Martina Pajollari, e akuzuar për moskallëzim krimi të vrasjes së Martin Çeços, ndodhet në arrest shtëpie prej dy javësh, kjo për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Ka qenë mbrojtja e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Martina Pajollarit, e cila ndodhej në burgun e Pojskës.

Vetëm dy muaj përpara edhe të tre të akuzuarit e tjerë u liruan nga qelia për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Në janar të këtij viti, kushërinjtë Mollaj dhe Angjo u vendosën nën masën e sigurisë së arrestit në shtëpi.

Në qershor të vitit të shkuar, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin që dënoi me 83 vite burg kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj, bariun Bleti Angjo dhe Martina Pajollarin.

Përkatësisht, Valter Mollaj u dënua 25 vite burg, Edlir Mollaj me 23 vite burg, Martina Pajollari me 20 vite burg dhe Bleti Angjo me 15 vite.

Martina Pajollari u akuzua se nxori në pritë Martin Çeçon dhe më pas nuk kallëzoi krimin.

Martin Çeço u vra në qershor të 2022, dhe trupi i tij u hodh më pas në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. 26-vjeçari dyshohet se u vra për çështje xhelozie pasi kishte krijuar lidhje dashurie me Martina Pajollarin, e cila gjithashtu ishte e lidhur me Valter Mollajn.

Kjo vrasje ka kaluar një kalvar të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe pritet që të zhvillohen seanca të tjera gjyqësore.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.