Vrasja e Diana Ademit, prokuroria
nuk i jep dokumentet Gjermanisë

Vrasja e Diana Ademit, prokuroria<br />nuk i jep dokumentet Gjermanisë
Drejtësia gjermane vijon të kërkojë shpjegime për vrasjen Diana Ademit, ndërsa e quan qesharake faktin që ky krim është lënë në harresë duke u cilësuar një vrasje aksidentale. Pala gjermane ka kërkuar disa herë bashkëpunim nga drejtësia shqiptare, duke qenë në pritje të përkthimit të dokumenteve të këtij krimi. Ndërsa djali i të ndjerës në një intervistë për një media gjermane, kërkon të dijë të vërtetën e ngjarjes së 28 korrikut, ku mbeti viktimë nëna e tij. Pse e bëri vrasësi atë krim? Pse qëlloi ai nënën e tij? Dhe pse nuk është arrestuar ende? Këto janë disa nga pyetjet që rrotullohen në mendjen e Rudi D. Ademit. Djali i infermieres Diana Ademi, e cila në fund të korrikut u vra në vendlindjen e saj, ku ishte kthyer për pushime, kërkon që të zbardhet e vërteta rreth vrasjes. “E vetmja gjë që unë mund të bëj, është t’i drejtohem medias”, thotë ai. Rudi Ademi shpreson që policia të tregohet e vëmendshme dhe të shfaqë interes për këtë krim, duke arrestuar vrasësin e nënës. Njëkohësisht edhe Prokuroria e Ravensburgut ka shfaqur interes dhe kërkon të vërtetën për këtë ngjarje, ku supozimet shkojnë aq larg sa e trajtojnë këtë krim si një ngjarje aksidentale.
 
Rikthim me kallashnikov
Me datë 28 korrik në një nga plazhet e Vlorës pati një grindje të ashpër mes dy grupeve, ku u përdorën edhe armët e zjarrit. Sipas prokurorisë dhe policisë kronologjia ishte: Pesë djem të rinj kishin ngacmuar një vajzë, e cila kishte kërkuar ndihmën e vëllait. 19-vjeçari nuk arriti dot i vetëm që të përballej me djemtë, ai ngjiti shkallët dhe u largua për tu rikthyer sërish me shokët e tij dhe kallashnikov, duke hapur zjarr. Një goditje në kokë vrau 52-vjeçaren Diana Ademi. Nga të shtënat humbën jetën edhe dy meshkuj. Rudi Ademi ishte me shoqen e tij me pushime në Japoni, kur i mbërriti lajmi i vrasjes së mamasë së tij. “Kushëriri im bëri shumë përpjekje për të me gjetur, duke tentuar të më telefononte, por ishte e pamundur. Një ditë më vonë lexova e-mail e tij”, tregon 22-vjeçari. Shoku dhe tronditja mbërthyen të riun. Shoqja e tij u detyrua që nga Tokio ta shoqëronte në spital. Motra e shoqes së tij organizoi rikthimin me avion. Nga Mynihu kishte vetëm dy mundësi të shpejta udhëtimi për në Vlorë, ku me datë 1 gusht Diana Ademi u varros. Autoritet e policisë shqiptare lëshuan një urdhër arresti për autorin e krimit. Ndërsa për bashkëpunëtorin në këtë krim gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg. Sipas Rudi D. Ademit, hetimet për këtë çështje po ecin shumë ngadalë. Në fillim nuk pati asnjë njoftim për Ambasadën gjermane se një qytetare gjermane ishte vrarë. “Ndonëse mamaja ime kishte me vete një pasaportë gjermane. Pse nuk u njoftua menjëherë Ambasada gjermane”, kërkon shpjegim djali i viktimës. Ndërsa vetë zëdhënësi i Prokurorisë së Ravensburg, Karl Josef Diehl, nuk dinte asgjë për këtë ngjarje. Prokuroria gjermane kishte informata dhe të dhëna shumë të pakta nga autoritete shqiptare, të cilat ishin vetëm deklarata shtypi.
 
Asnjë dëshmi për vrasjen
Ndërkohë që kanë mbërritur dokumentet të mëtejshme rreth vrasjes: Raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, kopje të fotove të vendit të ngjarjes, kopje të fletëve të arrestit, protokolli i dëshmive të marra në vendin e ngjarjes. Por dokumentet duhet që të përkthehen. Vetëm atëherë prokuroria mund të bëjë një pasqyrë më të saktë dhe të vendosë rreth burimeve shtesë që duhet të dërgohen nga shteti shqiptar. Nëse kjo ngjarje do të kishte ndodhur në një shtet tjetër, përpilimi dhe dorëzimi i dokumenteve do të kishte qenë më i shpejt dhe brenda afateve. Por, Shqipëria nuk mund të krahasohet me shtete e tjera të Evropës. “Jam i kënaqur që brenda kësaj periudhe kohore kemi marrë dokumentet e kërkuara”, thotë Diehl. Punonjësit e Ambasadës gjermane në Shqipëri kanë mbajtur komunikimin me oficerë të zyrës së krimit, duke pasur një ndërlidhje për informacionin. Autoritetet gjermane janë duke dhënë kontributin e tyre në këtë çështje, në mungesë të kompetencës ligjore të policisë shqiptare në Gjermani. Për këtë arsye është ushtruar një kontroll në banesën e viktimës në Friedrichshafen, si dhe janë kontrolluar tabulatet e bisedave telefonike. “Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi ose të dhënë që ta lidh viktimën me vrasjen dhe vrasësin”, shprehet Diehl.
 
Memorial në Friedrichshafen
Në Friedrichshafen është e madhe simpatia dhe përkrahja. Në hyrje të banesës së Diana Ademit miqtë e saj dhe të afërm kanë ndërtuar një memorial të vogël, të rrethuar nga lule dhe qirinj. Ademi u shpërngul në 1997 në Gjermani së bashku me djalin e saj. Ajo ka punuar dikur si shitëse në një dyqan, i cili më pas u mbyll. Në fillim të qershorit, pas përfundimit të shkollimit, Diana hapi vetë një Atelie për veshje.
 
“Mamaja ime ishte shumë e dashuruar me modën, kreative dhe një grua e fortë”, e përshkruan Rudi Ademi. Avokati i Diana Ademit kërkon nga autoritetet shqiptare që të zhvillojnë një proces gjyqësor për ndëshkimin e kriminelëve. Një padi e ngritur në Gjermani për vrasësin nuk do të ishte një ndihmë për hetimet. Dëshmitë, materialet e gjurmëve të lëna të gjetura në vendin e krimit, janë të gjitha në Shqipëri. Sipas parimit të vendit të ngjarjes, hetimet do të zhvillohen aty ky ka ndodhur vrasja, edhe pse në këtë rast autori i krimit është në arrati. Për Diehl do të ishte e dobishme shpallja në kërkim ndërkombëtar e të arratisurit. Por, nuk ka ende ndonjë informacion nëse autoritet e policisë shqiptare kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Ndërsa ambasada është në pritje të përkthimit të dokumenteve.
 
Gërma D, është për nënën e tij
Nëse Rudit i bëhet pyetja se çfarë do të bëhet me jetën e tij tashmë, ai thotë: Unë nuk e di. Ai është tashmë një jetim. Të afërm ka vetëm në Shqipëri. Tashmë Rudi mendon të ndërpresë për një vit përgatitjet për shkollën e lartë, për t’iu rikthyer sërish përgatitjes për maturën. Gërmën D në emrin e tij e ka shtuar vetë. “Është shtuar në kujtim të mamasë sime, ajo do të vazhdojë të jetojë tek unë. Mamaja ime ishte shumë e pasionuar pas modës, kreative dhe një grua e fortë”, tregon Rudi D. Ademi.

Marrë nga "Shekulli"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca