Chelsea fitoi 8-0 me Vllazninë në grupin A të Champions League për futbollin e femrave. Vajzat shkodrane nuk mundën të mbronin portën, duke u mundur thellë nga londinezet. Në eksperiencën e parë në Champions, Vllaznia e trajnerit Nikolin Leka nuk ka mundur të përballojë një nga skuadrat më të forta në Evropë.
Për londinezet shënoi Kerr poker në minutat 10, 37, 57 dhe 60, teksa në listën e golashënueseve e shënuan emrin dhe Harder me tripletë në minutat 39, 72 dhe 88 teksa Svitkova shënoi në minutën 78. Pas humbjes 0-2 në Shkodër nga Real Madrid, vajzat shqiptare pësojnë një tjetër humbje. Më shumë se rezultati kjo eksperiencë do i shërbejë futbollit të femrave në Shqipëri. Pas dy ndeshjeve të para në grupin A, Chelsea me 6 pikë qëndron në krye, Real Madrid me katër pikë në vendin e dytë, PSG me një pikë e treta dhe Vllaznia në vendin e fundit pa pikë.