/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot një grup qytetarësh nga Rugova, me të cilët bisedoi lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.
Kryetari Veseli u njoh me hartat gjeografike të viteve të mëparshme dhe hartën e vitit 1974, që është hartë e drejtë nga aspekti juridik e kushtetues i Republikës së Kosovës. Ai po ashtu u njoh me propozimet e palës së Malit të Zi që dallojnë nga ato që ka prezantuar pala kosovare në takimet e organizuara për këtë çështje.
Sipas drejtuesit të grupit, Ali Lajçi, shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj dëmtohen me rreth 12 mijë hektarë, 7 mijë në pjesën e Rugovës ndërsa 5 mijë tjera në pjesën e Podgurit, dhe vendkalimit kufitar në Zhlep.
Veseli dhe Lajçi ranë dakord se kontestet, sidomos ato pronësore, duhet të zgjidhen me marrëveshje e mirëkuptim, duke marrë parasysh interesin e dy shteteve të pavarura. U vlerësua se demarkacioni i kufirit, si kusht edhe në procesin euro-integrues të dy shteteve të njohura reciprokisht, duhet të jetë kufi i partneritetit ndërmje dy vendeve, të cilat vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera midis tyre.