Viti 2019: Shumë zhurmë, pak kulturë! (VIDEO)

Fillimviti 2019 do ta gjente kulturën me ministre të re. Elva Margariti, do të zëvendësonte ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila drejtoi këtë institucion për 5 vite. Profili i kryetares së re të kulturës, pothuajse krejt i panjohur për publikun, përveçse daljeve të saja si arkitekte për të folur për godinën e Teatrit Kombëtar, kishte ngjallë kërshëri tek njerëzit e kulturës. Shumëkush qe kurioz për zgjedhjen e saj në këtë pozicion, ndonëse, një zë fare pak i njohur në fushën e artit e kulturës, por sipas Margaritit, kjo është një çështje për të cilën duhet pyetur kryeministri Edi Rama. E megjithatë, edhe pse gjatë muajve të parë, vijonte ende që protagonizmin ta kërkonte ish-ministrja Kumbaro, Margariti në intervistën e saj  të parë, 3 muaj pas marrjes së detyrës, për “Report tv”, u shpreh e hapur për bashkëpunim dhe dialog për artistët që duan të shtrojnë problematikat që i shqetësojnë. Përsa i përket prioriteteve që shpalosi, qenë  trashëgimia jomatëriale edhe artistët e rinj. Për trashëgiminë jomatëriale, i referohej edhe eksperiencës paraardhëse, si koordinatore e programit “100 fshatrat turistikë”. Ndërsa, për artistët e rinj, ajo që u evidentua gjatë gjithë vitit nga angazhimi i ministres në paktin me universitetet, ishin marrëveshjet mes palëve, ku studentët e arteve do mund të mësonin më shumë në mbarëvajtjen e punëve në institucionet e kulturës, sepse kështu falë kësaj “eksperience” edhe udha e artit për ta, mund të jetë më e lehtë në të ardhmen…

“Për ndarjen sa më eko të të gjitha fushave, krahasuar me vitin e shkuar kam mbështetur shumë librin.  Kjo ka qenë në fokusin tim, sikundër ka qenë edhe një mbështetje, që i është bërë trashëgimisë jomatëriale, një tjetër prioritet, që po ecim ne hapa konkret. Ajo që ka qenë kriter përzgjedhës, një fije e kuqe, që i ka lidhur të gjitha projektet me njëri-tjetrin, përtej pakënaqësive, sepse nuk do të ketë asnjëherë një konkurs, ku dalin të gjithë të kënaqur, është edhe fakti i mbështetjeve të artistëve të rinj. Unë besoj shumë tek fakti, që në të gjithë botën artistët e rinj mbështeten që në hapat e parë, ndërsa ne presim që t’i njohim si artistë të kualifikuar... Debate do të ketë gjithmonë, por unë shpresoj, që edhe ata që janë të pakënaqur të hedhin sytë tek ata të rinj, që ne po mbështesim sot. Edhe të krijojnë ura të mira komunikimi me ta, për të krijuar gjëra të tjera të bukura, që ne nuk i kishim parashikuar sot”, është shprehur Margariti për “ReportTV”.

Zgjedhje në Akademinë e Shkencave

Jo pa vëmendje kanë kaluar edhe zgjedhjet në Akademinë e Shkencave. Fillimisht kritikat e kryeministrit, Edi Rama, deri në kërcënim me shkrirje edhe më pas mosdekretimi I projektligjit të Akademisë së Shkencave nga Presidenti Ilir Meta, bëri që ekzistenca e këtij institucioni të ishte në zgrip. Ndërsa, pozicioni i Skënder Gjinushit, edhe si akademik i rregullt edhe si kryetari  Partisë Social-demokrate njëkohësisht do të krijonte edhe më shumë polemika në opinion publik. Derisa miratimi i ligjit të ri nga kuvendi, do t’i jepte fund kësaj zvarritje. Kryetar i Akademisë u zgjodh zyrtarisht Skënder Gjinushi nga Asambleja e Përgjithshme, vetëm falë ligjit të ri, kësaj here edhe pa qenë nevoja për dekretimin e Metës.

Teatri Kombëtar, aktorët konfrontohen me forcat e rendit

Një tjetër, ngjarje që ka thelluar përçarjen mes qeverisë edhe artistëve është edhe godina e re e Teatri Kombëtar, e parashikuar të ndërtohet, aty ku gjendet ndërtesa aktuale. Mëngjesin e 24 korrikut, artistët edhe anëtar të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit do të përfundonin në një konfrontim fizik mes forcat e rendit, shkak bëhet moslejimi i daljes së rekuizitës nga teatri, sipas tyre ky do të ishte vetëm hapi i parë, drejt përmbushjes së qëllimit për shembjen e objektit. Artistët bën rezistencë duke u futur në ambientet e brendshme të teatrit, e si rrallëherë atyre iu bashkua në sallën “Kadri Roshi” edhe Lulëzim Basha e elementë të tjerë të opozitës. Po brenda teatrit mësynë edhe forcat e rendit.  Kjo situatë e tensionuar, do të zgjaste deri në mesnatë, moment ky kur që do të tërhiqeshin forcat e rendit. Ndërsa, artistët për më shumë se një vit e gjysëm, vijojnë të ruajnë godinën e Teatrit Kombëtar, duke shprehur qëndrimin e tyre kundër prishjes së saj.

“Nuk më ka ndodhur kurrë, në ’90 jemi ngritur me studentët, por as policia e Ramiz Alisë nuk na ka trajtuar në këtë mënyrë. Më kanë tërhequr zvarrë, askund nuk jam trajtuar si këtu”, shprehet mes të tjerat, aktori Edmond Budina, pas përplasjes me forcat e rendit në agoren e Teatrit Kombëtar.

Plani i Integruar për menaxhimin e Butrintit

Ndonëse, e vendosur që trashëgimia kulturore do të kishte vëmendjen më të madhe në fushën e kulturës,  plani i integruar i menaxhimit për Butrintin bëri, që kritikat ndaj ministres arkitekt-restauratore, të ishin shumë të rënda. Projekti i fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim u konsiderua partneritet mes publikut edhe privatit nga specialistët më në zë të fushës. Neritan Cekaj, Auron Tare, Gjerak Karaiskaj edhe Moikom Zeqo ngritën zërin kundër këtij plan menaxhimi, që vjen fill pas miratimit të ligjit të ri të trashëgimisë. Sipas tyre, ky ligj jo vetëm që nuk i shërben trashëgimisë sot, por i hap rrugën menaxhimit të pasurive të tjera kombëtare apo atyre që janë pjesë e UNESCO-s nga fondacione private.

“Nuk mundet që ta japësh Butrintin, që ka të ardhura më shumë se Ministria e Kulturës, 1 mln, që mund të jenë edhe më shumë. Këto lekë mund t’i marrë lehtësisht shteti shqiptar. Unë nuk jam dakord që sitet arkeologjike që kanë rëndësi të madhe kombëtare edhe ndërkombëtare tu jepen fondacioneve. Çfarë  do të bëjë ky fondacion, përveçse do të vjelë paratë aq më tepër në dhjetë vite. Ai vetëm do të vjelë paratë? Vetëm nga biletat fitohet në Butrintit, prandaj kjo ka bërë që të synohet”, ka argumentuar arkeologu Zeqo për këtë plan menaxhimi.

Tetori i Librit dhe fjalori gjigant i imituar 

Leximi  kësaj here do të merrte hov “të madh” zhvillimi në muajin e Tetorit. Por, ideja e videos ku  lançohej nisma, që çdo lexues të dhurojë një libër në një stol, nuk i kapërceu shumë dyert e zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, e aq më pak të mbërrinte aty ku më shumë ka nevojë. Më shumë se tek promovimi i librave apo autorësh me peshë gjatë këtij muaji, duket se nisma u përqendrua në ndonjë ent të veçantë botues, duke përjashtuar të tjera, që ndoshta për leximin kishin dy fjalë më shumë për të thënë. 

