Xhino Ago dhe Kujtim Pisha, ish-ortaku dhe roja i karburantit ku u vra biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla do të dalin para gjykatës së Elbasanit më 5 dhjetor në orën 10:00 për t'u njohur me masën e sigurisë. Për Nevzat Spahon, që u arrestua një ditë më parë, nuk është caktuar ende data.
Xhino, ish ortak me Mëhallën u arrestua me akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa Kujtim Pisha, roja i karburantit "Xhaxhi Oil" u arrestua me akuzën moskallëzim krimi. 29-vjeçari nga Përrenjasi Nevzat Spaho, që u vu në pranga një ditë më parë si bashkëpunëtor, akuzohet gjthashtu për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
"Përshëndetje, për sa më sipër drejtoni kërkesë ju informojmë se nga kontrolli ushtruar në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore rezulton se, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është regjistruar kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për masat e sigurimit për shtetasit Xh. A dhe K. P. me objekt " Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi" për të cilat është caktuar seanca më datë 05.12.2025 ora 10:00. Seanca e masave të sigurimit do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në lidhje me kërkesën për shtetasin N.P. nga kërkimi në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore nuk rezulton që të jetë depozituar kërkesë në lidhje me këtë ngjarje nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për caktim mase sigurimi.", njofton gjykata.
Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”, dhe hyri në makinë. Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim.
Komente











