Vllaznia e mbylli sezonin e rregullt të Superligës në vendin e parë pas fitores 2-0 kundër Flamurtarit, por titulli kampion ende duhet të presi pasi në vijim është ‘final-four’.

“Unë i përgëzoj djemtë sepse nëse do isha në vend të dytë do më vinte keq. Në shumicën e kampionatit kemi bërë lojëra të mira pavarësisht oshilacioneve dhe dëmtimeve që kemi patur,”-u shpreh Edi Martini.

Për trajnerin e shkodranëve sezoni duhet të përfundonte pas 36 javësh, pa skemën e ‘final-four’.

“Po them një kampionat i stërgjatur, i stërmundimshëm dhe stresi prek majat,”-tha trajneri i Vllaznisë.

Me formulën e përgjysmimit të pikëve Vllaznia e nis ‘final-four’ me pikë të barabarta me Elbasanin, 31, ndërsa Egnatia ka 28 dhe Dinamo 24. ‘nëndetësja’ sipas Martinit, pavarësisht pjesmarrjes e ka të pamundur të luftojë për titullin.

“Jemi me pikë të Barabara me Elbasanin. Egnatia është vetëm 3 pikë pas. Janë 3 ekipe në garë për titull. Është ‘final-four’ shumë i fortë dhe duhet të kemi kujdes sepse fillon kampionati me zero,”-deklaroi Martini.

Si vendi i parë në përfundim të sezonit të rregullt Vllaznia mori 10 milionë lekë shpërblim nga FSHF-ja, ndërsa do të jetë skuadra e parë që zbret në fushë për skemën e ‘final-four’. Të 4 skuadrat pjesmarrëse do të luajnë nga 3 ndeshje secila me 3 rivalët e tjerë.

Më 16 maj Vllaznia sfidohet nga Dinamo, ndërsa më 17 maj Elbasani luan kundër Dinamos. Në javën e dytë, konkretisht më 23 maj luhet Vllaznia-Egnatia, ndërsa më 24 maj Elbasani-Dinamo. Java e 3, që është edhe e fundit, nis me 29 maj me sfidën Egnatia-Dinamo, ndërsa mbyllet me 31 maj me duelin Vllaznia-Elbani. Të 6 ndeshjet do të luhet në stadiumin Air Albania në orën 19:00.