Vettingu/ Ndërkombëtarët: Kreu i Kushtetueses me pasuri të dyshimtë

Vettingu/ Ndërkombëtarët: Kreu i Kushtetueses me pasuri të dyshimtë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja

Kryetari i Gjykatës Kushtuese Bashkim Dedja ende nuk i ka mbyllur llogaritë me drejtësinë e re. Pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në datë 13 qershor, Bashkim Dedja u shpreh se procesi ishte ‘si të kalosh varrin për së gjalli’, por çështja ende nuk ka përfunduar, pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar që vendimi i konfirmimit në detyrë të apelohet.

ONM u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për Bashkim Dedjen. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ndërsa afati i fundit për të paraqitur ankim nga Komisionerët Publikë është data 28.07.2018.

“Në datë 13.07.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr.24, 13.06.2018 në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën datë, 13.07.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Afati i fundit për të paraqitur ankim nga Komisionerët Publikë është data 28.07.2018”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik për rastin e Bashkim Dedjes.

Por përse e kërkon ONM apelimin e vendimit të konfirmimit në Kolegj? Gjithçka lidhet me pasurinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa dosja e tij përçau edhe trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine. Ndryshe nga Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, relatorja e çështjes Xhensila Pine doli në konkluzionin se Bashkim Dedja duhej të shkarkohej nga detyra me pretendimin se nuk provon me dokumentacion një pjesë të pasurisë.

Gazeta Shqiptarja.com zbardhi vendimin e arsyetuar pak ditë më parë, ku Xhensila Pine arriti në konkluzionin se Dedja nuk ka provuar me dokumentacion ligjor provues burimin e ligjshëm të huas së marrë nga kunati i tij, z. E. C., në vlerën 10.000 euro, për pasurinë apartament me sipërfaqe 146.14 m² dhe garazh me sipërfaqe 15.25 m², me vlerë 180.000 euro, të ndodhur në Tiranë. Pikërisht për këtë shkak, Komisioneri Publik kërkon që vendimi i konfirmimit në detyrë për zotin Dedja të apelohet në Kolegj.

Dyshimet që ngriti në seancën e parë KPK për Bashkim Dedjen

Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deklaroi seancën e parë në datë 8 qershor se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese rezulton me probleme në justifikimin e pasurisë së tij, edhe pse DSIK dhe KLD kanë deklaruar se ai plotëson kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësimit profesional. KPK hetoi pasurinë e tij dhe deklaroi se 3 apartamente të cilat përdor Bashkim Dedja ishin me burime të dyshimta e të pajustifikuara. Prona e parë e dyshimtë ishte një apartament në Tiranë me sipërfaqe 146 metër katror dhe një garazh 15 metra katrorë, me vlerë 180 mijë euro.

Dedja kishte deklaruar se 120 mijë euro i kishte marrë kredi për 20 vjet, ndërsa 35 mijë euro të tjera i kishte kursime ndër vite të tijat dhe bashkëshortes. 25 mijë eurot e tjera Bashkim Dedja kishte deklaruar se ja kishte marrë hua vëllait dhe kunatit.Por, KPK verifikoi se në datën e huamarrjes nga kunati deklaruar në aktin noterial, kunati nuk ka qenë fare në Shqipëri. Më pas Dedja ndryshoi deklarim duke thënë se 10 mijë euro i kishte marrë nga babai i kunatit, por KPK verifikoi paaftësinë paguese të kunatit për të dhuruar para.

Sa i takon 15 mijë eurove të tjera që gjyqtari Kushtetues deklaroi se i kishte marrë hua nga vëllai, KPK verifikoi dhe deklaroi se i vëllai që jeton në Greqi prej vitesh nuk kishte aftësi paguese, pasi në kohën kur pretendohet t’i ketë dhënë hua 15 mijë euro vëllait gjyqtar, vetë ka blerë një shtëpi 40 mijë euro me kredi. Pikërisht në këtë pikë u bë debati më i madh, por avokati deklaroi pas vendimit se vëllai i Bashkimit, Mensuri, e ka vënë një apartament si kolateral për nipin e tij në bankë, duke dëshmuar sipas tij se ka pasuri. Por kjo nuk ishte banesa e vetme problematike sipas KPK. Në vitin 2003 Dedaj ka deklaruar blerjen e një tjetër banese në Tiranë, ku zotëronte gjysmën e saj, ndërsa më pas ka deklaruar se është pronar i saj 100%, pa treguar burimin e të ardhurave.

