TIRANË- Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pas hetimeve të kryera, ka dalë në përfundimin se polici që vrau 25-vjeçarin Klodjan Rasha, ka vepruar në shkelje të ligjit, pasi nuk ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes. SHÇBA ka zbardhur të gjithë skemën se si ka ndodhur ngjarja, për të cilën thekson se për këtë ka edhe prova filmike të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Referuar njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, atëherë kur në fuqi ishte ora policore, në rrugën “Dritan Hoxha”, ku sipas SHÇBA, Klodjan Rasha, ka kryer disa veprime të dyshimta e për pasojë patrulla e Shërbimit e përbërë nga 2 punonjës i kanë bërë thirrje që të ndalojë. Këtij urdhri, Rasha nuk i është përgjigjur, duke u larguar me vrap. Në këto kushte, 2 punonjës së Patrullës së Shërbimit kanë kërkuar përforcime, pasi sipas tyre ai kishte me vete një send në dukje armë zjarri, por duke mos e specifikuar saktësisht. Teksa Rasha po largohej me shpejtësi, ai është përballur me efektivin e policisë i cili kishte ardhur për përforcime dhe pasi nuk arriti që ta prangoste ka qëlluar në drejtim të tij. Sipas burimeve për Report Tv, Rasha është qëlluar 2 herë, një herë në shpatull dhe një herë në kokë, për pasojë gjeti vdekjen në spital.  

Nisur nga rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë dolën në përfundimin, se vrasja nuk ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes.

"Gjatë hetimeve paraprake, si kqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K.R., grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H. Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme", thuhet në njoftimin zyrtar.

Përveç pamjeve filmike, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë, dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë. Për pasojë, polici është arrestuar ndaj të cilit rëndon akuza për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Në fund, reagimin zyrtar SHÇBA e mbyll me ngushëllimet familjes, duke theksuar se "do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet". 

Sipas fqinjëve dhe familjarëve i riu kishte probleme psikologjike. Xhaxhai i 25 vjeçarit Hasan Rasha ka deklaruar se ai kishte dalë për të pirë një kafe. Sipas tij, i riu nuk ka pasur armë me vete në momentin që është vrarë. Më tej, xhaxhai shtoi se familjarët fillimisht janë lajmëruar se ka ndodhur aksident, më pas se është arrestuar, por në fund u thanë se 25 vjeçari ishte vrarë. Më parë 25 vjeçari ka qenë i sëmurë, por sipas Xhaxhait pasi është kuruar me ilaçe për nerva dhe është shtruar, nuk ka shfaqur më probleme. Ndërkaq 25 vjeçari rezulton të jetë një person me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2016 është dënuar për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë. Në këtë vit ka plagosur një person me kaçavidë.  

Referuar dëshmisë që Report Tv ka zbardhur, polici ka deklaruar "se nuk donte ta vriste, por ta qëllonte në pjesën e poshtme të trupit".

Deklarata e plotë e SHÇBA-së
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku humbi jetën një 25 vjeçar, specialistët e SHÇBA u angazhuan menjëherë së bashku me grupin hetimor të ngritur për këtë qëllim.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, sqarojmë se: Sot rreth orës 01:45, punonjësi i policisë N.H., efektiv i Patrullës së Policisë, gjatë shërbimit në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qëlluar me armën e shërbimit shtetasin K.R., i cili ka gjetur vdekjen në spital.

Shërbimi i Policisë i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që Patrulla të kryente verifikimin e shtetasit. Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica. Në ndjekje e sipër, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që Patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin.

Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Menjëherë pas njoftimit është formuar grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka kryer veprimet e para hetimore.

Gjatë hetimeve paraprake, si kqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K.R., grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H. Nga grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë.

Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duke përfituar nga ky komunimim publik, shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të të ndjerit dhe garantojmë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet.