Report Tv ka siguruar me video momentin kur 42-vjeçari Klered Bozhanaj plagos me dy plumba në bark efektivin e “Shqiponjave” Edlir Alleshi dy ditë më parë në “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura” në Tiranë. Në video shihet efektivi i plagosur teksa tërhiqet i tronditur, ndërkohë që edhe efektivi tjetër duket teksa largohet me shpejtësi, për të hyrë në një lokal.

Siç shihet në pamje rreth orës 17.36 në trotuarin përpara lokalit shihen dy punonjës policie me motor që kanë ndaluar afër Klered Bozhanajt, i cili nis të lëvizë te hyrja e pallatit, ngjitur me lokalin aty pranë. Në atë drejtim kanë shkuar edhe policët.

Më tej Bozhanaj futet djathtas për nga hyrja e pallatit. Kur ora shënon 17:36 shikohet që polici Edlir Alleshi vihet në ndjekje duke lëvizur në drejtim të Bozhanajt. Polici hedh kokoren në rrugë dhe futet në hyrjen e pallatit ku është futur 42-vjeçari.

Pas Edlir Alleshit futet dhe polici Ted Koldashi. Disa sekonda më pas nga hyrja e pallatit vërehet Koldashi me pistoletë. Në orën 17:46:48 nga shkallët e pallatit del polici Edlir Alleshi me armë në dorë. Në orën 17.36.54 Alleshi shtrihet duke u përkulur. Policët hyjnë në lokal dhe në orën 17:37:06 në pamje shfaqet Klered Bozhanaj me pistoletë në dorë dhe del nga hyrja e pallatit duke u larguar.

42-veçari u arrestua 24 orë pas ngjarjes pasi hyri në shtëpinë e tij në zonën e “Kinostudios”. Një grup efektivësh që e mbanin nën vëzhgim banesën, ndërhynë sapo Bozhanaj po ndërronte bluzën. Kjo u dha mundësinë policëve ta kapin në befasi, edhe pse në fillim i dyshuari tentoi të bëj rezistencë, por e kishte të pamundur të largohej.

Atij iu gjet dhe sekuestrua arma e krimit, një pistoletë me fishek në fole, e cila mund të kishte rrezikuar sërish jetën e efektivëve nëse do e kishte në dorë. Bashkë me armën, të mbështjellë me letër alumini policët gjetën disa plumba të tjerë dhe një doza hashashi që dyshohet se Bozhanaj i kishte për përdorim vetjak.

Rreth 12 orë pas arrestimit, Klered Bozhanaj, dha dëshminë për grupin hetimor në seancën e dytë të marrjes në pyetje mëngjesin e së premtes. Jam komandant i Pentagonit” citohet të ketë thënë ai, duke shtuar edhe më tej dyshimet se 42-vjeçari mund të ketë probleme të shëndetit mendor. Grupi i hetimit ka kërkuar ekspertizë të plotë mjekoligjore e cila do të saktësojë nëse i akuzuari vuan nga problemet mendore.

Dosja ndaj Bozhanajt për plagosjen e policit 34-vjeçar është referuar në prokurori për “vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentative”. Më tej, për ngjarjen janë pyetur edhe familjarë të Bozhanajt.

I ati i tij u tha hetuesve se djali që ishte kthyer nga Italia kishte pasur probleme mendore, e kishte këshilluar të vizitohej por nuk kishte pranuar.