Vjena nderon regjisoren e madhe shqiptare, Xhanfise Keko

Vjena nderon regjisoren e madhe shqiptare, Xhanfise Keko

Institucioni më prestigjioz në Austri, Wiena Film Museum, ka zhvilluar aktivitetin “Tribute to Xhanfise Keko”-(Nderim për Xhanfise Kekon), dedikuar regjisores së madhe shqiptare. Aktiviteti është mbajtur në 1 dhe 2 maj. Si asnjëherë deri më sot, institucioni më prestigjioz i kinemasë austriake, i dedikohet artit të  regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Dhe nderimi për regjisoren shqiptare ishte maksimal. Në dy ditë, u shfaqën për specialistët e kinemasë, gazetarët dhe publikun, jo pak, por katër filma: “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur xhirohej një film”, filma këta që mbajnë firmën e regjisores së mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko. Ishin një befasi e bukur. Të pranishmit dhe organizatorët nuk e fshehën kënaqësinë e prezantimit me sukses të një kinemaje dhe autore të panjohur deri më sot në Austri.

Sigurisht, cv artistike e regjisores, hapja e dyerve filmave të regjisores shqiptare nga British Film Institute – BFI ( Britani e Madhe ), George Eastman Museum ( USA ), Danish Film Institute – DFI ( Danimarkë ); prezantimet e tyre në festivale dhe aktivitete ndërkombëtare filmi në Londër, Belfast, Glasgow, Edinburg, Cambridge, Washington DC, New York, Hartford, Çikago, Rochester, Paris, Zagreb, Tel Aviv, Jerusalem, Haifa; shfaqja e filmit “Tomka dhe shokët e tij” gjashtë muaj me të drejta të plota në gjithë territorin e SHBA, Kanada e Porto Riko nga Filmstruck, e cila si platformë VOD prezanton vetëm mjeshtërit klasikë të kinematografisë botërore, apo, një vit në nëntëmbëdhjetë qytete të Britanisë së Madhe; shkrimet, analizat dhe vlerësimet për krijimtarinë dhe individualitetin e saj artistik nga specialistë të huaj të kinemasë europiane e amerikane, botuar në revistat më prestigjioze të kinemasë botërore si “Variaty”, “Sight and Sound” e shumë të tjera, veçanërisht këto dhjetë vitet e fundit, nuk ishin të panjohura për kuratorin e aktivitetit Jurij Meden. Janë këto info që e bënë atë të guxojë dhe futë në kalendarin e Wiena Film Museum për muajin maj autoren shqiptare me shënimin përcjellës...

Wiena film museum 

“Regjisorja shqiptare Xhanfise Keko përdorte zhanrin e filmit për fëmijë për të shprehur mendime personale, gjë e cila nuk pasqyrohej në veprat e bashkëkohësve të saj”. Më pas, në një prej netëve prezantuese, ai do të shprehej publikisht...

“Njëzet e shtatë vjet pas përmbysjes së diktaturës misterioze të izolimit të Shqipërisë, pak dihet për kinemanë e këtij vendi të Evropës Juglindore. Udhëheqësi i tij absolutist Enver Hoxha vendosi kufizime Orëelliane në lejet e udhëtimit, bashkësive fetare, madje edhe në vënien e emrave myslimanë apo të krishterë të fëmijëve. Përkundër censurës së rreptë, Xhanfise Keko e cila në vitin 1950, kur Shqipëria ishte një satelit stalinist, u specializua për filmin dokumentar në Moskë dhe pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe aleancës së saj të papritur me Kinën Maoiste, kaloi një dekadë duke filmuar dhe montuar kronika të panumërta me parada ushtarake dhe konferenca të Partisë Komuniste, nga viti 1971 deri në vitin 1984, realizoi një seri të jashtëzakonshme me filma artistikë, ku luajnë fëmijë shumë të natyrshëm dhe duke krijuar një pasuri me talente të reja”.

Të pranishmit i përshëndeti në hapje të aktivitetit dhe z. Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë në Austri. Në fjalën e tij ai falënderoi organizatoret për nderimin që i bën institucioni më i rëndësishëm kinematografik i Austrisë gjithë kinemasë shqiptare përmes figurës së regjisores Xhanfise Keko, e cila mbetet një ndër emrat e shquar të saj... Kontribut në këtë rast pati edhe drejtoresha e AQSHF, Iris Elezi, e cila me përkushtim, dashuri e profesionalizëm arriti ta prezantojë denjësisht kinemanë shqiptare në këtë event, jo të zakonshëm. “Udhëtimet dhe zbulimet e jashtëzakonshme të Xhanfise Kekos në jetën e fëmijëve i siguruan regjisores shqiptare një vend qendror në kinemanë e vendit të saj ende të pazbuluar...”, tha ndër të tjera Elezi. Dhe, kjo është një e vërtetë e madhe.

Iris Elezi

Tashmë prej afro dhjetë vitesh, Xhanfise Keko është një emër i njohur edhe ndërkombëtarisht. Pas prezantimit në vitin 2012 nga një prej kritikëve dhe njohësve më të mirë të kinemasë botërore si dhe realizuesi i dokumentarit më të mirë deri sot mbi historinë e kinemasë botërore, britaniku Mark Cousins, në dokumentarin “Here be Dragons”( “Këtu ka Dragonj” ), shfaqur fillimisht në Londër në vitin 2013, ku ai u ndal veçmas në këtë figurë të kinemasë shqiptare, të panjohur e të pavlerësuar deri atë kohë nga kritika ndërkombëtare, ishte radha... Një vit më pas, po Mark Cousins, mes 70 filmave nga e gjithë bota e të të gjitha kohërave, përzgjedh dy filma shqiptarë dhe të të njëjtës regjisore, Xhanfise Keko për t’i bërë pjesë të analizës dhe vlerësimit në dokumentarin “Story of Film and Children” ( “Historia e fëmijëve dhe filmi” ), premiera e të cilit ishte në Festivalin e Kanës në vitin 2014 e që u shfaq më pas në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare të filmit në gjithë botën. Do të kalonin disa vite dhe Mark Cousins, e bën pjesë, këtë herë të dokumentarit “Wamen Make Film” ( “Gratë bëjnë film” ), prezantuar fillimisht në Festivalin e Venecias në vitin 2018, një film ky mbi historinë e kinemasë botërore nga autoret femra dhe që kishte për narratore figura të ekranit botëror si Tilda Swinton, Jane Fonda, Anxheline Jolie, etj, e ku në tre segmente të tij ai fokusohet edhe tek krijimtaria e regjisores shqiptare Xhanfise Keko.

Tomka dhe shokët e tij, 1977, Xhanfise Keko

Viena ishte stacioni i radhës së regjisores Xhanfise Keko për vitin 2019. Disa ditë më parë, ajo ishte pjesë e retrospektivës së filmit shqiptar në Festivalin e Filmit në Linz ( Austri ) me tre filma, e pas disa ditësh do të jetë pjesë e programit të kinemasë ballkanike në Festivalin e Filmit në Zlin (Çeki) me dy filma. Dhe, viti për të nuk mbyllet këtu. Shtatori do të ofrojë surpriza të tjera të bukura. Por, deri atëherë, ka kohë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kinooperatori: 04/05/2019 09:50

    Ndersa ne Kinostudion "Shqiperia e Re" ne vend qe ta ruanim si ikone te filmit e shkaterruam dhe jo vetem kaq por po behet thirtje per te ndaluar me ligj transmetimin e filmave shqiptsre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë