Report Tv ka zbardhur dëshmitë e zyrtarëve të burgut të Peqinit, pas vrasjes së Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj. Qani Muça në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk e kishte firmosur ende marrjen e detyrës si shefi i policisë së burgut. Ai thotë se prej tetorit 2022 ka mbajtur detyrën e Specialistit të Regjimit të Posaçëm “41Bis”, por drejtori i Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abria, kishte urdhëruar emërimin e tij si shefi i Policisë së Burgut.
Në dëshminë e dhënë, Muça pretendon se ka refuzuar këtë detyrë me argumentin se për arsye personale nuk është në gjendje ta kryejë këtë detyrë. Por sipas tij, drejtori i Burgut i ka thënë se duke qenë se është urdhër, ta mbulojë detyrën si shef i policisë së burgut, krahas asaj të specialistit të Regjimit të Posaçëm “41Bis”.
“Prej 17 vitesh jam pjesë e sistemit të burgjeve. Në tetor të vitit 2022 jam transferuar nga IEVP Elbasan në IEVP Peqin, me detyrë Specialist i Regjimit të Posaçëm “41Bis”. Ditën e djeshme, më datë 14.12.2023, nga Drejtori i Institucionit, Kamber Hoxha jam njohur me një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, z. Admir Abria për emërimin tim në detyrën e Shefit të Policisë së IEVP Peqin. Që në momentin e komunikimit, i kam deklaruar Drejtorit të Institucionit se nuk jam pyetur dhe as nuk më është marrë mendimi për t’u emëruar në këtë detyrë dhe se për arsye personale nuk mendoj se jam në gjendje ta kryej këtë detyrë dhe nuk do të pranoj marrjen e saj. Nga ana e Drejtorit të Institucionit mu tha që meqenëse ka dalë urdhrin i Drejtorit të Përgjithshëm dhe aktualisht nuk kemi tjetër njeri për ta caktuar në këtë detyrë, përpiqu ta mbulosh kryerjen e kësaj detyre, krahas detyrës tënde funksionale, derisa të zgjidhet ky problem me instancat e emërtesës. Kështu që, nga dita e djeshme, krahas detyrës time funksionale si specialist i regjimit të posaçëm, i cili në këtë institucion mbulon edhe detyrën e specialistit të paraburgimit, jam përpjekur të mbuloj edhe detyrën e Shefit të Policisë", ka dëshmuar ai.
Po ashtu, Qani Muça ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur vrasja, 15 dhjetor, ka qenë për inspektim në burgun e sigurisë së lartë edhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, të cilit po ashtu i ka thënë se nuk është në gjendje të kryejë detyrën si shef i policisë së burgut.
"Theksoj se gjatë ditës së djeshme në këtë institucion ka ardhur për inspektim Drejtori i Policisë së Burgjeve Drejtues i Lartë Paulin Rajta, të cilit i ka shprehur të njëjtin qëndrim se nuk është dakord dhe nuk mund të marr përsipër kryerjen e detyrës së Shefit të Policisë. Nga ana e tij, m’u kërkua që të vazhdoj me aq sa mundet ta mbuloj këtë detyrë, krahas detyrës time funksionale, derisa ta diskutonte këtë problem me Drejtorin e Përgjithshëm dhe do të më kthente përgjigje. Ditën e sotme ka vazhduar kryerjen e detyrës time funksionale si Specialist i Regjimit të Posaçëm dhe Paraburgimit. Në bazë të rregullores së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, marrja dhe dorëzimi i detyrës së Shefit të Policisë së Intitucionit, bëhet me Komision, brenda një afati deri në 5 (pesë) ditë, ku në procesverbalin për marrjen dhe dorëzimin e detyrës funksionale firmosin personi që dorëzon detyrën e Shefit të Policisë dhe personi që merr këtë detyrë. Përpara se të firmoset procesverbali, bëhet marrja në dorëzim e dokumentacionit që ka patur në administrim Shefi i Policisë që dorëzon detyrën. Këtë procesverbal unë nuk e kam firmosur ende, pasi nuk kam marrë në dorëzim detyrën e Shefit të Policisë”, ka dëshmuar Qani Muça.
Lajmi kryesor: