Paqartësi për fatin e Vettingut. Pavarësisht se Kuvendi votoi të hënën që të rihapte garën pranë Avokatit të Popullit, për kandidatët që do të bëjnë Vetingun, asnjë hap nuk është hedhur në këtë drejtim. I gjithë procesi ka mbetur pezull për shkak të burokracive.

Si rregull të gjithë dokumentet e aplikantëve, lista A, lista B dhe lista e zezë e ONM-së, duhet të rimerren nga Avokati i Popullit, duke i protokolluar një nga një. Vetëm pas kësaj gara quhet e rihapur.

Por, nga ana e Avokatit nuk është bërë asnjë veprim i tillë duke e lënë dokumentacionin stok në Kuvend. Sipas vendimit të Kuvendit të datës 6 mars, të votuar nga maxhoranca, rihapja e aplikimeve nis ditën kur Igli Totozani rimerr dokumentet e dërguara në Kuvend.

Nga ai moment fillon numërimi mbrapsht i afateve Kushtetuese. 7 ditë është afati për dorëzimin e aplikimeve të reja ose plotësimin e dosjeve pranë Avokatit të Popullit, ndërsa ditë të tjera është fatit për vlerësim të dokumentacionit nga ana e këtij të fundit. 14 ditë është nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të skanuar kandidaturat dhe 3 ditë për Kuvendin për të ngritur komisionet e posaçme të deputetëve që do të përzgjedhin kandidatët e Vetingut.

Pra, në total duhet edhe 31 ditë të tjera për të rikthyer procesin në pikën kur ndali në datën 6 mars, si pasojë e bojkotit të opozitës. Por, deri në zbatimin e këtyre afateve do të duhet të gjendet dakordësia burokratike mes Avokatit të Popullit dhe Kuvendit. Ende nuk ka nisur të konsumohet afati i parë prej 7 ditësh për pranimin e aplikimeve të reja, duke provokuar shtyrjen e institucioneve të Vettingut në muaji korrik.

Nëse Avokati i Popullit do të hapte procedurat për aplikimet e reja një ditë pas vendimit të Kuvendit dhe nëse të gjitha institucionet do të konsumonin deri në fund afatet e parashikuara në ligjin e Vettingut, organet e rivlerësimit do të ngriheshin pas datës 26 Qershor. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com