Vrasja në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj vrau Arben Lleshin pak minuta pasi mësoi se do izolohej në 41 Bis! 90 minuta negociata me drejtorin

Dinamika e vrasjes së të dënuarit me burg përjetë Arben Lleshi, pak pas mesditës së 15 dhjetorit 2023 zbulohet nga dëshmia e ish zyrtarëve të burgut të sigurisë së lartë të Peqinit dhe shokut të burgut Indrit Shaqja i cili mbeti i plagosur në qeli nga plumbat e pistoletës së Sokol Mjacajt.

Plot 12 zyrtarë, mes tyre drejtori i burgut, shefi i sigurisë,ish shefi i sigurisë dhe gardianë u arrestuan një ditë pas vrasjes së Arben Lleshit, ndërsa sot dolën në gjykatën e Elbasanit dhe u lanë në masën e 'arrestit me burg'

Ndërkohë Indrit Shaqja ka pohuar se i kishin ofruar pagesë 200 mijë euro në dy raste për të vrarë shokun e qelisë Arben Lleshin, i cili u ekzekutua nga Sokol Mjacaj. 

Rreth orës 13:40 Sokol Mjacajn e kanë thirrur të ngjitej në katin e dytë, ku takoi të dënuarin Ilir Çekrezi, edhe ky në të njëjtin sektor i cili i ka thënë “Sokol të ka dal emri për në 41BIS’.

Pasi e ka mësuar Mjacaj ka kërkuar të shkonte të merrtë kafe. Nga ajrosja që gjendet në katin e parë, është ngjitur për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në sheshin e ajrosjes.

Sipas policit të burgut Ilir Balla, pasi folën disa sekonda më njëri-tjetrin, Sokoli zbriti për të marrë një kafe te makineta e cila ndodhet në fushën e ajrimit. Gjatë rrugës ndaloi në dritaren e dhomës së Ilir Xhakjas dhe Indrit Shaqja e cila ndodhet përballë ambienteve të ajrimit, i thirri Indritit duke i trokitur në xham

Ilir Shaqja, në dëshminë e tij shpjegon se po gatuante në ato momente. Ka qenë Polici sipas tij, që i ka thënë se po e thërrasin. Kur është afruar ka parë Sokol Mjacajn, i cili i ka thënë të njoftoj Arben Lleshin pasi kishte diçka për t’i thënë. Sapo Lleshi "është afruar te dritarja ka dëgjuar një krismë si kapsollë dhe Arbenin që po humbte ekuilibrin. Është afruar te dritarja dhe ka nisur ta shaj Mjacajn"

Në këtë moment është e paqartë kur është qëlluar drejt Shaqjas pasi në dëshminë e tij ai nuk e sqaron në mënyrë fikse. Pasi qëlloi 3 herë me plumba, Sokol Mjacaj i ka vënë armën në gjoks policit Balla, duke i thënë “mos u afro se po lëvize edhe një hap do të vras, nuk kam punë me ty”, dhe menjëherë është nisur te dera e ajrimit e cila të nxjerr te kuzhina dhe i drejton armën policit Indrit Dubali duke i thënë “hap derën se të vrava” i cili e hapi nën kërcënimin e armës.

Mjacaj me pas e mori me vete në drejtim të kuzhinës. Pas kësaj, Sokol Mjacaj hyri në dhomën e takimit të familjarëve bashkë me armën. 

Në këtë moment Kamber Hoxha ka telefonuar drejtorin e përgjithshëm Admir Abrija, të cilit i ka raportuar çfarë kishte ndodhur. Hoxha thotë më tej se ka qëndruar pas derës dhe Sokol Mjacaj të vetmen kërkesë e përsëriste, ardhjen e prokurorit. Në rreth 90 minuta qëndrim negociata, Sokol Mjacaj i ka rrëfyer Hoxhës se armën e ka futur në burg përmes kutisë së qumështit. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm të burgjeve i janë dhënë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç ishte rënë dakord. Mjacaj hapi derën dhe u dorëzua.

"Me pas i denuari Sokol Mjaca ka rene dakort qe te vetdorezohet dhe ne i kemi dhene nje pale pranga nepermjet vrimes se deres (kuadrati i hapur ne dere per kete qellim), i cili ka lidhur vetë duart e veta me prangat qe ne i dhame duke lene armen e tij, pistolete, ne sheshin e korridorit" tregon Kelmend Haka. 

Më herët gjatë ditës në burgun e Peqinit për inspektim ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së burgjeve, Paulin Rajta, i cili përmendet në deklarimet e specialistit të regjimit të posaçëm “41Bis”, Qani Muca.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:59
'Do të të mbysim se na vrave shokun', gardiani tregon si shpëtoi Sokol Mjacaj nga duart e të dënuarve, miq të Arben Lleshit

1702984401_finalprojekt.00475806.Still102.jpg

Pasi Sokol Macja ka vrarë Arben Lleshin dy të burgosur kanë vrapuar për ta kapur për tu hakmarrë për shokun e tyre.

Në dosjen e siguruar nga Report Tv e Shqiptarja.com gjendet dhe dëshmia e Kelmend Hakës me detyrë polic shërbimi në sektorin brenda burgut që ka treguar para prokurorëve cfarë ndodhi pasi Mjacaj shkrehu armën ndaj të dënuarit me burg përjetë.

Dhe si pas të burgosurve janë vënë dhe grupi i gardianëvet ë ajrimit konkretisht Indrit Dubali dhe Ilir Balla, me qëllimin për t’i neutralizuar të burgosurit.

Si dhe I mbyllën derën të burgosurve që e ndiqnin duke e mbyllur derën me lloz 

Dëshmia e plotë e Kelmend Hakës

Rreth ores 13:50, degjojme nga larg shume zhurme, ne formen e te bertiturave te njerzve, por nuk e dinim se çpo ndodhte fare. Pas disa minutash, rreth ores 14:00, verejme nga larg, duke ardhur nga rruga qe te shpie tek “kalçeto e burgut” drejt “Godines B te Takimeve”, te burgosurin Sokol Mjaca me nje arme pistolete qe mbante ne dorën e tij, i cili po vinte me vrap. Pas tij e ndiqnin dy te burgosur te tjere, konkretisht te denuarit Indrit Shaqja dhe Tomorr Çaushi te cilet dukeshin sikur e ndiqnin egersisht per t’ u perleshur me te denuarin Sokol Mjaca, madje duke i thene: se do te mbysim sepse na vrave shokun tone.

Gjithashtu e ndiqnin nga pas dhe grupi i “Gardianeve te Ajrimit”, konkretisht Indrit Dubali dhe Ilir Balla, me qellimin per ti neutralizuar te burgosurit. Gjate ketij momenti kur i denuari Sokol Mjaca afrohet ne “Godinen B te Takimeve” arrin dhe futet brenda korridorit te kesaj godine dhe une me pas me koleget e mij u beme prite dhe pengese tek dera kryesore e kesaj godine dy te denuarve te tjere qe e ndiqnin duke e mbyllur kete dere te godines me lloz (me shulin te jashtem). Gjate rezistences tone per te mos lejuar te futeshin te denuarit e tjere ne korridorin e godines ku ne izoluam te denuarin Sokol Mjaca, na vjen ne ndihme dhe “Grupi i Gatshem i Burgut” (Gardianët) te cilet arriten te largonin dhe te neutralizonin te denuarit qe e ndiqnin.

Ora 14:11
‘Po festoja lindjen e djalit’, dëshmia e shefit të regjimit të burgut Peqin: Vrasjen e Arben Lleshit e mësova nga mediat

1702650734_1702650695arbenlleshi.jpg

Viktima Arben Lleshi

Shefi i regjimit të burgut të Peqinit, Vilson Shima, ka dëshmuar se ditën e vrasjes së Arben Lleshit, nga Sokol Mjacaj, nuk ka qenë në punë. Ai thotë se është paraqitur në mëngjes në burg dhe pasi ka zhvilluar disa takime me të dënuarit për disa problematika dhe shqetësime që ata kanë shfaqur dhe më pas i ka marrë leje eprorit, shefit të Policisë,  Qani Muca, për t’u larguar pasi kishte një rast familjat.

Ai ka dëshmuar se ka shkuar në banesën në Tiranë dhe ka qenë duke festuar me familjen lindjen e djalit, ndërsa vrasjen e ka përë në media.

Sipas dëshmisë së Shimës, në momentin që është larguar nuk ka pasur asnjë problematikë dhe në mungesë të tij është detyra shefit të Policisë, Qani Muca, që të ndjekë problematikat që mund të këtë gjatë kohës.

Në detyrën që unë aktualisht mbaj ka rreth 8(tetë) muaji, pasi më parë unë kam qënë më shërbim specialist trupe pranë IEVP Peqin, gjithsej në detyrën e punonjësit të policisë së burgjeve unë kam rreth 9 (nëntë) vite, dhe 2(dy) vite e 6(gjashtë) muaji kam me gradën nënkomisar. Në lidhje me sa po më pyesni dua të deklaroj se unë sot më datë 15.12.2023 jam paraqitur në detyrë në orën 08:00 dhe kemi bërë mbledhjen me shefin e policisë ku jam jam njohur me problemet e një dite më parë , ku kryesisht ka qenë problematikat e akomodimeve të të dënuarve në dhomat e banimit, kam hyrë në regjim rreth orës 09.20 ku kam shkuar në godinën B në ambientet e opservimit kam komunikuar me të dënuarit lidhur me problemet dhe shqetësimet që kan pasur, më pas kam shkuar në hyrjen e parë kati i parë godina B kam sqaruar të dënuarit sipas kërkesave , më pas kam kaluar në katin e dytë dhe kam qëndruar tek hyrja, në orën 11:40 unë kam vënë në dijeni eprorin tim shtetasin Qani Muca, ne lidhje me një gëzim familjar që kasha, du dje jam shtuar më djal, për ktë gjë i kam kërkuar eprorit leje dhe dhe më pas jam larguar për në banesën tim në Tiranë.

Në momentin që unë kam marrë lejen te erpri im jam larguar për në banesë dhe situate në regjim ka qënë e qetë dhe pa problem, është detyra e tij të ndjeki problematikat që mund të këtë gjatë kohës. Unë jam njohur me ngjarjen nëpërmjet mediave, gjatë kohës që unë kam qënë në banes me familjarët e mij dhe duke festuar lindjen e djalit tim. Gjatë kësaj kohe unë kam pritur telefonat nga institucioni për tu praqitur, në orën 17:50 unë jam telefonuar nga specialist i informacionit për tu praqitur pranë IEVP Peqin në lidhje me ngjajren e ndodhur, dua të theksoj se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:50. Më pas jam telefonuar përsëri nga specialist i informacionit dhe më është komunikuar që të paraqitem në Prokurorin e Elbasanit.

Ora 14:00
'Vrasja në burgun e Peqinit/ 'E bëra kur mora lajmin në media që u futa në 41-Bis!' Mjacaj fshehu pistoletën tek kutia e qumështit

Në dëshminë e drejtorit të burgut të Peqinit, Kamber Hoxha zbulohet se ku e kishte mbajtur të fshehur pistoletën të cilën sipas dëshmisë së tij e kishte arritur ta siguronte gati një muaj para se të kryente ekzekutimin. Madje dhe pse e bëri.

Mjacaj i ka treguar drejtorit të policisë se armën e kishte kam futur para një muaji dhe e kishte fshehur në kutinë e qumështit.

Shtetasi Sokol Mjaca kishte tre ditë. Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysëm, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komukimin ishte shumë i qetë. Me tha se armën e kam futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit.

Sokol Mjacaj ishte transferuar nga godina A e burgut të Peqinit, në godinën B, ku ndodhej edhe Arben Lleshi, rreth 3 muaj para se të kryente krimin ka dëshmuar Shefi i regjimit të burgut, Vilson Shima 37 vjeç. Ai ka dëshmuar se kontrolli fizik, si edhe kontrolli i dhomës së Sokol Mjacajt është bërë rreth 1 muaj e gjysmë para se të ndodhte vrasja dhe nuk i është gjetur asnjë send i kundraligjshëm. 

Ndërsa gjatë bisedës që kishte bërë me drejtorin Mjacaj i ka thënë se e kishte bërë pasi kishte mësuar se do të hynte në 41 Bis. 

"E bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Bis. Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të këtë patur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjësit e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore" dëshmoi Kamberi

Ora 12:58
Vrasja në burgun e Peqinit, Mjacaj kërcënoi me armë punonjësin e vëzhgimit që t’i hapte portën! U mbyll në dhomën e takimeve

1702721522_arbenlleshisokolmjacaj.jpg

Sokol Mjacaj dhe viktima Arben Lleshi

Sokol Mjacaj, pas vrasjes së Arben Lleshit në burgun e Peqinit, ka kërcënuar me armë punonjësin e vëzhgimit Indrit Dubali që t’i hapte portën për të dalë në pjesën e ajrimit. Kështu ka dëshmuar Qani Muça, i cili ushtronte detyrën e shefit të policisë së Burgjeve.

Sipas dëshmisë së tij, nëninspektor Indrit Dubali, nën kërcënimin e armës, kishte hapur portën dhe i burgosur i armatosur kishte vrapuar në drejtim të ambienteve të takimeve të Godinës B, duke u futur brenda tyre, ku më pas janë zhvilluar edhe negociatat me drejtorin e burgut që të Mjacaj të dorëzohej.

Sa i përket kontrollit, Muça ka thënë se kontrolli i ditës së martë kryhet nga specialisti i regjimit përkatës dhe vetëm ai i ditës së shtunë kryhet nën drejtimin e Shefit të Policisë. Por, ai thotë se nuk ka marrë pjesë asnjëherë në kontrollin e ambienteve ku kanë qenë të akomoduar të dënuarit Mjacaj e Lleshi, pasi ka kryer kontrollin e Seksionit të Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm.

“Nga punonjësi i policisë me shërbim vëzhgues ajrimi, Nëninspekor Indrit Dubali, shkurtimisht në mënyrë të përmbledhur, na sqaroi se i paraburgosuri Sokol Mjaca, kur kishte dalë nga fusha e ajrimit për të shkuar në dhomë, nga dritarja e dhomës ku ka ndodhur ngjarja, kishte komunikuar me të dënuarin Indrit Shaqja dhe i kishte kërkuar që të thërriste, për të komunikuar, të dënuarin Arben Lleshi. Sapo ishte afruar i dënuari Arben Lleshi te dritarja, Sokol Mjaca e kishte qëlluar me armë. Njëkohësisht, i kishte drejtuar armën edhe punonjësit të vëzhgimit, Indrit Dubali, duke i kërkuar që të hapte portën për të dalë nga pjesa e ajrimit. Nëninspektor Indrit Dubali, nën kërcënimin e armës, kishte hapur portën dhe i burgosur i armatosur kishte vrapuar në drejtim të ambjenteve të takimeve të Godinës B, duke u futur brenda tyre, ku edhe e gjetëm ne. Ndërkohë pas tij kishin shkuar, duke vrapuar edhe disa të dënuar të tjerë, shokë me të dëmtuarit Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja. Të gjitha këto janë sipas thënieve të punonjësit Indrit Dubali. Pas kësaj me punonjësit e grupit të sigurisë, kemi bërë mbylljen e dhomës ku kishte ndodhur ngjarja dhe mbylljen e dhomës ku kishte qenë i akomoduar i dënuari Sokol Mjacaj.

Kemi caktuar dy punonjës policie për të ruajtur të paprekur vendin e ngjarjes dhe kemi nxjerrë çelësat te specialisti i informacionit. Në të njëjtën kohë, kemi marrë masa për futjen në dhoma të dënuarve dhe akomoduarve në këtë sektor dhe jemi përpjekur ti qetësojmë pasi ishin shumë të irrituar. Me porosi të Drejtorit të Institucionit kemi marrë masa për forcimin e shërbimeve dhe marrjen e masave për sigurimin e të dënuarve. unë nuk kam dijeni për asnjë lloj konflikti midis tyre, pasi të dënuarit e përmendur më lart janë të akomoduar në seksione të sigurisë së lartë, ndërsa unë mbuloj Seksionin e Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm. Unë nuk kam dijeni për kohën e kontrollit të dhomave pasi nuk kryhet nga unë. Ky kontroll kryhet nga Specialisti i Regjimit të vet. Në lidhje me kontrollin e elementëve të sigurisë, kontrolli i fundit është kryer ditën e martë, por nuk di të them se kush kanë qenë personat që e kanë kryer. Këtu dua të theksoj se kontrolli i ditës së martë kryhet nga specialisti i regjimit përkatës dhe vetëm ai i ditës së shtunë kryhet nën drejtimin e Shefit të Policisë. Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në kontrollin e ambienteve ku kanë qenë të akomoduar të dënuarit e mësipërm, pasi kam kryer kontrollin e Seksionit të Paraburgimit dhe të Regjimit të Posaçëm”, ka dëshmuar Muça.

Ora 12:44
‘Shef mos u afro, mos hy në gjak me mua’, si i drejtoi armën Sokol Mjacaj shefit të policisë së Burgjeve! Negociatat për dorëzim

1702658271_sokolmjacaj.jpg

Report Tv sjell të tjera detaje nga vrasja në burgun e Peqinit dhe dinamikën se si ka ndodhur ngjarja përmes zbardhjes së dëshmive të zyrtarëve të arrestuar tashmë për shpërdorim detyre. Qani Muça, specialist i regjimit të posaçëm, i cili ushtronte edhe detyrën e shefit të policisë së Burgjeve, ka dëshmuar episode pas momentit të vrasjes së Arben lleshit nga Sokol Mjacaj.

Ai thotë se ka dëgjuar përmes radios se kishte diçka që nuk shkonte në godinën B dhe është nisur për atje, kur ka parë që punonjësit e burgut mbanin në dorë një të dënuar të plagosur, por që fillimisht nuk e ka njohur se për kë bëhej fjalë.

“Sot, më datë 15.12.2023, jam paraqitur si çdo ditë tjetër në orë 08:00 në punë dhe si çdo ditë tjetër kemi vazhduar me rutinën e punëve të përditshme. Konkretisht, kemi zhvilluar komunikatën informuese të mëngjesit me specialistët e informacionit dhe shefat e regjimeve dhe pas kësaj, jemi ndarë në ndjekjen e problemeve në regjim, sipas përkatësisë. Unë konkretisht, kam bërë kontrollin e elementëve të sigurisë në seksionin e regjimit të posaçëm, pasi ky kontroll në këtë seksion bëhet çdo ditë dhe pas kësaj kam shkuar në Seksionin e Paraburgimit, ku jam marrë me probleme të rutinës së përditshme, si lëvizja brenda regjimit, kërkesat e të paraburgosurve, ndjekja e kryerjes së shërbimit, etj.

Në të njëjtën kohë, rreth orës 11:00, por me siguri nuk di të them se sa ka qenë ora, kam shkuar në pjesën e observimit, ku kam marrë kontakt me një të paraburgosur që ndodhej aty dhe duhej të sistemohej në Seksionin e Paraburgimit. Në të njëjtën kohë, me urdhër të Drejtorit të Institucionit kemi marrë pjesë në Komisionin e Disiplinës, unë dhe Specialisti i Regjimit të Godinës A, i quajtur N/Komisar Ndriçim Hasa. Pas kësaj, rreth orës 1ë:30, bashkë me Ndriçim Hasën kemi marrë pjesë në Komisionin për Kontrollin dhe Futjen e Sendeve Elektroshtëpiake. Afërsisht në këtë kohë, kam dëgjuar në radio që kishte një problem në pjesën e ajrimit të Godinës B. Në këtë moment, të gjithë ne që ishim në pjesën hyrëse të Regjimit, domethënë, Unë, Ndriçim Hasa dhe Specialisti i Informacionit Arben Dulelllari dhe Specialisti i Regjimit të Jashtëm Rrapush Lepuri, jemi nisur për të shkuar në vendin ku kishte probleme.

Pa arritur të futeshim në regjim, punonjësit e grupit të sigurisë, po nxirrnin jashtë një të dënuar, që dukej se ishte i plagosur. Nuk arrita të kuptoj se çfarë kishte ndodhur apo çfarë problemi kishte i burgosuri, por pashë që ai mbahej në dorë nga punonjësit e sigurisë. Në këtë kohë, sipas urdhrit të Drejtorit të Institucionit është futur Ambulanca, ku në të është vendosur i dëmtuari dhe njëkohësisht edhe një i dënuar tjetër i cili pretendonte se ishte i plagosur. Në këtë moment nuk arrita të identifikoj asnjërin prej tyre. Pas futjes së personave të dëmtuar në Ambulancë, nga ana e Specialistit të Informacionit u organizua shoqërimi i tyre për në Spitalin Civil Peqin, duke marrë të gjitha masat për ruajtjen sipas rregullave të caktuara. Unë, Ndriçim Hasa dhe Drejtori i Institucionit dhe pjesa e punonjësve të sigurisë që ishin aty, u futëm menjëherë në regjim, me qëllim për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të sqaruar çfarë kishte ndodhur dhe për të marrë masat e nevojshme”, ka dëshmuar ai.

Më pas punonjës të tjerë e kanë lajmëruar Muçën se personi që ka qëlluar dy të dënuarit përjetë, Arben Lleshin dhe Ilir Shaqja, ndodhej në godinën e takimeve. Sipas dëshmisë, Muça ka shkuar ka hapur derën e dhomës së takimeve dhe i ka kërkuar Sokol Mjacës që të ulte armën që i kishte drejtuar.

Muça ka dëshuar se autori i krimit, teksa i kishte drejtuar armën i ka thënë që të mos i afrohej dhe të mos hynte në gjak me të. Më pas, ka mbërritur Drejtori i Institucionit që ka urdhëruar Muçën që të mbyllte derën dhe më pas drejtori ka nisur negociatat me Mjacajn.

“Nga punonjësit e policisë, brenda regjimit, nuk më kujtohet ekzaktësisht se kush, na u tha se personi që kishte plagosur dy të dënuarit (të dëmtuar), gjendej aktualisht në ambientet e takimeve të Godinës B. Shkuam me shpejtësi dhe unë u afrova i pari te dera hyrëse, me qëllim për të hapur derën. Nga ana tjetër e derës qëndronte një i dënuar, që më vonë mora vesh se ishte Sokol Mjacaj dhe pikërisht në kohën kur unë tentova të hap derën, i dënuar më drejtoi një armë zjarri, të llojit pistoletë dhe më tha “Shef mos u afro! Mos hy në gjak me mua, se nuk kam gjë me ty”. I kërkova ta ulte armën dhe të flisnin për të sqaruar rrethanat, pasi aktualisht nuk e dija se çfarë kishte ndodhur. Në këtë kohë, u afrua Drejtori i Institucionit, i cili më urdhëroi ta mbyllja derën dhe vazhdoi të komunikonte me të dënuarin, duke i bërë thirrje vazhdimisht që të qetësohej dhe të ulte armën. Pas kësaj, Drejtori i Institucionit ka qëndruar pas derës duke vazhduar komunikimin për të burgosurin që qëndronte pas derës, kurse unë dhe një pjesë e punonjësve të grupit të sigurisë shkuan në vendin ku kishte ndodhur ngjarja”, ka dëshmuar Muça.

Ora 12:24
Vrasja në burgun e Peqinit, dëshmia e Qani Muçës: S'e kisha firmosur marrjen e detyrës së shefit të Policisë, refuzova! Drejtori i Policisë së Burgjeve inspektim pak para ekzekutimit

Report Tv ka zbardhur dëshmitë e zyrtarëve të burgut të Peqinit, pas vrasjes së Arben Lleshit nga Sokol Mjacaj. Qani Muça në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk e kishte firmosur ende marrjen e detyrës si shefi i policisë së burgut. Ai thotë se prej tetorit 2022 ka mbajtur detyrën e Specialistit të Regjimit të Posaçëm “41Bis”, por drejtori i Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abria, kishte urdhëruar emërimin e tij si shefi i Policisë së Burgut.

Në dëshminë e dhënë, Muça pretendon se ka refuzuar këtë detyrë me argumentin se për arsye personale nuk është në gjendje ta kryejë këtë detyrë. Por sipas tij, drejtori i Burgut i ka thënë se duke qenë se është urdhër, ta mbulojë detyrën si shef i policisë së burgut, krahas asaj të specialistit të Regjimit të Posaçëm “41Bis”.

“Prej 17 vitesh jam pjesë e sistemit të burgjeve. Në tetor të vitit 2022 jam transferuar nga IEVP Elbasan në IEVP Peqin, me detyrë Specialist i Regjimit të Posaçëm “41Bis”. Ditën e djeshme, më datë 14.12.2023, nga Drejtori i Institucionit, Kamber Hoxha jam njohur me një urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, z. Admir Abria për emërimin tim në detyrën e Shefit të Policisë së IEVP Peqin. Që në momentin e komunikimit, i kam deklaruar Drejtorit të Institucionit se nuk jam pyetur dhe as nuk më është marrë mendimi për t’u emëruar në këtë detyrë dhe se për arsye personale nuk mendoj se jam në gjendje ta kryej këtë detyrë dhe nuk do të pranoj marrjen e saj. Nga ana e Drejtorit të Institucionit mu tha që meqenëse ka dalë urdhrin i Drejtorit të Përgjithshëm dhe aktualisht nuk kemi tjetër njeri për ta caktuar në këtë detyrë, përpiqu ta mbulosh kryerjen e kësaj detyre, krahas detyrës tënde funksionale, derisa të zgjidhet ky problem me instancat e emërtesës. Kështu që, nga dita e djeshme, krahas detyrës time funksionale si specialist i regjimit të posaçëm, i cili në këtë institucion mbulon edhe detyrën e specialistit të paraburgimit, jam përpjekur të mbuloj edhe detyrën e Shefit të Policisë", ka dëshmuar ai.

Po ashtu, Qani Muça ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur vrasja, 15 dhjetor, ka qenë për inspektim në burgun e sigurisë së lartë edhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, të cilit po ashtu i ka thënë se nuk është në gjendje të kryejë detyrën si shef i policisë së burgut.

"Theksoj se gjatë ditës së djeshme në këtë institucion ka ardhur për inspektim Drejtori i Policisë së Burgjeve Drejtues i Lartë Paulin Rajta, të cilit i ka shprehur të njëjtin qëndrim se nuk është dakord dhe nuk mund të marr përsipër kryerjen e detyrës së Shefit të Policisë. Nga ana e tij, m’u kërkua që të vazhdoj me aq sa mundet ta mbuloj këtë detyrë, krahas detyrës time funksionale, derisa ta diskutonte këtë problem me Drejtorin e Përgjithshëm dhe do të më kthente përgjigje. Ditën e sotme ka vazhduar kryerjen e detyrës time funksionale si Specialist i Regjimit të Posaçëm dhe Paraburgimit. Në bazë të rregullores së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, marrja dhe dorëzimi i detyrës së Shefit të Policisë së Intitucionit, bëhet me Komision, brenda një afati deri në 5 (pesë) ditë, ku në procesverbalin për marrjen dhe dorëzimin e detyrës funksionale firmosin personi që dorëzon detyrën e Shefit të Policisë dhe personi që merr këtë detyrë. Përpara se të firmoset procesverbali, bëhet marrja në dorëzim e dokumentacionit që ka patur në administrim Shefi i Policisë që dorëzon detyrën. Këtë procesverbal unë nuk e kam firmosur ende, pasi nuk kam marrë në dorëzim detyrën e Shefit të Policisë”, ka dëshmuar Qani Muça.

Ora 12:18
'Nëse vjen prokurori dorëzoj armën dhe i tregoj të gjitha' Kushti i Sokol Mjacajt për tu dorëzuar pas vrasjes në burgun e Peqinit

1702984401_finalprojekt.00475806.Still102.jpg

Nga dëshmia e drejtorit të burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, mësohen negociatat me Sokol Mjacaj pas vrasjes së Arben Lleshit që ai të dorëzohej.

“ Objekti ishte ku bëhen takimet e familjarëve dhe kishte mbyllur derrën nga brenda dhe po qëndronte aty. Mësova nga punonjësit e policisë të planizuar në ajirosje dhe takimet me familjarët se i dënuari Sokol Mjaca, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete. Afrohem tek dera dhe i burgosurime tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në keto momente, i thashe nje policit që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjelli telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi nje ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvujtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës.

E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do ti tregoj të gjitha. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë sic i thamë neve. Hapi derën dhe e shoqëruam me sherbimet e policisë.

Ora 11:59
Vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit/ Dëshmia e drejtorit: I tha gardianit se do merrte kafe! Çfarë i tregoi Sokol Mjacaj gjatë negociatave

Report Tv dhe shqiptarja.com siguron dosjen që prokuroria e Elbasanit ka dërguar për vlerësimin e masës së sigurisë të Sokol Mjacajt, i cili vrau në burg Arben Lleshin dhe plagosi shokun tjetër të qelisë, Ilir Shaqja si dhe për zinxhirin drejtues në burgun e Peqinit të arrestuar një ditë më pas. 

Në dosje është dhe dëshmia e Kamber Hoxhës, drejtorit të policisë së burgut të Peqinit, - ditën kur ndodhi ekzekutimi -  i cili kishte vetëm 1 muaj që ishte komanduar në atë pozicion, ndërsa ishte me një karrierë 28 vjeçare si i punësuar në sistemin e burgjeve.

Nga dëshmia e tij mësohet si Sokol Mjacaj u zhvendos nga 41 – Biz në godinën B. Si Mjacaj ka thënë se do të shkonte të merrte një kafe në dhomë dhe ka dalë në ajrosjes më pas për të qëlluar nga dritarja pasi i foli në emër të dëmtuarve i ka qëlluar me armë.

Më pas i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë dhe hyri  në dhomat e takimit të familjarëve mbylli derën  me lloz nga brenda dhe kërkonte prokurorin për tu dorëzuar

"Nga komunikimet që unë pata me punonjësit e ajrosjes mu tha që Sokoli i kishte kërkuar që të shkonte të merrte kafe në dhomë. Ka shkuar nga ajrosja që gjendet në katin e parë, për në katin e dytë ku ndodhej dhoma e tij, pastaj ka zbritur përsëri poshtë për të dalë për në shëshin e ajrosjes. Dhoma ku janë dy të dëmtuarit është dhoma e parë, majtas në katin e parë, në një distancë rreth 5 metër nga sheshet e ajërimit. Aty nga dritarja pasi i foli në emër të dëmtuarve i ka qëlluar me armë. Pastaj ndërhynë punonjësit e policisë dhe e çuan tek ambientet e takimit. Në këtë kohë Sokoli i vendosi pistoletën në qafë punonjësit të policisë, emrin e të cilit nuk e di. Pas kësaj e futën në dhomat e takimit të familjarëve. Derën ku u fut Sokoli e mbylli me shul hekuri (lloz) nga brenda"

Tregon dhe si e mësoi ngjarjen për të cilën njoftoi drejtorin e Përgjithshëm të burgjeve pak minuta më pas.

Më datë 15.12.2023 rreth orës 13;52 minuta kam qënë në ambjentet e zyrës, ku kam dëgjuar në radio dhënse marrrëse se diçka po ndodhte në gosdinën B, ambjentet e ajërrosjes. Ka folur në radio se çfarë problemi ka dhe me raportuan në radio se ka ngjarje dhe duhet ambulanca menjëherë. Në moment ka dalë nga zyra dhe është nisur për në regjim të brendshëm. Aty ka parë se ishin dy të plagosur me armë zjari dhe ishin me gjakë. Hypën të dy të plagosurit në ambulancë dhe i nisën për në spitalin e Peqinit për ndihmë mjekësore. Pas kësaj u futa në ambjetet e brendshme midis dy godinave të akomodimit të dënuarve dhe ka shkuar tek vendi ku ishte i vendosur i burgosuri Sokol Mjaca.

Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi nje ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvujtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës.

 

Dosja u sigurua nga gazetarja e Report Tv, Keti Banushi 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja