DURRES- Vija bregdetare e Durrësit shtrihet në rreth 42 kilometra, nga Kepi i Rodonit në veri deri te derdhja e Përroit të Agait në jug, ku 70 për qind e hapësirës menaxhohet nga privat dhe 30 për qind eshte plazh publik.

Janë mbi 12 kilometra vije bregdetare ku pushuesit mund të vendosin çadrat e tyre pa pagesë. Ketu gjejme kryesisht pushues ditorë.

“Po shumë mirë është vijmë me cadrat tona dhe s’paguajmë. Për ne që jemi pensionist është mirë se 13 mijë lek pension marr”, thanë pushuesit.

Një tjetër pushues, durrsak me banim në Itali, shprehet i pakënaqur pasi pastërtia nuk është në standardet e kërkuara; mungojnë dushet dhe tualetet publike.

“Mirë është vetëm dielli, deti është i pisët, rëra gjithashtu. Tualete s’ka as ujë”, tha ai.

Ndërkohë, në plazhet private, kostoja e një çadre me dy shezlone varion nga 500 deri në 700 lekë, por në kulmin e sezonit mund të arrijë deri në 1000 lekë. Pushuesit që zgjedhin këto hapësira thonë se krahas çadrës dhe shezloneve kanë në dispozicion tualetet dhe dushet.

Operatorët turistikë pohojnë se rezervimet janë në rritje, ndërsa çmimet e akomidimit ne hotele kanë pësuar një rritje të lehtë.

“Çmimet janë rritur nga 5 deri në 7 për qind dhe kjo ka ardhur nga kursi i euros. Ne zakonisht punojmë me paketa ‘all inclusive’ dhe ne qershor një paketë e tillë, kushton 75 euro/dita për person”, tha  Blerim Norja, menaxher hoteli.

Përgjatë vijës bregdetare janë ngritur kullat e vrojtimit. Në disa prej tyre rojet bregdetare janë në detyrë, te tjerat ende te boshatisura.

Nje vezhgues nuk nguron të tregoje detyrat e tij qe nga vendosja e flamujve deri tek operacionet e shpetimit.

“Unë vij që të 7 të mëngjesit dhe qendroj në kullë. Vendos flamurin kur deti është me dallgë. Ka dhe sinjalistikë (bova) në det. Jam gati për ndërhyrje por deri tani shyqyr zotit s’kemi pasur probleme, pushuesit i respektojnë rregullat”, tha ai.

Durrësi ka hyrë zyrtarisht në sezonin veror por krahas fluksit në rritje, kërkesat për më shumë pastërti, shërbime dhe siguri mbeten sfidat që duket se ta shoqërojnë gjatë gjithë verës.