Vjedhjet që iu njihet hajduti

TIRANE- Nuk do shumë kohë e ndonjë sakrificë të veçantë të mësosh për një sërë procesesh tërësisht klienteliste dhe korruptive që lidhen me disa koncensione të rëndësishme, të realizuara në vitin e fundit të qeverisjes së kaluar. Nuk do të dëshiroja të ndaloja në secilin prej këtyre koncensioneve, por kam interes të shpjegoj e zbardh një prej koncensioneve korruptive dhe monopoliste të “çimentuara” prej administratës së kaluar, atë të markimit dhe marketimit të karburanteve. Hollësitë? Ja, më ndiqni…
 
Një vendim i kundërshtuar dhe qeveria që heshti
Nëpërmjet vendimit nr 120, dt 13.3.2013, me të cilën u miratua kontrata e koncensionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve (gabimisht shumica e gazetarëve e quajnë këtë ngjyrosje-është e gabuar kjo qasje-) u pa qartë se procesi ishte abuziv, pa konkurrentë. U paraqitën dy kompani të huaja dhe konkurruan me një çmim tavan prej 200 lekë/1000 litra karburant dhe ky tavan ishte një kriter skualifikues. Vetëm pak kohë më vonë, autoriteti kontraktues hoqi këtë tavan skualifikues dhe vendosi një tavan të ri me çmimin 614 lekë për 1000 litra (pa TVSH) dhe çuditërisht kompanitë e para nuk u shfaqën më të veçuara, por u gjendën në një bashkim kompanish dhe u shpallën fitues si një konkurrent i vetëm?!

Dy muaj më vonë, një tjetër vendim jo vetëm që sanksionoi situatën monopol në tregun shqiptar të kësaj kompanie të “ngjizur”, por i vuri në “rresht” të gjitha autoritetet shtetërore, në funksion të “ngjizjes” që kishte krijuar tashmë Ministria e Financave. Nëse do të lexoni rreshtat e marrëveshjes së koncensionit, do të befasoheni me “ustallëkun” e paparë të juristëve publikë e privatë (si një join venture) e përsosur në dëm të shtetit, të kompanive private dhe sidomos të konsumatorit shqiptar. Nuk po i  referohem këtu shkeljes së paparë të legjislacionit shqiptar, nga shteti dhe nga privatët, një shembull i pastër i natyrës korruptivo-klienteliste që cënonte rëndë interesat ekonomike të konsumatorit, të shoqërive të hidrokarbureve dhe të shtetit shqiptar.

Nuk u arrit në bllokimin e kësaj marrëveshjeje koncensionare as edhe nga këmbëngulja e Autoritetit të Konkurrencës, një autoritet unik kushtetues, që kërkoi pezullimin e procesit dhe rishikimin e të gjithë praktikës së vendosjes me ligj të monopolit, por nuk u dëgjua nga Ministria e Financave si Autoriteti Kontraktues dhe Qeveria. Edhe sot e gjithë ditën nuk ka mundur të bëhen publike letrat me rekomandimet ligjore që ky autoritet kushtetues i ka drejtuar institucioneve. Kapja e shtetit vlerësohet unikale në këtë drejtim. Por nuk është kaq e thjeshtë historia e kompanisë fituese koncensionare.
 
Cilat janë efektet e një akti të tillë korruptivo-klientelist?
Janë bërë të njohura nëpërmjet studimeve korrekte të faktorëve të interesuar. Unë po përmend, për t’i ardhur në ndihmë lexuesit, vetëm disa prej tyre. Studio të njohura ekspertësh kanë llogaritur se kosto e shërbimit të markimit dhe të monitorimit të karburanteve do të ishte si më poshtë: a) çmimi në dollar i shërbimit të markimit rezultonte 8.57 USD/Ton. b) Vlera në USD (me TVSH) e shërbimit të markimit dhe monitorimit për sasinë vjetore prej 2,2 milionë ton është 18.854.000 USD; c) duke iu referuar periudhës dhjetëvjeçare të koncensionit (2013-2023) si dhe duke u bazuar në ritmin mesatar vjetor shumëvjeçar të rritjes me 10 % në vit, rezulton në shumën rreth 385 milionë USD.

A ka nevojë të komentohet më tej kjo shifër? Cila kompani shqiptare apo e huaj mund të sigurojë shifra të tillë nga biznesi, si ky i markimit? Kompania koncensionare është “rregulluar” të paguajë edhe garancinë e kontratës (neni 12, pika 12,1 e kontratës koncensionare). Sa është kjo garanci? Për 385 milionë USD të fituara, kompania (tashmë kanadeze?!) do të lerë garanci kontrate 208,5 mijë USD (0,054 %), garanci e cila, sipas kontratës, do të përdoret nga shteti shqiptar për të kompensuar çdo humbje që rezulton nga dështimi i koncensionarit në plotësimin e detyrimeve të tij.

Kjo është vërtet për të qeshur, madje për t’u gajasur! Në nenin nr 1 të kontratës thuhet se “208,5 mijë dollarët e garancisë janë sa 5 % e vlerës së projektit që është 4.170.000 USD! Bukur! Hedh 4,1 milion për të “pritur” 385 milion USD! E paparë Qeveria!

…Edhe usta koncensioni, por edhe …hajdut!
Prokuroria dhe autoritetet doganore nuk kanë mundur ende të hetojnë dhe të venë para përgjegjësisë kompaninë që fitoi koncensionin e markimit të karburanteve. Çfarë të hetojnë? Që në praktikën e parë të zhdoganimit të lëndës së parë, kompania fallsifikoi faturat duke rritur në mënyrë të menderosur dhe fiktivisht vlerat e lëndës së parë, me synim rritjen fiktive të kostos për të ulur fitimin. Në deklaratën e eksportit të lëndës së parë nga Hollanda, vlera e shënuar ishte 18.641 Euro. Në doganën shqiptare u deklarua faturë e falsifikuar në vlerën 2.938.000 USD! FYI!

Kush e ka hetuar këtë gjë? Kush ka vjedhur dhe sa ka vjedhur? Nëse nuk ka vjedhur, pse nuk bëhet publike, qoftë edhe nga vetë kompania që nuk ka një “gafë” të tillë? Faturat janë në doganë, por lehtësisht mund të gjenden edhe në të dhënat e Eurodoganës!

Ku fiton e ku humbet shteti?
Askund nuk mund të fitojë shteti! Të gjitha të ardhurat e mësipërme do të vilen nga shoqëritë e importit të hidrokarbureve, të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve, të eksportit të hidrokarbureve, por në fund të fundit nga konsumatori dhe, do të kalojnë drejpërdrejt në arkën e shoqërisë koncensionare. Po shteti? Sipas kontratës koncensionare (pika 3.5 e kontratës koncensionare) “Koncensionari do t’i paguajë Autoritetit Kontraktues (Ministrisë së Financave-Shenimi im) një tarifë koncensionare të barabartë me 2,5 % të të ardhurave vjetore që realizohen nga shitja e shërbimit të markimit dhe monitorimit.

Pra 2,5 % të 18.8 milion dollarëve të fituar! Shikoni sa pastër i ka bërë llogaritë “koncensionari”! Pra vetëm rreth 96 milionë USD për shtetin, nga 385 milionë USD që do të mund të marrë gjatë periudhës së koncensionit. Çdokënd që lexon këto shifra duhet ta zerë dhimbja e kokës, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh me administratorët publikë. Pse?
    
“Kopsitja” e çeliktë e kontratës koncensionare!
Ustallarët nuk kanë lënë asnjë “të çarë”, ku të marrë ajër koncensioni i markimit të karburanteve. Në nenin 8 (“Pronësia Intelektuale”, pika 8.1) thuhet se “Të drejtat tregtare të pronësisë intelektuale të solucionit të markimit të përdorur nga Koncensionari gjatë zbatimit të Shërbimit të Markimit dhe Monitorimit do të jenë në pronësi të vetme të Koncensionarit, i cili nuk do t’ia bëjë të ditur apo të tranferojë ato Autoritetit Kontraktues (MF) edhe pas mbarimit të kohëzgjatjes së koncensionit”, (pra edhe pas dhjetë vitesh)!?
Më e pakthyeshmja është pika iv e nenit 7 (“Të drejtat dhe detyrimet e koncensionarit”) ku thuhet se “të drejtat e koncensionarit do të jenë ekskluzive dhe Koncensionari do të ketë të drejtën e vetme dhe ekskluzive të ushtrojë të drejtat e Koncensionit të dhëna sipas kësaj kontrate”!

Këtu “nuk ka polic” që rregullon gjë! Kjo lloj “kopsitjeje” ligjore duhet të tërheqë vëmendjen edhe të aktorëve të rinj të qeverisjes, për të mos i lënë kontrata të tilla në duar “zanatçinjsh” publikë e private, me dëme të tilla të papara në kurriz të konsumatorit shqiptar. Sa për kompanitë e importit të karburanteve, ato që nxjerrin naftë, ato që shesin solar e mazut, nuk do të ketë e nuk ka ndonjë “siklet”. Ato e transferojnë sa hap e mbyll sytë në çmimin e produktit këtë “masakër” të rregulluar me ligj!
 
A ka dritë në fund të tunelit!
Kam mësuar se ekspertët po punojnë, jo vetëm ata të sektorit privat që janë penalizuar nga këto shifra fitimi maramendës për një shërbim që nuk ka bërë ende “hajër”, por të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe administratorët publikë. Ka ardhur kohë që edhe kontrolli i zbatimit të akteve ligjore e nënligjore të bëhet më i rreptë, të kontrollohen investimet e bëra, të kontrollohet me imtësi pagimi i detyrimeve, si dhe performance e tërë koncensionit. Mundet e ka hapësirë për të siguruar liberalizimin e këtij tregu për t’u futur në të edhe operatorë të tjerë, vendas dhe të huaj.

Ka hapësirë për të kallzuar penalisht të gjithë autorët dhe ekzekutorët e djeshëm të këtyre koncensioneve. Vetë kontrata e mësipërme është në kundërshtim të plotë me disa nga ligjet më të rëndësishme të vendit. Ajo bie ndesh me ligjin “Për Akcizat”, i cili autorizon vetë shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit, importimit apo tregtimit të karburanteve të kryejnë vetë markimin/shenjimin e karburanteve, veprim që mund të kryhet në magazinat fiskale të shoqërive (neni 54&55 i ligjit nr 61/2012 “Për Akcizat në RSH”).

Po ashtu VKM nr 612, datë 05.09.2012 “Për dispozitat zbatuese të Ligjit për Akcizat (neni 103-109) përcakton se procedura e shënjimit kryhet nga vetë shoqëritë, që kanë licensë dhe status për këtë gjë.

Eshtë shkelur ligji “Për koncensionet”, duke shmangur ministrinë e linjës, atë të Ekonomisë, e cila duhet të ishte autoriteti kontraktor dhe jo Ministria e Financave. Eshtë nënshkruar kjo kontratë koncensionare, e cila bie ndesh edhe me VKM nr 170, datë 29.03.2007, që nuk është shfuqizuar ende! Kjo rrumpallë, shkon deri në kundërshtimin e hapur të ligjit antimonopol. (Ligji për “Konkurrencën”, neni 9).

Ka edhe më! Kontrata është në kundërshtim të hapur me legjislacionin e vendeve të BE-së, MSA dhe marrëveshjet OBT-GATT. Austria, vendi nga erdhi kompania fituese, shërbimin e mësipërm ua jep vetë subjekteve që operojnë në fushën e hidrokarbureve. Italia, ku realizohet rreth 70 % e importit të vendeve të Bashkimit Europian, ka një zgjidhje më të thjeshtë: Agjencia doganore e shtetit Italian përcakton, për operacionet e denatyrimit të produkteve energjetike, vetëm normat e standardet dhe jo kompani që kryejnë këtë proces!
 
E fundit, jo për nga rëndësia!
Edhe nëse kompania koncensionare kanadeze i “ka kopsitur” të gjitha “kartat”, në fund të ditës, çfarë i është ofruar shtetit, qeverisë, konsumatorëve? Ka cilësi me të mirë në treg? Ka peshëmajtje të saktë? Ka korrupsion në doganë? Ka zhdoganim pa paguar? Asgjë e tillë nuk evidentohet në këtë koncension, të paktën prej gushtit të vitit të kaluar! Nuk ka asnjë të kallzuar për abuzim? Apo ka? Ku është ky operator, ku i është shënuar emri, sa është gjoba që ka marrë?

Një kompani e huaj, sipas Kushtetutës, nuk mund të vendosë gjoba, por koncensionari ynë nuk ka publikuar asgjë lidhur me punën e “dhuruar” nga qeveria e mëparshme! Kjo, po, mund e duhet të përbëjë një kusht për ta investiguar koncensionin, nëse dikush mendon se kontratës “i shkon anës”. Kurrë mos thuaj kurrë- thuhet në këto raste! Jo për t’i hapur luftë koncensionit dhe koncensionarit, por për t’i ofruar tregut mundësi për kontroll rigoroz, cilësi të produktit, kosto të ulët të shërbimit. Kaq!

Shkrimi u publikua sot (13.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Sot finalja e Superkupës së Spanjës dhuron një 'El Clasico', formacionet zyrtare të Real Madrid - Barcelona! Flick ka gati Olmon

Sot finalja e Superkupës së Spanjës dhuron një 'El Clasico', formacionet zyrtare të Real Madrid - Barcelona! Flick ka gati Olmon