Vjen në shqip “Djemtë e pashëm”
i Delphine de Vigan

Vjen në shqip “Djemtë e pashëm”<br />i Delphine de Vigan
Ndoshta Ema, me naivitetin dhe ëndrrat e saj, përfaqëson të gjitha gratë e dashuruara, të braktisura, të zhgënjyera dhe sërish shpresëplota. Ky është filli intrigues që të detyron të lexosh librin “Djemtë e pashëm”, në  origjinal titullohet “Les jolis garcons” të autores Delphine de Vigan. Romani është përkthyer nga Edit Dibra dhe ka dalë në dritën e botimit nga shtëpia botuese Pegi. Ky libër tregon sesi dëshpërimi për dashuri, të bën ta shohësh dashurinë gjithandej, edhe në vendet e njerëzit më të paimagjinueshëm.

Ja çfarë i ndodh Emës, një vajze në moshë të madhe, me këmbë të gjata, e ëmbël dhe ëndërruese. Është një personazh që vishet çuditshëm dhe që ka lexuar libra me tepri dhe që ka parë shumë filma. Kjo e ka bërë atë që gjithmonë të ëndërrojë një lloj dashurie që vjen si ëndërr dhe që shpiket nga e para, sa herë që përjetohet. “Djemtë e pashëm” qëndron midis një romani dhe një përmbledhjeje tregimesh: vepra përbëhet nga tri histori, tre burra, tri çaste të jetës së Emës.

I pari, Mark Stivensoni, është një avokat i njohur, i përpiktë, i përkryer deri në bezdi. Pasioni që ai i shkakton asaj, është përpirës, fiksues dhe e çon Emën në kufijtë e çmendurisë. I dyti quhet Etan Kastor, një shkrimtar, i martuar, i errët dhe tërheqës, i cili jeton në heshtje dhe kërkon një rrugëdalje. Takimi i tyre, shqetësues, i hareshëm dhe erotik, zgjat pak, por do të ketë jehonë të gjatë. Mashkulli i fundit, Milan Mikaev është një prezantues televiziv, egocentrik, i paparashikueshëm, çarmatosës me narcizmin dhe papërgjegjësinë e tij. Për herë të parë Ema e lë veten të humbasë në trillin e tjetrit dhe bashkimi i tyre shkon drejt një aventure mediatike përçudnuese. Sa herë duhet përsëritur përralla për të arritur zhbërjen e saj? A jemi vërtet të dënuar të përjetojmë pambarimisht të njëjtin iluzion, të njëjtin zhgënjim?

A nuk është ndoshta takimi i tjetrit vetëm një trillim? Kritika për këtë roman shprehet se “Si të gjitha gratë, personazhi i Delphine de Vigan-it është një Hirushe që ëndërron, dhe këtë ajo e shpall pa drojë pasi “vetëm dashuria rrëmben, pushton, përmbys dhe asgjë tjetër s’ia vlen para saj. Interesante është mbresa e parë pas daljes në shtyp të këtij libri në “Le Figaro littéraire”, ku shkruhet se “Djemtë e pashëm” tregon disa histori dashurie të pambaruara, pak të zhgënjyera, por të shijshme. Ndërsa “ Le monde des livre” jep një vështrim psikologjik rreth personazhit të këtij libei, dhe mes të tjerash shkruan se “Ajo quhet Ema, ajo është e bukur, por e çmendur.

E hedhur sa andej-këndej sipas dëshirës së rastit, ajo kapet pas burrave që kalojnë, thjesht. Ajo çik me duar epidermat mashkullore si një mur, duke kërkuar daljen. Tri portrete burrash, tri takime, tri shije, tri dashuri më shumë të ëndërruara, sesa të jetuara... dhe Ema që tregon "unin" e një gruaje. “Sa herë duhet të luajmë lojën para se të heqim dorë?” – e pyet ajo veten... Ekziston vërtet dashuria, apo nuk është veçse një ëndërr, një trillim që na lejon të vazhdojmë jetën?”

Autorja e librit përmes aventurave të personazhit hedh më tepër dritë për të kuptuar dashurinë e vërtetë. Delphine de Vigan është autorja e mirënjohur e bestsellerave “No et moi”, “Rien ne s’oppose à la nuit” dhe “Les Heures souterraines” të përkthyer në mbarë botën. Ajo është autore e shtatë romaneve, falë të cilave ka fituar shtatë çmime të ndryshme letrare, midis të cilave çmimin “Renaudot des lycéens” (2011), çmimin “Fnac” (2011) dhe Çmimin e librarëve (2009). Autorja ishte gjithashtu një nga finalistët e çmimit “Goncourt” në vitin 2009.
 
“Djemtë e pashëm”, në shqip me Koleksionin Lotus
 
Koleksioni Lotus është pjesë e një projekti të miratuar dhe të mbështetur nga Komuniteti Evropian, falë të cilit Botimet Pegi do të botojnë një sërë titujsh nga letërsia europiane që mund të titullohej “Histori nga femrat, për femrat dhe nga pikëpamja femërore”. Shkrimtaret e këtij koleksioni, me anë të krijimtarisë së tyre, do të mbulojnë aspekte të ndryshme të debatit mbi emancipimin e grave, si për shembull, rolet tradicionale (“Natë e ditë” dhe “Persepolis”), përgjegjësia mëmësore (“Shalli andaluzian”), kërkimi i një identiteti femëror (“Djemtë e pashëm” dhe “Rebeka”), etj.

Këta tituj janë hapi i parë drejt një koleksioni që ka ambicien të ilustrojë temat e shumta që lidhen me feminizmin. Një nga zhvillimet më të rëndësishme të shekullit të fundit ka qenë lëvizja e femrave për emancipim, që në mënyrë të përgjithshme është quajtur “feminizëm”. Debatet e ndryshe, mbi kushtet e punës së femrës, mbi rënien e numrit të lindjeve dhe mbi rritjen e divorceve janë të pranishëm në pothuajse të gjitha shtetet europiane. Shkrimtaret, me vështrimin e tyre të pamëshirshëm, kanë pasur gjithmonë një rol të veçantë në këto debate. Me nisjen e një koleksioni librash të quajtur Lotus, si lulja që personifikon një idealizim të femrës, botuesit e “Pegit” kanë për qëllim të nis një debat të ngjashëm në shoqërinë shqiptare.
 
 
 Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!