Konkluzionet e ekspertëve për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, për të cilin në burg ndodhet Arbër Paplekaj, do të jepen në 24 Maj. Deri tani ekspertët kanë dalluar se pranë viktimës ka qenë edhe një qitës tjetër, dhe dy grupet kanë qëlluar njeri tjetrin me armë.

Nga ajo që kanë parë nga kamerat, ekspertët raportojnë se i pari që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka qenë Pjerin Xhuvani, dhe pranë tij ka qenë një qitës. Në seancën e radhës e cila u zhvillua në Apel, ekspertët bënë interpretimin e kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes. Viktima Xhuvani ka qenë i shoqëruar nga disa persona dhe ishte ky grup që nis shkëmbimin e zjarrit.

"Nga reagimi i të pandehurit që tërhiqet besojmë se ka identifikuar qitësa. Nga gëzhojat që kemi gjetur në vendngjarje, patjetër që Pjerin Xhuvani ka pasur në krah një qitës, jo më larg se 1-2 metra. Në rrobet e Xhuvanit janë gjetur shenja baruti por jo në duar. Kjo çon ekspertizën në përfundimin se ai nuk ka patur armë. Shenjat janë nga arma e qitësit pranë” thonë ekspertët duke komentuar veprimet e Arbër Paplekës.  

Konkulzionet e palëve do të jepen me 24 Maj. Kjo ishte hera e dytë që rindërtohej ngjarja. Më herët, Prokuroria e Elbasanit rindërtoi ngjarjen në korrik të vitit 2022, por që duket se ka lënë dyshime mbi konkluzionet. Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukturë e armatosur për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD.

Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, nisi përplasja me armë. Veç viktimës Xhuvani, të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun.

Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.