Ngjarja që ul siparin e tetorit të librit qe një instilacion gjigant për Fjalorin e Gjuhës Shqipe me 48 000 fjalë. Për shumë nga kalimtarët, që nuk arritën të ceknin qëllimin, instalacioni qe një rast i mirë për fotografi, ndërsa të tjerë që e panë më nga ar konstatuan përmbajtjen e tij të vakët. Gjuhëtarët e panë këtë si momentin e duhur, për të bërë thirrje ministrisë, për një nismë më konkrete, si mbështetja e botimit të një fjalori, ku të pasqyrohen edhe më shumë fjalë të reja në gjuhën shqipe. Nga sondazhet meidatike, rezultoi se fjalori-instalacion më shumë se kudo, do të lipsej në Parlament, veçanërisht pas performancave të fundit të opozitës së re.  Eh, sikur kjo të mos mjaftonte, mediat zbuluan se instalacioni përballë muzeut qe një ide e imituar, pasi më herët një performancë një fjalor më i moderuar me fjalë të rralla, ishte ekspozuar në një nga sheshet kryesorë të Firences, pikërisht  në qytetin ku ministrja e kulturës, ka kryer studimet e larta.

“Gjuha shqipe mund të konsiderohet tani një gjuhë që i mungon higjiena gjuhësore. I mungojnë rojtarët gjuhësorë, i mungon editoria, i mungojnë të gjitha ato kushtëzime që e bëjnë të detyrueshëm përdorimin e njehsuar të saj. Që nga Kongresi i Drejtshkrimit deri më sot nuk ka pasur akte zyrtare, që të konfirmojnë mënyrën se si funksionon shqipja në një shoqëri të hapur. Kongresi i Drejtshkrimit mori një vendim të arsyeshëm dhe të drejtë. Koha e konfirmoi se zgjidhja që ofroi ai kongres ishte zgjidhja e duhur. Por, shqipja në një shoqëri të hapur është më e rrezikuar sesa një shkallë sesa ishte më përpara”, thotë Shaban Sinani.

Teatri Kombëtar, Muzeu Historik, Galeria e Arteve dhe Opera

Shfaqjet e Teatrit Kombëtar në skenën e Artubinës, duket sikur kanë krijuar një lloj distance nga spektatori i  përhershëm. Vetë drejtori i këtij institucioni Hervin Çuli e ka pohuar se kjo skenë “periferike” është një sfidë për të dhe stafin, duke folur edhe për buxhetet minimale me të cilat shpesh duhet të punojnë regjisorët. Edhe pse nga ana e këtyre të fundit nuk kanë munguar përpjekjet e vazhdueshme të regjisorëve edhe aktorëve për nivel të lartë artistik, si në shfaqjet “Gusht, portret familjar”, “Engjëjt e Amerikës”, “Norm dhe Admeh”, apo “Xhelatët”.

Ekspozitat historike në Muzeun Historik Kombëtar

Ekspozitat historike në Muzeun Historik Kombëtar nuk kanë munguar, as për Ismal Qemalin, Mbretëreshën Gerldinë apo Edith Durham, sikundër nuk kanë munguar as ekspozitat personale edhe kolektive të artistëve pamorë, të cilët të vetmen mundësi që kulmojnë me ekspozitën e artistit Perikli Çuli. Ndërsa, Galeria Kombëtare e Arteve në përpjekjet e drejtorit aktual Erzen Shkololli që ky institucion t’i ngjajë atyre simotra në vendet perëndimore, duke anashkaluar kontekstin shqiptar, ku sallat ekspozuese janë të pakta në numër, për 2019-ën ka pasur vetëm 3 ekspozita në vit. Krahas riekspozimit të koleksionit “Urimet më të mira për 99” duket se e ka qenë Kol Idromeno i plotë, dhe veprat e Adrian Pacit që e kanë bërë kryeqytetin më të përmbajtur, në lidhje me pritshmëritë që ka ndaj këtij institucioni. E në ekspozitën e fundit, prej së cilës deri më tash njihemi veç me thasët e jutës, që kanë mbuluar Galerinë, titulli tingëllon si një thirrje-mesazh: Tirana, durim!