Ndërkohë, dyshime për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ngjalli dhe një banesë në Golem, ku Dedja ka deklaruar se e ka në përdorim, por është pronë e vëllait tjetër që jeton në Dibër.  Por KPK verifikoi dhe deklaroi se kontrata e energjisë elektrike është paguar vetëm nga Bashkim Dedja nga dita e parë, duke ngjallur dyshime se kjo pronë mund të jetë e vetë gjykatësit, dhe jo e vëllait të tij që jeton në Dibër.  Megjithatë të gjitha dyshimet që ngriti në seancën e datës 8 qershor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, po vetë i rrëzoi duke e konfirmuar në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja në datë 13 qershor, por dje në datë 20 korrik, ONM kërkoi nga Komisioneri Publik ankimimin e vendimit në Kolegj.

Votimi / 2 anëtarë ishin pro, ndërsa anëtarja Xhensila Pine ishte kundër, “Shqiptarja.com” zbardhi vendimin e KPK me problematikën e pasurisë

Njerëzit e Vetingut nuk kanë qenë i të njëjtit mendim që, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, të konfirmohej në detyrë, si pjesë e drejtësisë së re. Gazeta Shqiptarja.com zbardhi vendimin e arsyetuar pak ditë më parë, ku dilte se Dedja u kaloi vettingun me votimin 2 pro dhe 1 kundër, pasi një prej anëtarëve të trupës gjykuese të KPK-së, Xhensila Pine nuk ishte dakord që kryetari i Gjykatës Kushtetuese të konfirmohej në detyrë pasi sipas saj ai nuk justifikonte pasurinë.

Dosja e kreut të Kushtetueses ka përçarë trupën gjykuese të përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine. Shqiptarja.com zbardh vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Dedes, pas hetimit të thelluar për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale. Ndryshe nga Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia, relatorja e çështjes Xhensila Pine ka dalë në konkluzionin se Bashkim Dedja duhej të shkarkohej nga detyra me pretendimin se nuk provon me dokumentacion një pjesë të pasurisë. Në arsyetimin e saj, Xhensila Pine ka rritur në konkluzionin se Dedja nuk ka provuar me dokumentacion ligjor provues burimin e ligjshëm të huas së marrë nga kunati i tij, z. E. C., në vlerën 10.000 euro, për pasurinë apartament me sipërfaqe 146.14 m² dhe garazh me sipërfaqe 15.25 m², me vlerë 180.000 euro, të ndodhur në Tiranë. “Nuk ka provuar me dokumentacion ligjor provues burimin e ligjshëm të huas së marrë nga vëllai i tij, z. M. D., në vlerën 15.000 euro, për pasurinë apartament me sipërfaqe 146.14 m² dhe garazh me sipërfaqe 15.25 m², me vlerë 180.000 euro, të ndodhur në Tiranë, P. Ka kryer deklarim të rremë në Deklaratën -Vetting, në lidhje me burimin e ligjshëm të të ardhurave të deklaruara, për apartament banimi me sipërfaqe 98 m², me vlerë 19.600 USD (ose 1.812.020 lekë), në Njësinë Administrative Nr. 5, pasi nuk ka deklaruar si burim të ardhurat nga vëllai i tij, z. M. D. Ka mosdeklarim të vlerës së apartamentit të rivlerësuar në kundërshtim me pikën 1, germa “e”, të urdhrit nr. 475, datë 11.05.2017, të Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKPKI-së”, arsyeton zonja Pine. Për këto arsye, Pina thotë se Dedja nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë, por duhet të shkarkohet nga detyra.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase