Përplasja nga foltorja e Kuvendit mes Erion Braçes dhe Berishës u zhvendos pasi deputeti socialist shkoi te vendi ku qëndron kryetari i PD që po mundohej t’i tregonte diçka në tabletin e tij.
Mësohet se mes tyre ka vijuar diskutimi lidhur me çmimin e naftës. Gjatë fjalës në foltore, Braçe tha se ishte qeveria e Berishës që vendosi taksën e qarkullimit. Më pas, Berisha iu përgjigj “S’ka vend në botë me taksën 1.1 euro për litër nafte, lexojeni dhe gjejeni një vend.”
Të dy larg mikrofonit dhe foltores, kanë vazhduar të flasin për këtë ku Braçe, me letra në dorë, i ka treguar Berishës një artikull të Wall Street Journal që tregon se Gjermania e Norvegjia kanë taksën më të lartë për naftën.
Por kreut të PD s’i kanë pëlqyer argumentet, ndaj ka marrë tabletin dhe i është përgjigjur deputetit me ‘të besuarin’ e tij: ChatGPT.
Nga diskutimi midis tyre, lëvizjet e buzëve të Braçes formësojnë fjalë si “çfarë janë këto, më tregon mua ti?, teksa i tregon artikullin dhe sërish kuptohet vetëm “ja ku e ke”, duke shprehur qartazi indinjatën e deputetit për veprimin e Berishës që zgjedh t’i besojë ChatGPT para një gazete prestigjioze.
Berisha vijoi t’i tregonte herë tabletin e herë celularin dhe i është përgjigjur “je kundër Diellës”, por ka marrë mbrapsht veç një reagim indiferent nga Braçe që më pas u largua për në karrigen e vet.
Lajmi kryesor:
Akti normativ për uljen e akcizës/ Malaj: Synon të mbrojë konsumatorin! PD: Politikë shpopullimi, alibi për të mos ulur taksat








