Vetëpërmbajtja si vaksinë

Vetëpërmbajtja si vaksinë

Sot ka një konsensus global se gjëja më e lehtë është të mëzitesh dhe stresohesh në kushtet e karantinës, por ti duhet të vetëpërmbahesh shumë që pastaj të kesh mundësi ta përballosh me sukses këtë luftë.

Ti mund ta kesh problem të durosh për një kohë të gjatë njerëzit e tu nëpër këmbë, i mbyllur në të njëjtën shtëpi, por duhet të vetëpërmbahesh, sepse është më keq po të mos kesh mundësi t’i përcjellësh ata, as në varreza, nëse do të sëmuren.

Ti mund ta kesh të vështirë të durosh izolimin, se je mësuar të kesh party cdo të premte për të shfryrë lodhjen e javës, por duhet të vetëpërmbahesh, kur lexon që janë prekur nga koronavirusi edhe kryeministri britanik bashkë me Princin e Kurorës së Anglisë.

Ti me siguri që mezi pret të dalësh nga shtëpia, qoftë edhe për të bërë një punë të rëndomtë krahu, por duhet të vetëpërmbahesh, kur merr vesh se janë mbyllur brenda si ti edhe pasanikët më të mëdhenj të planetit. Duke filluar nga Bill Gates në Amerikë, e duke përfunduar tek “oligarku” i fshatit apo i lagjes tënde.

Ti mund ta kesh të pamundur të mos ekspozosh veshjet e reja apo modelin e fundit të flokëve, por duhet të vetëpërmbahesh, kur informohesh se ka plot që arrijnë ta përmbushin këtë mision edhe në kushtet e rënda të vetëizolimit. Mjafton që të qash me zë të lartë nga shtëpia dhe të ankohesh per ankthin në televizion.

Ti mund ta kesh tmerrësisht të rëndë të mos jesh në qendër të vëmendjes për një kohë të gjatë, por duhet të vetëpërmbahesh dhe të shpikësh mënyra të reja për të arritur të njëjtin rezultat në kushte të ndryshme. Si fillim duhet ta provosh të flasësh në skype me një bibliotekë të pasur me libra në sfond.

Ti mund të trimërohesh vërtetë kur dëgjon lajme se ky është thjesht një grip i zakonshëm dhe po ekzagjerohet qëllimisht, por duhet të vetëpërmbahesh kur mëson se pikërisht atë janë duke e vuajtur sot më shumë se të tjerët Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia, Spanja e kështu me radhë.

Ti mund të xhindosesh fare, kur shikon se nuk po të plotësohen të gjitha kërkesat e tua me shkrim ose me gojë, por duhet të vetëpërmbahesh po të mendosh se mund të rezultojë që ia ke futur komplet kot, ashtu siç ka ndodhur në jo pak raste edhe në kohë paqeje.

Ti mund të rebelohesh pafund me zgjatjen pa afat të orëve te karantinës, por duhet të vetëpërmbahesh po të mendosh se ata që duhet ta shqetësohen realisht (mjekët, infermierët, policët, etj), janë të detyruar të rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre, vetëm që ti të mos infektohesh. Dhe ç’është më e rëndësishmja, janë duke e bëjnë këtë sakrificë pa u ankuar asnjëherë.

Me sa duket, kjo është një luftë që mbi të gjitha kërkon vetëpërmbajtje. Madje edhe në rastin, kur lexon apo sheh që të njëjtët sherrxhinj të pandreqshëm në kohë paqeje, nuk kanë mësuar asgjë prej saj. Për të mos thënë që janë bërë më agresivë, se sa kanë qenë dikur, domethënë atëherë kur nuk e ruanin lëkurën e vet, duke qëndruar brenda si gjithë të tjerët.

Por ti duhet të vetëpërmbahesh edhe ndaj tërbimit të tyre. Thjesht duke i konsideruar njësoj si ata pijanecët, që e kanë rakinë me sherr, të cilët sa më shumë gota të rrëkëllejnë, aq më shumë zihen me dynjanë.

Ndaj edhe mos prit ndryshim prej tyre. Ata thjesht duhen mëshiruar në këtë kohë pandemie. Me ngushëllimin e madh se sot mund të dëmtojnë më pak se në kohëra të tjera, jo thjesht se janë më të izoluar, por më shumë, ngaqë njerëzit e kanë më të lehtë t’i identifikojnë.

Si çdo luftë tjetër botërore, edhe kjo me COVID 19 do të ketë viktima. Lusim Zotin të jenë sa më pak, por është e sigurt se, kur ajo të mbarojë, jo të gjithë ata që do ta humbin luftën, do të numërohen në buletinët e vdekjes së atyre, që koronavirusi do t’i marrë me vete duke i gjetur në shtrat.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ASTRIT PALLOSHI: 28/03/2020 15:41

    O astrit palloshi je i vonuar me kritikat e tua bajate tani kto kritika s'kan vler. Kur ti ishe bashkë me kta " pijanec " nuk i kundërshtove njëher. Nuk the një fjal kur kta vodhën e vran tani ti je si kofini mbas të vjelave o astrit palloshi kodoshi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja