Koha për ndryshim në gjyqësorin shqiptar: Një vështrim pas një viti të procesit të vetingut

Koha për ndryshim në gjyqësorin shqiptar: Një vështrim pas një viti të procesit të vetingut

Genoveva Ruiz Calavera

Pas muajsh ndërtimi të themeleve dhe përgatitjes së terrenit, gjatë javëve të fundit ka pasur disa arritje të rëndësishme në procesin e vetingut të gjyqësorit në Shqipëri, që duhen shënjuar teksa i afrohemi fundit të vitit. Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilët shqyrtojnë rastet e vetingut në shkallë të parë, kanë arritur vendimin e tyre thuajse të 100-të në më pak se një vit që nga seanca e parë e vetingut. Në të njëjtën kohë, janë hedhur bazat për institucionet e reja që do të garantojnë vetëqeverisjen e pavarur të gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë sapo kanë mbajtur seancat e tyre përkatëse konstitutive. Këto arritje pasuan muaj pune dhe sfidash të mëdha, disa prej të cilave në momente të caktuara dukeshin të vështira për t’u kapërcyer.

Secili prej rreth 800 gjykatësve dhe prokurorëve në të gjithë vendin po i nënshtrohet një hetimi mbi integritetin, precedentët penalë dhe kompetencën profesionale. Nga të gjitha rastet e trajtuara deri më tani, pothuajse gjysma kanë rezultuar me shkarkimin ose dorëheqjen vullnetare të atyre që janë vlerësuar. Komisioni Evropian ndihet shumë i inkurajuar kur mëson nga magjistratët e BE-së dhe SHBA-ve, të cilët po e mbikëqyrin këtë proces si pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, se hetimet e vetingut po kryhen në mënyrë të plotë dhe profesionale. Ndërsa shumica e apelimeve janë në pritje, mund të shihet se ky proces ka nisur tashmë të japë rezultate.

Kjo ndërmarrje monumentale, dhe numri i madh i shkarkimeve, çoi në shtyrjen e formimit të institucioneve të reja gjyqësore dhe ndikoi në funksionimin e institucioneve gjyqësore. Por, sado problematike që janë, kufizimet e përkohshme në funksionimin e sistemit të drejtësisë, të cilat madje kanë rezultuar me humbjen e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese, janë të pashmangshme për të ndërtuar një gjyqësor të cilit qytetarët shqiptarë mund t’i besojnë për të respektuar shtetin e së drejtës mbi gjithçka tjetër. Tani që është formuar Këshilli i ri për Emërimet në Drejtësi, së bashku me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor të ndarë, një thirrje u drejtohet të gjithë anëtarëve të sapoemëruar për të përmbushur më së miri detyrën e tyre, e cila siguron që gjyqësori mund të funksionojë në mënyrë të pavarur, i lirë nga çdo ndikim apo trysni e panevojshme nga politika apo nga çdo forcë tjetër e jashtme. Është gjithashtu e rëndësishme që të gjitha autoritetet përgjegjëse për emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese t’i ushtrojnë detyrat e tyre në kohën e duhur dhe në mënyrë profesionale.

Zhvillimet e fundit tregojnë se reforma po jep rezultate dhe se Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt krijimit të një sistemi drejtësie pa paaftësi, njëanshmëri dhe korrupsion. Viti i kaluar dëshmoi fillimin e një procesi që do të kërkojë kohë dhe vetë vetingu është vetëm një pjesë e vogël e reformës së gjyqësorit dhe e transformimit të përgjithshëm të cilit Shqipëria do të vazhdojë t’i nënshtrohet në të ardhmen për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Kjo është ajo që dëshirojnë dhe meritojnë qytetarët e Shqipërisë, prandaj Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i shoqërojë institucionet e Shqipërisë në këtë përpjekje historike.

*Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sapa: 29/12/2018 08:33

    Madam!Nuk ka pavaresi te gjygjesorit ne "anijen pirate shqiperi"!Kultura e shqiptarit kur ngrihet ne megjes eshte te pije kafen ne klub dhe aty fillon "zgjidhja e problemeve"qe nga gjygjesore,shteterore,familjare e cdo gje qe ekziston.Ne klub kerkohet "miku"dhe "personi" qe duhet te zgjidhe hallin e shqiptarit.Kjo eshte kultura qe edhe i madhi albanologu Robert Elsie e ka pershkruar shume here ne shkrimet e tij.Nga kjo kulture e ka te veshtire te ndahet shqiptari te pakten keto 100 vjet JO!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja