Vlorë - Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës pas një konflikti të ndodhur me një 30-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se sherri është regjistruar një ditë më parë në një lokal në lagjen ‘Uji i Ftohtë’.
Gjatë kontrollit blutë i sekuestruan edhe një pistoletë me krehër me fishekë.
Njoftimi i plotë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në ambientet e një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë”, kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u kap shtetasi A. Sh., i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të fshehë në një lulishte, armën e zjarrit pistoletë që mbante me vete.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ishte konfliktuar me shtetasin B. J., 30 vjeç, banues në Vlorë, në ambientet e një lokali, për motive të dobëta.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. Sh., 39 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua në flagrancë, ndërsa pistoleta me municion u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente








