Defekti i rëndë në tubacionin kryesor 1000 mm, i cili la qytetin e Vlorës pa ujë të pijshëm për pesë ditë me radhë, nuk do të mbetet pa pasoja dhe nuk do të kalojë në heshtje nga institucionet përgjegjëse. Pasojat e ndërprerjes së furnizimit me ujë preken mijëra familje, biznese dhe institucione publike, duke krijuar një situatë të papranueshme për një qytet turistik dhe qendër urbane si Vlora.

Sipas informacioneve të siguruara, organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet e para lidhur me këtë ngjarje. Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi defekti, për të dokumentuar me saktësi momentin, rrethanat dhe çdo element që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Këto pamje pritet t’i referohen Prokurorisë.

Burime nga Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se çështja pritet të regjistrohet zyrtarisht për hetim, ndërsa fokusi do të jetë jo vetëm te shkaku teknik i defektit, por edhe te mënyra se si është menaxhuar rrjeti i ujësjellësit dhe përgjegjësitë institucionale për mirëmbajtjen e tij. Hetimi do të synojë të përcaktojë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.

Ndërprerja e furnizimit me ujë për pesë ditë solli  reagime të forta nga qytetarët, të cilët u përballën me vështirësi serioze në përditshmëri. Kjo problematikë nxiti gjithashtu dhe protesta të forta nga qytetarët, të cilët mësynë në mbrëmjen gala të organizuar nga bashkia, e ndërsa ditën e nesërme në përpara bashkisë duke kërkuar zgjidhje. Defekti u rregullua ditën e 5-të të Vlorës pa ujë pasi nga Turqia u porosit pajisja e nevojshme për të riparuar defektin.