Këta vetëm vezë të kuqe bëjnë. Këta ta shpifin me gjithë këto vezë dhe gjith' këtë të kuqe. Këta e kanë mbushur Shqipërinë me vezë të kuqe, kakarisje, ngrehje. Nuk i kam parë kurrë unë këta të bëjnë ndonjë gjë tjetër veç vezës së kuqe. As në diktaturë, as tani. Dhe kudo ku kam qënë jashtë Shqipërie, vetëm duke bërë vezë të kuqe, dhe vetëm duke kakarisur e duke u ngrehur i kam parë. Këta janë gjithë kohën në garë me njëri-tjetrin kush e kush të bëjë sa më shpejt vezën, sa më të kuqe, dhe me sa më tepër kakarisje. Këta frymë nuk marrin, këta nuk gdhihen as nuk ngrysen dot, këtyre jeta nuk j'u ka lezet, po nuk bënë vezë të kuqe.

Këtu, i riu, i vjetri, i sëmuri, i shëndetshmi, i punësuari, i papuni, të gjithë vetëm vezë të kuqe bëjnë. Këta vezën e kuqe e bëjnë kudo; Në shtëpi, në rrugë, në kafene, në zyrë, në gazetë, në televizion, në qeveri, në Parlament. Këta vezën e kuqe e lëshojnë mu aty ku janë, mu aty ku j'u vjen. Dhe jo se vezën e bëjnë të bardhë dhe pastaj e lyejnë me të kuqe si vezë Pashke. Jo mor jo. S'ka lidhje veza e kuqe e Pashkës me vezën e kuqe të shqiptarit. Këta me vezën e kuqe mburren. Këta vezës së kuqe i kanë kushtuar edhe një shprehje. Atë që thotë për filanin apo fistekun se "bën vezën e kuqe". Që domethënë se ai që bën vezë të kuqe ka bërë gjënë më të madhe, sakrificën më të lavdërueshme, punën më të lavdishme. I ziu njeri, duke parë këtë tendencë mbarëpopullore për të bërë vezë të kuqe, nis e mendon, nis e vihet në dyshim, nëse vërtet bërja e vezës së kuqe mund të jetë puna më e dobishme. Por nuk kupton dot asgjë, dhe nuk del dot në asnjë përfundim.

S'është parë e dëgjuar kurrë dhe askund që bërja e vezës së kuqe t'i konsiderohet meritë dikujt, aq më pak një populli të tërë. Dynjaja mburrin tjetrin për punë të mëdha. Kur janë politikanë dhe bëjnë reforma të rëndësishme, për shembull. Ose kur janë inxhinierë dhe bëjnë projekte ose shpikje. Apo artistë, shkrimtarë, poetë, muzikanë, dhe bëjnë Art të madh të njohur në të gjithë botën. Pra dynjaja mburr atë që lodhet shumë, ka rendimet të madh, dhë bën për të mirën e të gjithëve gjëra që mbeten.
Këta jo. Këta nuk bëjnë asnjë punë. Këta bëjnë vetëm vezë të kuqe. Këta, nga më fukarai tek më zengjini, nga më idioti tek më inteligjenti, nga më primitivi tek më i sofistikuari, ila kush ta bëjë vezën sa më të madhe, sa më të kuqe, me sa më tepër kakarisje.

Këtu vezë të kuqe bën edhe plehraxhiu i kazanave. Edhe muhabetçiu i kafenesë. Edhe llafazani i turmës. Vezë të kuqe këtu bën gazetari i redaksionaleve. Vezë të kuqe këtu bën politikani i përdredhjeve. Vezë të kuqe këtu bën nostalgjiku orëmbetur. Madje këtu vezën e kuqe më të madhe dhe më të kuqe se të gjithë të tjerët e bëjnë ata që me vezën e kuqe dhe kakarisjet s'kanë asnjë lidhje; i përndjekuri dhe i shpronësuari, ballisti dhe monarkisti, besimtari musliman dhe besimtari kristian.

Mund të bënin gjëra më të vyeshme se veza e pulës, dhe me ndonjë ngjyrim më interesant. Mund të bënin, për shembull, në vend të vezës së kuqe të pulës, ndonjë gjë më të arsyeshme dhe më të dobishme, si, ta zemë, qingjin e bardhë të deles, viçin laraman të lopës, gicin e bardhë të derrit, apo ndonjë produkt tjetër animalistik. Mund t'i bënin këto si të donin, duke blegëritur, duke pëllitur, lehur, hungurritur, gërrhitur, mjaullitur. Por këta nuk bëjnë asgjë nga këto. Këta bëjnë vetëm vezë, vetëm të kuqe, vetëm duke kakarisur.
Do ishte deridiku e kuptueshme gjithashtu sikur të bënin, makar edhe vezë, po deshe edhe të kuqe. Por jo vezën e pulës. Që është një shpend i mjerë që ha gjithçka nga guri tek muti. Mund të bënin pra, në vend të vezës së pulës vezën e një shpendi të lavdishëm, vezën e shkabës. Që do ishte vërtet një punë me mënt. Për më tepër që shkabën e kanë edhe në flamur, dhe dihen gjërat e mira që bartin shkaba dhe flamuri si simbole me rëndësi të pazëvendësueshme kombëtare.

Por këta jo. Këta, në çdo rrethanë, në çdo kohë, me çdo kusht dhe me çdo çmim, vezë dhe vetëm vezë, të kuqe dhe vetëm të kuqe.
Nuk është fjala këtu për të mohuar vlerat e pamohueshme ushqimore si të pulës dhe të vezës, efektin relaksues të kakarisjes, efektet çudibërëse të së kuqes. Se pula dhe veza, të zjera apo të skuqura, hahen dhe bëjnë mirë, kakarisja vjen dhe s'ke ç'i bën, dhe e kuqja në fund të fundit ekziston, dhe edhe asaj s'ke ç'i bën.

Po atëhere pse vallë të jenë fiksuar kaq fort vetëm pas vezës, kakarisjes dhe të kuqes ?
Vezën e kuqe nuk e merr dot në konsideratë as si "Veza e Kolombit". Se në diskutim nuk është asgjë që të ketë lidhje me ekuilibrin, aq më pak me kakarisjen, e aq më pak akoma me të kuqen, nga e cila vetë Kolombi nuk ka pasur ndonjë ide.
I vetmi çengel për ta zhdredhur enigmën torturuesve të pjellorisë së pafundme shqiptareske me vezë të kuqe duket se mbetet zogu i vezës. Ai çamarroku, ai filizi, ai pionieri i kuq që del duke u përpëlitur nga guacka që sapo e ka çukitur me sqep klloçka.

Ai po. Duke dalë nga veza e kuqe, i kuq do jetë dhe vetë, dhe gjithë jetën do kakarisi sa do pëllcasi. S'ka rrugë tjetër për ta garantuar të ardhmen e kuqe.
Nëse tendenca shqiptareske e vezës së kuqe nuk spjegohet as me zoçkën e klloçkës, i vetmi spjegim për shkoqjen e enigmës së kaq shumë vezëve dhe kaq shumë kakarisjeve mbetet të jetë fakti se veza del nga bytha, natyrisht e kuqe, ç'ka i shpjegon të gjitha pa qënë nevoja t'i futemi brenda.
Nga nis e deri tek bitis, nga fillon e deri tek mbaron, nga len tek perëndon, nga lart e deri poshtë, nga e majta në të djathtë dhe rrumbullak, veza e kuqe po bën hatanë. Gjelat janë kthyer në pula. Kënga në kakarisje. Shtëpitë në koteca. Jeta publike në inkubator. Shqipëria në pulari. Të gjitha të kuqe. Si veza.

Shkrimi u publikua sot (08.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)