“Arti do forcë, përkushtim, dashuri. Arti është shumë i vështirë për t’u bërë. Ata që e shikojnë, dinë edhe ta kuptojnë, sepse arti është ndjeshmëri, nuk është shkencë e aq më pak politikë. Por është një spiritualizëm i jashtëzakonshëm, ku derdhen emocionet edhe estetika më e bukur  që qëndron rreth e qark njeriut. Prandaj artisti është gjithmonë në përpjekje, si ta bëjë bukur, që ta pëlqejnë”, rrëfen skulptori Perikli Çuli.

Teatri i Operës, inaugurimi në 2020-n

Inaugurimi i rikonstruksionit të Teatri i Operës dhe Baletit përpos premtimeve se do të bëhej brenda vitit 2019-s mbetet për në vitin 2020. Këngëtarët e operës dhe të baletit, balerinët edhe instrumentistët, performancat e tyre do t’i duhet ti luajnë në ish-kinostudio, sallën e Pallatit të Kongreseve, Muzeut Historik, ArtTurbinës apo edhe në sheshe e urbane.

75-vjetori i Çlirimit të Vendit, shoqërohet me debate

Jo larg vëmendjes do të kalonte edhe 75-vjetori I Çlirimit të Shqipërisë. Jo aq për arritjet, sa për pakujdesitë organizative. Kësaj here, portreti i Nuri Luçit, ish-sigurims, që u ekspozua në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, si një nga 100 heronjtë, që kanë kontribuar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u konsiderua nga të gjithë, edhe historianët, një pakujdesi, që nuk duhet të ndikojë në kontributin e heronjve, që kanë derdhur gjakun për liri të vendit. Ndërsa, anëtarët e komisionit, zyrtarë apo historianë, nuk dhanë asnjë shpjegim mbi debatin e krijuar.

Festivali i Këngës, Arilena Ara me “Shaj” çon Shqipërinë në Eurosong 2020

Fituesja e Festivalit të 57-të të  Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, Jonida Maliqi prezantoi vendin tonë në Tel Aviv të Izraelit për vitin 2019, ndërsa për këtë vit emrat e përzgjedhur për vendin e parë edhe të dytë nga juria u shoqëruan me debate. E njohur si ngjarja më e madhe e këngës që evidenton apo promovon vlera artistike të mirëfillta, pjesëmarrja e disa këngëtarëve që lëvrojnë muzikë komerciale pati kontestime. Fituesja e këtij edicioni të ’58-të Festivalit Arilena Ara me këngën “Shaj” do të përfaqësojë Shqipërinë në Roterdam të Hollandës.

Tërmeti, edhe në kulturë

As institucionet e kulturës nuk i kanë shpëtuar dot tërmetit. Goditja sizmike me magnitudë 6.4  që përshkroi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit ka lënë gjurmë në godinat e amortizuara të kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve, dhe Muzeu Historik Kombëtar sipas inspektimeve të para të Ministrisë së Kulturës, rezultuan të kishin dëme sipërfaqësore. Ndërsa, kalaja e Durrësit, Krujës edhe Prezës kanë pësuar çarje të thella.

Pavarësisht vlerave të padiskutueshme të këtyre objekteve të trashëgimisë, siç duhet të ndodhte, artistët vëmendjen kryesore e patën tek njeriu. Për të prekurit nga tërmeti nuk mungoi as sensibilizimi i artistëve më në zë në vend, si Inva Mula, Eva Golemi, Vikena Kamenica, Etrita Ibrahimi  edhe shumë emra të tjerë, që me artin e tyre kontribuuan për të qetësuar sadopak dhimbjen në shpirtrat e trazuar të të lënduarve.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës