TIRANË- Televizioni “A1 Report” sjell edhe një herë ngjarjen e dhimbshme dhe tragjike të vrasjes së një djali 24 vjeç, volejbollistit të skuadrës së Teutës, Juxhin Guza i vrarë në vitin 2011. E ftuara për të risjell këtë histori në emisionin “Tete a Tete” të Artur Nurjas, është e ëma e djalit, Irma Guza që edhe një herë bën përgjegjës dy mjekë që nuk treguan kujdes në kurimin e të riut që kishte marrë plagë me thikë në trup.

Ajo tregon se “edhe pas dy vjet e gjysmë ngjarja tragjike është pa asnjë autor”. E ëma tregon se vrasja e djalit të saj ishte e trefishtë, “E para ata që i qëlluan, e dyta ata që ia morën jetën dhe e treta drejtësia e munguar.” 

Ndërsa rindërton ngjarjen e dhimbshme, ajo tregon se vdekja e djalit është ende pa autor. Ajo fajëson edhe një herë dy mjekë që e morën nën përgjegjësi mjekimin e tij dhe më pas e lanë mbas dore. Kur e kuptuan që jeta e të birit ishte në pikëpyetje, ajo thotë se mjekët filluan të mblidhnin çdo dokument që ishte provë kundër tyre.

“Tek e para jemi pa autor. Tek e dyta, ata që ia morën jetën. E morëm Juxhinin atë natë dhe e çuam në urgjencën e spitalit të Durrësit. Për fatin e zi të jetës së Juxhinit dhe tonin si familje,ia besuam dy mjekëve kirurgë që ishin atë natë dy mjekë-roje, Dalip Cela dhe Nyrij Qyra. 

E morën djalin, e çuan dhe mbas 20 minutash na thanë mund ta merrni djalin pas 1 orë, nuk ka asnjë problem. Të gjithë ne që ishim aty, iu lutëm mjekëve ta marrin djalin ta çojmë në Tiranë për kurim më të specializuar. 

Të marrim mjekët specialistë të fushës. Nuk ka asnjë na thanë dhe e çuan djalin në lartë, në reanimacion. Mjeket nuk u panë më, ata shkuan të flinin dhe në sallë e ndoqi një infermiere pa eksperiencë. Them pa eksperiencë sepse po ta shihte gjendjen e djalit tek koka, vetëm se i binte faqeve të djalit për të përmendur nga anestezia, në një kohë që parametrat e jetës së djalit e në monitor po përkeqësoheshin. 

Ndërkohë, që infermierja shkon dhe zgjon mjekun i cili ekzaktësisht i tha “pse nuk më zgjove më përpara”. Aty jeta e djalit tim u vu në pikëpyetje dhe këto mjekë në këto moment u munduan të zhbënin atë që bën. Të mblidhnin të gjithë dokumentacionin, çdo gjë që ishte provë kundra tyre”, tregon natën e tmerrshme, ku ndërroi jetë djali i saj 24 vjeç.

E ëma flet për një drejtësi të “munguar” dhe të “cunguar” ndërsa tregon proceset e gjata dhe të zvarritura nga drejtësia. Ajo thotë se është një gjyqtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit “e cila kur të gjitha gjërat flisnin qartë dhe pastër, u mundua të gjente hapësira korruptive për t’i nxjerrë këto mjekë dhe këto shkaktarë në gati heronj”.
 
Ajo e ka çuar çështjen ndaj gjyqtares edhe tek ish-ministri i Drejtësisë, që e kishte postuar çështjen e procesit gjyqësor tek Krimet e Rënda dhe mbas 23 qershorit nuk u dha asnjë përgjigje.
 
“Ish-ministri nuk pasi kohë të më takonte”, shprehet ajo. 

Shpresa e vetme thotë ajo ngelet qeveria e re. Guza i është drejtuar ministrit së Brendshme që ka adresuar çështjen Drejtorin e Policisë së Durrësit, të cilët sipas së ëmës së 24-vjeçait, kanë nisur punën.
 
Juxhin Guza është vrarë natën e 14 shtatorit 2011 para shtëpisë së tij, ku persona ende të panjohur e qëlluan 3 herë me thikë. Njëra prej goditjeve i ka prekur venën kryesore që i shkakoi edhe vdekjen.
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)