Qeveria do të japë 10 mln euro nga buxheti i vitit 2025 për procesin e rindërtimit në disa bashki të vendit, duke përfshirë ndërtimin e shtëpive për familjet e prekura nga tërmeti, si dhe rindërtimin e shkollave dhe institucioneve arsimore.

Konkretisht, Këshilli i Ministrave ka vendosur të japë 37.2 milionë lekë nga fondi i rindërtimit për Bashkinë Shijak, për të financuar rindërtimin e banesave. Bëhet fjalë për familje që janë përfituese të granteve të rindërtimit dhe kanë banesa të klasifikuara si të pabanueshme, sipas aktekspertizave të kryera.

Paratë do të jepen nga fondi i rindërtimit për vitin 2025 dhe do t’i kalojnë Bashkisë Shijak në formë transfere.

Ndërsa në Krujë janë miratuar 315.4 milionë lekë për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj”. Nga buxheti i vitit 2025, Bashkisë Krujë do t’i transferohen fillimisht 63 milionë lekë si fond i pakushtëzuar.

Po ashtu, qeveria ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në vendimin për fondin e rindërtimit në Bashkinë Kavajë, duke vendosur të transferojë rreth 161 milionë lekë nga buxheti i vitit 2025 për rindërtimin e dy objekteve arsimore. Fondet do të përdoren për rindërtimin e kopshtit/çerdhes në fshatin Luz i Vogël dhe për rindërtimin e kopshtit/çerdhes në Golem.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka vendosur që nga buxheti i vitit 2025 të përdoren mbi 501 milionë lekë nga fondi i rindërtimit për financimin e rindërtimit të banesave individuale në bashkitë Durrës, Shijak, Krujë dhe Vorë.

Bashkisë Durrës do t’i transferohen 136.6 milionë lekë pa TVSH, Bashkisë Shijak 46.6 milionë lekë pa TVSH, Bashkisë Krujë 177.8 milionë lekë pa TVSH dhe Bashkisë Vorë 140.7 milionë lekë pa TVSH.