Familja, drejtësia, kujdesi social dhe parandalimi i kriminalitetit janë faktorët që prodhuan krimin e rënë në Lezhë një ditë më parë, ku u vra në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha. Kështu deklaroi në Report TV në 'Sot live në Shqipëri' eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuça. Sipas tij, në gjithë këto vite është ndërtuar një sistem vrasësish dhe se jemi në prag të një "bombe" sociale.

"Ne në këto vite kemi ndërtuar një sistem vrasësish, një model ku gjenerata e re rrezikon të na kthehet në vrasës, pjesëtar të bandave kriminale. Vrasësi i heshtur është paaftësia, neglizhenca, pazaret, kompromisi në polici. Disa struktura që janë të kompromentuara rëndë me krimin, sot na kanë shkaktuar një kosto shumë të madhe. Për të riun ka dështuar familja, kujdesi social, drejtësia penale, kemi probleme të rënda të drejtësisë dhe parandalimi i kriminalitetit. Këto dështuan dhe sot të gjithë jemi të rrezikuar, jemi në pragun e shpërthimit të një bombe sociale që akumulohet prej vitesh. Kemi në shoqëri modele të Toni Montanës. Janë këto që po na prodhojnë çdo ditë më shumë këto lloj personash që nuk kanë një zgjidhje, një model. I duhet vënë gishti kokës, jemi në momentin për të menduar se çfarë do ndryshojmë në këtë sistem sepse po prodhon vrasës", thotë ai.

Të dyshimtë dhe të paplotë e sheh Karamuça deklaratën e policisë mbi ngjarjen, teksa thotë është dhënë një kronologji e rregullt e ngjarjes. Ai hedh dyshime për faktin se përse kishin shkuar vetëm 4 efektivë për të asgjësuar parcelën me kanabis, në një kohë kur prezentë duhej të ishin edhe prokuroria apo edhe forca shtesë në rast të ndonjë problemi. Po ashtu eksperti evidenton edhe faktin që Aldi Rama sëbashku me shokët e tij kishin ndjekur makinën e policisë, duke theksuar se kjo është hera e parë që një gjë e tillë ndodh.

"Deklarata e Policisë është shumë e vonuar, do të duhej të kishte dalë dje, nuk e di nëse janë rregulluar gjërat, aty vetëm kronologji të rregullt të ngjarjes nuk ka. 3 policë nuk mund të shkojnë vetëm të bëjnë veprime procedurale në një parcelë me kanabis. Hera e parë që dëgjoj që bandat ndjekin policinë dhe jo policia bandat. Kjo është jologjike, nëse policia ka arritur në këtë pikë, drejtuesit duhet të japin dorëheqjen dhe të ikin me turp", shprehet ai.

Karamuça hedh akuza në drejtim të policisë, ku thotë se ka dështuar në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe shpërndarjes së drogës.

"Ne kemi një polici me dy fytyra. Disa policë janë në bashkëpunim të hapur me bandat dhe të tjerët në luftë çdo ditë me këto banda. Të parët po derdhin gjakun e kolegëve të tyre çdo ditë. Kjo deklaratë zyrtare nuk është e rregullt, ose këta kanë shkelur, ose deklarata është shkruar shkel e shko. Policia ka vite që ka dështuar në luftën kundër kultivimit dhe shpërndarjes së drogës. Duhet krijuar një Byro kombëtare kundër drogës. SHÇBA duhet të dalë si strukturë e pavarur edhe nga ministria. Duhet të bëhet një hetim i plotë, duhen parë të gjitha drejt-hijet, janë shumë gjëra për t'u zbardhur", thekson Karamuça.