Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani është infektuar me COVID-19, lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo, përmes një postimi në Facebook, ku tregoi se pasi kishte pasur kontakt me disa të afërm pozitiv me Covid-19, ajo kishte rezultuar pozitive.
“Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv. Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, tha Osmani.
Në fjalën e saj ajo në fjalën e saj u bëri thirrje të gjithëve të respektojnë masat e sigurisë dhe të tregohen të kujdesshëm.
Pas njoftimit të Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, se ka rezultuar pozitive me COVID-19, ka reaguar Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili i ka uruar shërim sa më të shpejtë.
Në një letër drejtuar Osmanit, Ruçi shkruan se ajo është prekur me COVID një ditë përpara se të vinte në Tiranë.
“E dashur Vjosa, mësova lajmin se sot keni rezultuar pozitive me Covid-19. Ju uroj ta kaloni sa më shpejt dhe sa më lehtëkëtë sëmundje, e cila prej gati një viti po rrezikon jetët njerëzore në mbarë botën.
Prekja nga Covid-19 ndodhi pikërisht një ditë para vizitës Tuaj të planifikuar në Tiranë. Duke përsëritur dëshirën time për një shërim të shpejtë, uroj më të mirën për Ju, familjen tuaj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës.
Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet pranë dhe në mbështetje të Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të saj”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.