Vota e Diasporës/ Celibashi: Patenta italiane s’e përmban adresën, mos e ngarkoni! S’vlejnë as leja e qëndrimit, faturat e dyqaneve apo screenshot të Google

Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ, në komunikim live me Diasporën

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i është përgjigjur pyetjeve të Diasporës ditën e sotme (21 Janar) në një konferencë të mbajtur live në Facebook.

Shqetësimet e emigrantëve shqiptarë nga të gjitha vendet e botës ishin nga më të ndryshmet dhe kryesisht ajo që ka të bëjë me dokumentin e identifikimit që duhet përdorur për regjistrim dhe adresa e banimit ku do shkojë fleta e votimit.

Një nga pyetjet interesante ishte edhe ajo se ‘patentat italiane nuk e përmbajnë adresën e banimit’. 

“Nuk duhet ta ngarkoni këtë dokument. Ngarkoni një dokument që përmban adresën”, ishte përgjigja e Celibashit, duke lënë të kuptohet edhe një herë se adresa duhet patjetër e saktë e personit që aplikon apo regjistrohet në KQZ.

Gjithashtu ai shpjegoi se dokumentet e ngarkuara në sistem duhet të jenë dokumente të lëshuara nga shteti ku kanë vendbanimin apo vendqëndrimin, me qëllim për të vërtetuar adresën e tyre. 

Pyetjes “Pse nuk pranoni screenshot të Google Map?”, ai iu përgjigj:

“Nuk është dokument. Duhet një dokument që përmban emrin tuaj dhe adresën që ju keni deklaruar. Çfarëdolloj dokumenti që i ka të dyja këto”. 

Kurse për refuzimin e ngarkimit të lejes së qëndrimit nga KQZ, kreu i institucionit shpjegoi se “ai tregon që ju jeni legal në shtetin ku qëndroni, por ai nuk përmban adresën ku ne do t’ju dërgojmë fletën e votimit. Duhet vërtetuar me çfarëdolloj dokumenti që ju posedoni”. 

Celibashi dha edhe orientime që emigrantët të verifikojnë mesazhet që u vijnë për përgjigjet apo të hyjnë në PER dhe ta shikojnë sqarimin nëse janë refuzuar, duke komunikuar edhe me sistemin e ndihmës. 

Një qytetar e pyeste se ndodhej në SHBA dhe ‘nuk po i pranohej numri personal’. 

“E çuditshme të ndodhë. Kemi në database çdo qytetar shqiptar. Ngarkoni numrin personal shqiptar, por jo atë amerikan, si Social Security Number që lëshon SHBA. Ai nuk vlen për këtë proces”, shpjegoi kreu i KQZ. 

Ai shtoi se edhe vërtetimi i lëshuar nga personi që i strehon emigrantët vlente dhe mund ta bashkëlidhnin. Por tha se nuk mund të pranohen zarfet që përmbajnë adresën në vetvete. Po kështu nuk vlente as fatura e blerjes së produkteve, sepse ishin thjesht të lëshuara nga dyqanet për shërbime të ndryshme.

“KUJDES: Dokumenti të përmbajë adresën që ju deklaroni dhe të ketë edhe emrin tuaj. Të jetë i ngarkuar qartë që të kuptohen dhe lexohen të dhënat. Linjat e ndihmës së KQZ janë në dispozicion”, përfundon në sqaron KQZ-ja për këtë proces.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet/ Celibashi i flet diasporës: Nuk pranohen dokumentet e huaja identifikuese, fletët e votimit ju vijnë javën e dytë të prillit! Kujdes këto gabime


A.Q/A.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 21 Janar, 08:38

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Politikani gjerman i surprizon të gjithë, taktikë për të marrë votat e shqiptarëve: Kam vendosur të mësoj shqip! BILD: S'ka ndodhur kurrë më parë

Politikani gjerman i surprizon të gjithë, taktikë për të marrë votat e shqiptarëve: Kam vendosur të mësoj shqip! BILD: S'ka ndodhur kurrë më parë