Vlorë, 27 janar/ATSH-Harilla Koçi/.- Në analizën vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që u zhvillua gjate dy diteve në qytetin e Vlorës, u përcaktuan mes të tjerash treguesit kryesorë të punës dhe aktivitetit të këtij institucioni gjatë 2014, ndërkohë që janë evidentuar faktorët që kanë ndikuar apo që do të ndikojnë në rritjen dhe përmirësimin e performancës për vitet në vazhdim.
Në këtë analizë u theksua se, gjatë vitit 2014, është arritur një ekuilibër midis parandalimit të shkeljeve dhe marrjes së masave ndëshkimore nga njera anë dhe inkurajimit të vlerave të integritetit nga ana tjetër. Në lidhje me masat ndëshkimore, veprimtaria e KLSH-së u përqëndrua në drejtim të zbulimit, hetimit dhe ndëshkimit të shkeljeve. Gjatë vitit 2014, KLSH realizoi 160 auditime, krahasuar me 153 auditime që u kryen gjatë vitit paraardhës, ose 4.8 për qind më shumë, ndërkohë që janë në proces mbi 28 auditime të tjera, që do të përfundojnë brenda 3 mujorit të parë të këtij viti. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar, KLSH zbuloi një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit, në vlerën e 11.2 miliardë lekëve, ose rreth 80 milionë euro, duke kërkuar edhe shpërblimin, ose arkëtimin e këtij dëmi në masën e 99 për qind të tij.
Duke u ndaluar në dinamikën e aktivitetit të këtij institucioni, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, theksoi se, dëmi ekonomik i zbuluar në 3 vite, 2012-2014, është rreth 3.8 herë më i lartë se vlera e zbuluar në periudhën 3 vjeçare paraardhëse 2009-2011. Nisur nga kjo, Leskaj u shpreh se, treguesi i efiçencës së institucionit është 38 lekë, zbuluar si dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe kërkuar për arkëtim, për çdo lek të harxhuar nga KLSH gjatë vitit në fjalë, çka, dëshmon për dobinë e lartë të aktivitetit auditues. Nga ana tjetër, ky tregues për 3 vitet e fundit është 2.6 herë më i lartë, krahasuar me periudhën 3 vjeçare paraardhëse 2009-2011.
Në fjalën e vet në këtë analizë, Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, u ndal edhe në aspektë të tjera të aktivitetit të këtij institucioni, që lidhen me marrëdhëniet dhe raportet me institucione të tjera të shtetit. Leskaj nënvizoi se gjatë vitit të kaluar, KLSH propozoi ndryshime kushtetuese, mes të cilave krijimin e Këshillit Fiskal me statusin e një autoriteti të pavarur, i cili duhet t'i raportojë Kuvendit të Shqipërisë për të kryer oponenca të politikave fiskale, pa ndikime të politikës. Nga ana tjetër, sipas tij, KLSH ka rekomanduar që Ministria e Financave të hartojë një kuadër rregullator fiskal që të synojë reduktimin e nivelit të borxhit publik brenda një periudhe të përcaktuar kohore dhe sigurimin e një qëndrueshmërie afatgjatë të këtij borxhi.
Po ashtu, në vazhdën e propozimeve, KLSH ka kërkuar që gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e këtij institucioni, të jenë pjesë përbërëse e planit të veprimit dhe aktiviteteve kryesore në kuadrin e implementimit të strategjisë së financave publike 2014-2020. Është kërkuar gjithashtu përcaktimi në Ligjin Organik "Për Buxhetin" përdorimi i 50 për qind të të ardhurave nga privatizimi për uljen e borxhit publik dhe 20 për qind për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, është kërkuar gjithashtu që të jetë Kuvendi i Shqipërisë ai që duhet të përcaktojë përdorimin e fondit të kontigjencës etj.
Në analizën vjetore, që u zhvillua në mjediset e Universitetit "Ismail Qemali", me praninë edhe të studentëve dhe pedagogëve të këtij institucioni të arsimit të lartë në qytetin e Vlorës, u nënvizua se, gjatë tre viteve të fundit, në KLSH është çrrënjosur praktika e mosndëshkueshmërisë. Kështu, për çdo shkelje të integritetit të zbuluar dhe hetuar, janë ndërmarrë masa ndëshkimore deri në ndjekje penale për ish auditues. Kjo praktikë, është ndjekur dhe do të vazhdojë të ndiqet me rigorozitet, pasi, mosndëshkueshmëria sjell dëme të pariparueshme për institucionin e KLSH-së dhe humbjen e kredibilitetit institucional në përgjithësi dhe të besimit të publikut ndaj tij, në veçanti. Nën këtë këndvështrim, gjatë vitit 2014, vetëm për çështje të integritetit, u larguan nga puna 4 auditues të KLSH-së.
Në këtë analizë, që sipas drejtuesve të KLSH-së, u zhvillua nën një këndvështrim të ri, nën frymën e Metodologjisë INTOSaint (Metoda e Vetëvlerësimit të Integritetit për Institucionet Supreme të Auditimit), prof.dr.Jorgji Bollano, kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, foli për kontrollin e cilësisë në të ftohtë, ndërkohë që prof.asc.dr.Sazan Guri, u ndal në prezantimin e procesit të "Mini Peer-revieew", mbi zbatimin e ligjshmërisë në rekrutimin e stafit të KLSH-së, ndërsa prof.dr.Skënder Osmani, u ndal tek fazistika në analizën e riskut etj.
Analiza dyditore e KLSH-së, u shoqërua edhe me aktivitete të tjera, siç ishte ceremonia e zhvilluar në mjediset e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, ku kryetari Bujar Leskaj, dhuroi një bocet të shtatores së Ismail Qemalit, vepër e Skulptorit të Popullit, Muntaz Dhrami. /a.ke/