Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, të akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në vitin 2019. Çështja u shqyrtua pasi Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të dhënë më 14 qershor 2022 dhe e riktheu çështjen për rishqyrtim me një tjetër trupë gjykuese. Por gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë më 14 qershor të vitit 2022, dënimin me 25 vite burg të Tetës. 

Teta akuzohet se vëzhgonte lëvizjet e Malkos dhe ndihmoi autorët në ekzekutimin e tij. Ai u kthye në dëshmitarin kryesor pasi zbërtheu pjesë të rëndësishme të klanit Duka që organizoi vrasjen e Malkos. Të akuzuar për ngjarjen janë edhe Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj, Xhoni Nica dhe Elvis Gaçaj. Në total, SPAK ka kërkuar 157 vite burg për ta. 

Konkretisht për Leonard Dukën kërkon 32 vite burg, 25 vite për Erlis Dukën, 32 vite burg për Fatmir Hysenin, 22 vite burg për Aleksandër Manxhakun, 23 vite burg për Oltian Logën dhe 23 vite burg për Dritan Agajn.

Si ndodhi ngjarja? 

Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e "Xhamllikut" në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, kur i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Njoftimi i gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.

Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues - disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.