakt që hedh dritë në historinë e shkrimit shqip, çdo të dhënë që dëshmon fjalën shqipe. Kështu hodhi shtat ditë pas dite e vit pas viti projekti për një botim më përfshirës, më shterues, i cili, përveç materialit të njohur dhe fakteve të reja, të zbuluara ndërkaq të shkrimit shqip, ngërthente dhe çdo dëshmi që vjen nga tekste të folklorit, çdo dëshmi a hamendje se shqipja ka qenë përdorur në shkollat e Shqipërisë ose në diasporë, dhe në glosa të shkëputura shqip që dalin në tekste të huaja.

Në shestimin e ri, vepra u mendua në dy vëllime, vëllimi i parë mbaruar në fund të vitit 1999, mbulon shek. IX-XVIII (879-1800). Vëllimin e dytë (1800-1850), lëndën shtesë të të cilit e pat përmbledhur dhe e pat gati në skedarë, siç ma pat pohuar në takimet e fundit me të, fare pak kohë para se të ndahej nga jeta, nuk arriti ta ndërtonte, dhe mbeti në atë gjendje. Botimi i vëllimit të parë nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pas vdekjes, më 2005, me titullin Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes më vitet 879-1800, plotëson pjesërisht amanetin e tij. Për të kuptuar risinë e këtij botimi mjafton të theksojmë në radhë të parë se me vitin 879, nga regjistron fjalën e parë shqip, toponimin “Kroin” – Krujë të shkruar me alfabetin grek, e zbret dëshminë e saj në shek. IX, dhe në radhë të dytë se, ndërsa në botimin e dytë të vitit 1976, për periudhën deri në vitin 1800, numri i njësive të përfshira arrin në 176, numri i njësive që përfshihen në këtë botim të ri të vitit 2005, arrin në 312. Ky zgjerim ka ardhur jo vetëm si rezultat i zgjerimit të kufijve kohorë, por më shumë si rezultat i zgjerimit të konceptit të librit dhe i zbulimit të fakteve të reja të përfshira në të.

Paralelisht me këtë projekt prof. Shuteriqi, po ashtu gjatë gjithë jetës punoi dhe për një fjalor me dëshmi të leksikut të shqipes para Buzukut. Këtë mori dëshmish e përbën çdo emër vendi a personi (toponim a antroponim), çdo glosë shqipe e qëmtuar prej tij në dokumentet latine, italiane, greke, sllave e osmane që nga shekujt e Mesjetës deri në vitin 1553, shtuar këtyre dhe çdo fjalë të dokumenteve shqipe para Buzukut si dhe çdo fjalë të hasur në veprat e humanistëve shqiptarë të pjesës së parë të shek. XVI. Kështu fjalësi i këtij leksiku e kalon shifrën 1600, një numër jo i pakët dhe me interes të veçantë për historinë e shqipes.

Autori në çdo rast u është referuar dokumenteve të botuara në gjuhët origjinale, ose të përkthyera a të transkriptuara nga shkencëtarë specialistë, çka jep garanci shkencore për saktësinë e çdo dëshmie. Karakterin rreptësisht shkencor të veprës e tregon edhe fakti se në të përcaktohet në kohë kur del fjala dhe vendi, që do të thotë se fjala është vendosur gjeografikisht në vendin që i përket. Ky fjalor ngërthen veç të tjerave 980 fjalë të sigurta të shqipes, që duhet t’i përkasin përgjithësisht fondit kryesor të saj në Mesjetë. Në pjesën më të madhe ky leksik vjen nga të folmet veriore të shqipes. Duke iu referuar sistemit të fjalëformimit dhe të prapashtesave (të cilat në masën 75% janë të shqipes) vepra jep dorë të arrihet në përfundime me rëndësi për faktin se shqipja ka treguar një forcë të madhe konservuese të tipologjisë së saj, për ruajtjen e fizionomisë së saj, ndonëse e ekspozuar ndaj trysnisë së gjuhëve fqinje e në kontakt, dhe se ajo ka trashëguar një sistem të gjerë fjalëformimi. Vepra me titull “Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe”, u botua pas vdekjes, më 2010 nga Akademia e Shkencave.

Të dyja këto vepra monumentale, janë vepra të papërsëritshme, dhe burim referimi për studimet e ardhshme në këto fusha, dëshmi e rrallë e përkushtimit dhe e dashurisë së prof. Shuteriqit për fjalën shqipe.
Dhimitër Shuteriqi është një punëtor dhe lëvrues i palodhur i gjuhës. Fati i një gjuhe pa punëtorët dhe pa lëvruesit e saj të të gjitha kohëve do të kishte qenë vdekja e saj.

Shkrimtari i madh ballkanik, Kazanxaqi, në shkrimet e udhëtimeve të tij, rrëfen një ngjarje domethënëse. Duke shëtitur me mikun e tij, poetin Sikelianos, në rrethinat e Spartës, në gardhin e një kopshti shohin të kish mbirë një lule e rrallë, e jashtëzakonshme për nga bukuria. E këpusin dhe pyesin çunat aty se si quhej kjo lule, po asnjeri s’ia dinte emrin. Një prej tyre tha: Teze Lena e di, dhe u nis ta pyeste. Kur u kthye u tha me dëshpërim vizitorëve: Teze Lena ka dy ditë që ka vdekur. “Ndjeva një shtrëngim në zemër, shkruan shkrimtari i madh, kishte vdekur një fjalë; ajo nuk do të kishte shansin të vendosej në një varg që të bëhej e pavdekshme”. Punëtorët e gjuhës i bëjnë të pavdekshme fjalët, gjuhën dhe kombin, duke bërë të pavdekshëm edhe emrin e tyre.

*Akademiku Jorgo Bulo e ka lexuar këtë kumtesë sot në akademinë përkujtimore për 100-vjetorin e shkrimtarit, stdiuesit dhe albanologut të njohur Dhimitër Shuteriqi

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë