Të enjten Paris Saint Germain ka shtuar një tjetër trofe në vitrinë, duke fituar për herë të 14-të Superkupën e Francës, pas triumfit me penallti ndaj Olympique Marseille. Finalja e zhvilluar në Kuvajt dhuroi emocione deri në sekondat e fundit, ndërsa koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 13-të nga Ousmane Dembele, i cili pasi mori një asist nga Vitinha, ndëshkoi portierin Rulli me një parabël të saktë. Marseille reagoi në pjesën e dytë. Arbitri akordoi penallti në minutën e 74-t, dhe Greenwood barazoi shifrat. Skuadra e Roberto De Zerbit mori hov dhe në minutën e 87-të përmbysi gjithçka falë autogolit të Pacho pas një krosimi të Hamed Junior Traore.
Kur dukej se trofeu po shkonte në Marseille, PSG barazoi në minutën e 95-të me Goncalo Ramos, duke çuar sfidën te penalltitë.
Në goditjet nga pika e bardhë, protagonist te PSG u bë portieri Chevalier, i cili priti tentativat e O’Riley dhe Traore. Për PSG shënuan Ramos, Vitinha, Nuno Mendes dhe Doue, duke i dhënë parisienëve një tjetër sukses të rëndësishëm sezonal.
Me këtë triumf, PSG regjistron 12 fitore në 13 edicionet e fundit të Superkupës, duke konfirmuar dominimin e padiskutueshëm në futbollin francez. Ky ishte trofeu i shtatë sezonal për PSG-në.
Komente







