Partia Demokratike po përpiqet ta paraqesë ndryshimin e disa emrave në kryesi si dëshmi të një procesi rinovimi. Por rinovimi politik nuk matet me numrin e emrave të rinj në listë. Ai matet me aftësinë për të ndryshuar modelin e drejtimit. Kur maja e piramidës mbetet e pandryshuar, çdo lëvizje poshtë saj është thjesht një riorganizim administrativ dhe jo një transformim politik.

Në këtë kuptim, debati kryesor për Partinë Demokratike nuk është se kush hyn në kryesi, por nëse partia është e gatshme të hapë një kapitull të ri në drejtimin e saj. Prej më shumë se tre dekadash, figura dominuese e kësaj force politike ka qenë Sali Berisha. Problemi nuk është mosha biologjike e liderit. Në politikë, përvoja mund të jetë aset. Problemi është mosha e një modeli politik që ka konsumuar pothuajse çdo mundësi për t’u rikthyer si alternativë bindëse qeverisëse.

Edhe përpjekja për ta paraqitur kryesinë e re si një brez i ri ngre pikëpyetje. Një pjesë e mirë e figurave që prezantohen sot si “rinovim” nuk janë produkte të një kulture të re politike, por bashkëpunëtorë të kahershëm të vetë Berishës dhe zgjedhje e tij. Ata mund të jenë më të rinj në moshë ose të sapoardhur në organet drejtuese, por nuk përfaqësojnë një brez që vjen për të sfiduar modelin ekzistues. Përkundrazi, janë njerëz që janë rritur politikisht brenda tij. Prandaj, është e vështirë të flitet për rinovim kur ndryshojnë emrat, por jo raporti i tyre me liderin dhe as filozofia që ka prodhuar krizën e Partisë Demokratike.

Kjo është arsyeja pse ndryshimet e fundit ngjajnë më shumë me një operacion kozmetik sesa me një reformim politik. Struktura drejtuese vazhdon të ketë Sali Berishën në qendër të vendimmarrjes. Për më tepër, në një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik është krijuar perceptimi se opozita nuk funksionon më kryesisht si një alternativë për qeverisjen e vendit, por si një instrument në mbështetje të betejës personale të liderit të saj me drejtësinë. Ky perceptim nuk është krijuar rastësisht. Mobilizimi i protestave sa herë Sali Berisha paraqitej në SPAK dhe retorika e vazhdueshme kundër institucioneve të drejtësisë kanë bërë që sjellja politike e PD-së të përqendrohet më shumë tek problemi i kryetarit sesa tek shqetësimi i qytetarit. Për një forcë që synon të rikthehet në pushtet, ky është një hendek i madh besueshmërie.

Pikërisht për këtë arsye, pyetja vendimtare nuk është se kush do të jetë anëtar i kryesisë së re. Pra, e thënë më qartë, pyetja është jo se kush po hyn në kryesi, por kur do të dalë kryetari. Derisa kjo të mos ndodhë, çdo emër i ri do të mbetet i dominuar nga një model i vjetër drejtimi.

Në politikë, ashtu si në jetë, makiazhi mund të ndryshojë pamjen për një moment. Por nuk mund të ndryshojë fytyrën. Dhe kur problemi është struktural, kozmetika nuk e zgjidh krizën, vetëm e shtyn përballjen me të. Prandaj, makiazhi mund të ndreqet, por kriza vashdon dhe mbetet.