Vrasja pa faj e Mario Majollarit sapo iku të blinte bukën! Nëna e të riut që pagoi fajin e babait: Më goditën se s’kam forcë ta ndjek e të marr hak/ Dokumentar

TIRANË- Është e Martë, 10 prill 2018. Në Tiranë, në shumë pika bastesh sportive, transmetohet ndeshja e futbollit për kampionatin e “Champions Ligës”, Roma-Barcelona. “Filmim”. Mario Majollari, ky 28-vjeçar që shihni në këto pamje filmike teksa këndon me motrën e tij, Xhesika, “Film” kishte vetëm 7 muaj që ndodhej në Tiranë, pasi ishte kthyer nga Suedia, shtet në të cilin kishte udhëtuan në 2015 dhe në vitin 2017, Drejtoria e Migracionit i kishte refuzuar t’i jepte pëlqimin Majollarit, për marrjen e statusit të azilantit politik. Gjatë periudhës së qëndrimit në Tiranë Mario ka qenë i papunë, megjithëse kishte vetëm pak ditë që sapo përfundoi kursin e patentës për drejtimin e kamionëve. Udhëtimi si azilant politik në Suedi, kishte ndodhur, pasi Mario në Shqipëri kishte marrë sinjale të qarta, për një eliminim fizik nga kundërshtarët. Këto kërcënime vinin nga anëtarë të familjes Gjuzi, për faktin se babai i Marios, Avni Majollari tashmë i dënuar nga drejtësia Shqiptare me burgim të përjetshëm, pasi në 18 nëntor 2000, ka ekzekutuar me armë zjarri Ilir Gjuzin dhe Armando Nela në Tiranë. Marjo, jetonte me nënën Nailen dhe motrën e tij Xhesika Majollari. Teksa kishte humbur çdo shpresë për të marrë statusin e azilantit, Marjo për 7 muaj me radhë endej si i papunë në rrugët e Tiranës, duke e ndihmuar nga pak nënën e tij, Nailen dhe motrën. Pasditen e 10 prillit 2018, 28-vjeçari sapo ishte kthyer nga zona e ish-Kombinatit në lagjen e tij në ish-Kinostudio, pasi kishte festuar ditëlindjen e tezes, Majlinda. Së bashku me nënën, ka blerë disa produkte ushqimore dhe e ka ndihmuar t'i çojnë në apartamentin e tyre të banimit. Pasi janë akomoduar në banesë, Marjo Majollari, i ka pohuar nënës së tij:

 “…O ma, po shkoj 5 minuta te llotoja dhe po vij sërish…”.

Ky moment do të ishte takimi dhe biseda e fundit i nënës, Nailes, me djalin e saj të vetëm, Mario Majollari. Mario, del nga shtëpia dhe niset drejt pikës së basteve sportive “Eurolloto”, që administrohet nga shtetasi Ardit Alldervishi.  Mario, ka qëndruar me një person të quajtur, Gazmend Çela dhe një djalë të lagjes së tij që njihet me pseudonimin “Niçja”. Prania e Marios në ambientet e Llotos është vënë re deri në orën 20:30, kur është larguar nga ky ambient për të blerë një bukë, dhe t’ia çonte nënës në shtëpi. Gazmend Çela, e rrëfen kështu këtë moment kur është ndarë me Marion:

“…ai është çuar nga tavolina dhe na tha neve që po iki deri në shtëpi, të blej disa gjëra për shtëpi dhe do vij prapë të shikoj ndeshjen…”

Mario ka dalë nga llotoja dhe ka ecur disa metra dhe pa shkuar ende tek dyqani ku do blinte bukën është qëlluar nga pas me 4 plumba pistolete, dy në kokë dhe dy në trup, duke mbetur i shtrirë në mes të rrugës “Aleksandër Moisiu”, pikërisht në këtë vendin këtu. Vrasja ndodhi 7 muaj, pasi 28-vjeçari ishte kthyer nga Suedia, ku kishte dështuar për të bindur autoritetet e migracionit, se në Shqipëri i rrezikohej seriozisht jeta dhe kthimi në këtë vend për Marjon, përkthehej në vdekje. Katër krismat e lëshuara nga një pistoletë “TT” që autori përdori për ekzekutimin e Mario Majollarit, fillimisht tek banorët e lagjes krijuan përshtypjen e kapsollave që përdorin fëmijët. Por pa kaluar shumë minuta, të njëjtit banorë mbetën të tronditur nga ajo çfarë panë në mes të rrugës.

 “…jo po nuk pamë asnjë gjë…ne dëgjuam që kërcitën por i dinim kapsolla. Tre herë e kam dëgjuar unë dhe po prisja që të hidheshin ato lart, si fishekzjare. Pu pu pu, çe gjeti…çe gjeti. Aq i mirë, nuk ka djalë në këtë dynjah. Ne po habitemi, po qan e gjithë lagjia për atë djalë… se nuk ka djalë si ai. Nuk e dimë pse e vranë, pse i ndodhi kjo gjë…”-thotë banorja e lagjes.

Katër krismat, prishën qetësinë e lagjes ndërkohë motra e Marios, Xhesila që po kthehej në atë moment në banesë sapo ka parë prezencën e policisë në vendngjarje është kapluar nga frika dhe ankthi se diçka e keqe, mund t'i kishte ndodhur vëllait të saj. Xhensila, menjëherë ka nxjerrë telefonin duke thirrur numrin e vëllait Marios, por ai nuk i është përgjigjur. Në fakt celulari i Marios, ka qenë i hapur dhe ndodhej poshtë trupit të tij të pajetë. Tringëllima e ziles së telefonit nuk pushonte dhe dëgjohej pa pushim nga oficerët e policisë që kishin rrethuar vendngjarjen, por askush nuk përgjigjej. Mbyllja e tringëllimës së telefonit, ka ndodhur vetëm pas urdhrit të një oficeri, për fikjen e aparatit celular. Ndërkohë nëna e Marios, Nailja, që priste bukën në shtëpi njoftohet nga komshija e saj duke i pohuar se:

”…O Naile, nuk e di se çfarë ka ndodhur, por pashë Xhesin duke qarë…”

Fillimisht Naile Nela, ka menduar se vajzën mund t’ia kishte ngacmuar ndonjë djalë, teksa ka zbritur shkallët e pallatit dhe ka dalë në rrugë, vajza e saj Xhesila, i ka thënë duke qarë:

”…O ma…kanë varë Marion…”

Të pafuqishme për të bërë diçka, nënë e bijë kanë mbetur në mes të rrugës, nën kujdesin e forcave të policisë së Tiranës, ku janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Çështjen e vrasjes së Marios tashmë e kishte marrë në dorë për ta hetuar prokurori i Tiranës, Avni Kraja. Nga ana tjetër policia kriminale, kishte filluar lokalizimin dhe ndjekjen e personave që mund të kishin kryer këtë vrasje. Shigjetat e policisë, janë drejtuar menjëherë tek Ervin Nela, vëllai i Armand Nelës të vrarë në vitin 2000 nga babai i Marjos. Ervin Nela, ndodhej tek rruga e Durrësit duke drejtuar një kamion “IVECO” në pronësi të kompanisë “Real” kur është telefonuar nga operativi i policisë Ilmi Tota, i cili e ka pyetur se ku ishte dhe duhej patjetër të paraqitej urgjent në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Njëherësh dy oficerë të policisë dhe policë të tjerë kanë shkuar me shpejtësi në banesën e Kastriot Gjuzit, vëllait të Ilir Gjuzit të vrarë në vitin 2000 nga Avni Majollari. Kastrioti deri në ato momente ishte personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Mario Majollarit, ndaj dhe policia mësyu me urgjencë në banesën e tij. Një efektiv policie me iniciale B.H që shërben pranë sektorit të Operacioneve të Posaçme Speciale dhe Vëzhgimit, e ka treguar kështu momentin, kur së bashku me kolegët e tij, kanë kryer ndërhyrjen “blic” në shtëpinë e Kastriot Gjuzit.

 “…isha në shërbim, në mbështetje të komisariatit nr.4 si skuadër operacionale për kapjen e personit të dyshuar …në 10 prill 2018 na është dhënë një situatë që në vendin e quajtur “Kinostudio”, kishte ndodhur një vrasje. Nga të dhënat na është njoftuar për të shkuar për kontroll banese, në shtëpinë e shtetasit Kastriot Gjuzi, i cili dyshohej për këtë ngjarje, por unë nuk di të dhënat e tjera në lidhje me këtë person, vetëm na është dhënë adrresa nëpërmjet komisariatit të Policisë nr.4, të cilët ishin para nesh pasi ata e dinin vendodhjen e shtëpisë. Menjëherë sapo kemi shkuar kemi kryer kontroll banese në bashkëpunim me policët e komisariatit, ku ana jonë ishin tre vetë shef Jetnori, Ervis Isufi dhe unë. Aty konstatuam se dera ishte e mbyllur dhe se porta është hapur nga një familjar s’më kujtohet emri dhe hymë në oborr. Në oborr unë pashë një mjet ngjyrë të errët tipi s’më kujtohet, por fiksova se dera e mjetit nga ana e shoferit, ishte e hapur. Unë jam afruar tek mjeti për të parë por nuk e di, e kemi prekur nga përpara nëse mjeti ishte i nxehtë në pjesën e motorit dhe dukej se mjeti nuk kishte shumë që ishte parkuar në oborr, pasi nga nxehtësia dukej që makina kishte lëvizur më parë. Në banesë vura re se kishte kamera, në çdo cep, plot mund të them, por nuk e di morën gjë apo jo punonjësit e komisariatit të policisë Nr. 4 në Tiranë…”.

Në fakt personi që kërkonte skuadra operacionale Kastriot Gjuzi alias Petrit Gega, ishte larguar me shpejtësi duke marrë me vete dhe pajisjen DVR, që shërben si memorizues i pamjeve filmike që regjistrojnë kamerat e sigurisë. Gjuzi është larguar në drejtim të paditur dhe askush nga policët, nuk ka gjurmuar intenerarin e tij. Nisur nga fakti i ikjes dhe fshehjes së policisë, Kastriot Gjuzi, u kthye në personin e parë të shenjestruar nga policia e Tiranës, si njeriu që kishte kryer vrasjen e 28-vjeçarit Marjo Majollarit. Kaq ka mjaftuar që ai të shpallet në kërkim policor duke njoftuar të gjitha pikat kufitare për ndalimin e tij, nëse do paraqitej në secilën prej portave të kufirit. Por ditët kalonin dhe në Shqipëri nuk kishte asnjë të dhënë për vendndodhjen e Kastriot Gjuzit. Njoftimi për ndalimin e këtij personi është dhënë 9 ditë më pas nga policia e Kosovës, e cila kishte ndaluar Gjuzin krejt aksidentalisht në kufirin e gjelbërt në Vërmicë të Kosovës. Gjuzi, nga Tiranë kishte udhëtuar në Kukës dhe nga këtej kishte kaluar kufirin ilegalisht, duke dalë në këmbë prej territorit Shqiptar dhe hyrë në territorin e Kosovës. Por pikërisht në këtë shtet, Gjuzi është ndaluar rastësisht nga një efektiv policie, i cili ka vënë re prezencën e tij teksa ecte në kufirin e gjelbërt. Në momentin e parë, Gjuzi është prezantuar si Petrit Gega. Por fakti që ai ecte në këmbë dhe nuk kishte dokumente, bëri policinë e Kosovës, të dyshojë për këtë person dhe ka kërkuar ndihmën e policisë Shqiptare, duke shkëmbyer informacionin. Sapo është dhënë emri dhe gjurmët e gishtave, është konfirmuar zyrtarisht se njeriu që i kishte ikur policisë në Tiranë, ishte pikërisht i dyshuari, Kastriot Gjuzi. Pas ndalimit dhe ekstradimit të Gjuzit nga Kosova në Shqipëri, Gjuzi ka treguar të gjitha lëvizjet e tij, vendet ku ka qëndruar dhe se u kthye me dëshirën e tij, nga Kosova në Shqipëri, pasi siç pretendon Gjuzi, atëherë kishte marrë informacion nga mediat se ishte shpallur në kërkim për vrasje. Në reëfimin e tij Kastriot Gjuzi shpjegon momentin se si i iku policisë:

 “…kur pashë një numër të madh të forcave të policisë, në fillim dy civilë të dyshimtë për mua, që u vërsulën me dhunë të shkelmonin dyert e banesës, u tremba nga sjellja e tyre e egër dhe për momentin u largova në pritje të faktit se përse policia erdhi në banesën time në mënyrë të dhunshme. Në këtë situatë unë u detyrova të largohem nga frika e dhunimit nga policia…”.

Kastriot Gjuzi, njeriu që ia mbathi dhe iu fsheh hetimit nga frika se mos e dhunonte policia, mësoi lajmin për vrasjen e Mario Majollarit, djalit të hasmit të tij, Avni Majollarit, 9 ditë pasi Mario u qëllua për vdekje, me 4 plumba. I habitshëm ky argument, në një kohë kur gjatë periudhës 9 ditore në arrati, bota e informacionit në Tiranë ziente nga raportimet për këtë vrasje dhe lakonte çdo ditë emrin e Kastriot Gjuzit, si personin e vetëm të dyshuar nga policia për vrasjen e Marios. Pas arrestimin Kastriot Gjuzi, është hetuar 12 muaj me rradhë nga prokurori i çështjes Avni Kraja, dhe gjatë kësaj kohe Gjuzi ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjatë hetimeve të kryera, prokuroria dhe policia pyetën rreth 24 dëshmitarë dhe mbikqyrën me përgjime telefonike 10 numra celularë, që i përkasin anëtarëve të familjes Gjuzi dhe Nela, dy familje këto që kanë hasmëri me familjen Majollari. Mes personave që janë pyetur është nëna dhe motra e viktimës Marios, Naile Nela dhe Xhesila Majollari. Motra e viktimës e shpjegon kështu situatën dhe rrethanat e vrasjes së të vëllait:

”…kur kam parë prezencën e punonjësve të policisë që kishin bllokuar rrugën, mua diçka më kaploi dhe mora në telefon vëllai Marion, por ai nuk më është përgjigjur. Ne si familje kemi hasmëri me familjen e Ilir Gjuzit dhe Armando Nela dhe të dy këta persona janë vrarë nga babai im më datën 19 nëntor 2000 dhe për këtë gjë babai im u dënua me burgim të përjetshëm. Unë kam dyshime se familjarët e dy viktimave mund të kenë vrarë vëllanë tim. Kam dyshime për shtetasin Petrit Gjuzi dhe Ervin Nela si dhe djemtë e viktimës, Ilir Gjuzi, emrat e të cilëve nuk i di. Ne si familje kemi pasur frikën e hakmarrjes dhe më tepër rruheshim nga emrat që përmenda më sipër. Ne kemi dëgjuar nga banorë të ndryshëm se këta persona mund të hakmerren pasi herë pas here janë parë në afërsi të banesës tonë dhe konkretisht në Bar-Kafe “Xhaja” si dhe në “Euro-Lloto” në ish-kinostudio. Këto shqetësime m'i ka shprehur vëllai im Mario, përpara 1 viti…”.

Ndërsa nëna e Marios gjatë një interviste për “Report Tv” me lot në sy dhe varësen me mbishkrimin e emrit të djalit “Mario”, e tregon kështu situatën:

 “…Njeri që si është dëgjuar zëri ka qënë Mario e vijim…..

Dëshmi në polici ka dhënë dhe shoku i Marios, pronari i llotos Ardit Alldervishi, i cili ka pohuar se para se të ndodhte ngjarja e rëndë, në biznesin e tij nuk ka ndodhur asnjë konflikt qoftë verbal dhe fizik mes personave të ndryshëm dhe Marios. Ndër të tjera ai ka deklaruar në polici:

”…në lokal unë kam pasur disa klientë pasi kishte edhe ndeshje të “Champions Ligës”. Kur dëgjuam të shtënat disa nga klientët kanë dalë tek dera e lokalit tim dhe kanë thënë që dëgjuam të shtëna. Më pas ka ardhur policia dhe aty kam mësuar se ishte një person i plagosur dhe teksa kam vijuar të qëndroj mësova se ishte vrarë Mario Majollari, të cilin unë e kam shok…”.

Në pyetje është marrë dhe vetë i dyshuari Kastriot Gjuzi, i cili ka deklaruar se ka qenë në hotel “Olivia” në shoqërinë e një femre të quajtur Eriola Klosi. Policia ka identifikuar hotelin që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, tek mbikalimi i Rinasit, i cili është në pronësi të Vitor Sulaj. Vitori ka pohuar në polici se nuk mban mend ditën apo datën se kur ka qenë Kastriot Gjuzi së bashku me një femër në hotelin e tij, por sipas tij ka qenë muaji Prill, ndërsa orën e saktë të qëndrimit në hotel nuk e mbante mend. Emrin e Kastriotit dhe vajzës që e shoqëronte nuk e ka shënuar në regjistrin e hotelit, pasi sipas Vitor Sulaj, ai e njeh. Ky hotel nuk ka kamera sigurie për të verifikuar prezencën e Gjuzit në ambientet e hotelit, ndërsa policia thotë se vajza e ashtuquajtur nga Kastriot Gjuzi si Eriola Klosi, nuk është arritur të gjendet sot e kësaj dite. Ndërkohë një tjetër fakt domethënës janë qelizat telefonike të cilat e kanë lokalizuar Gjuzin pranë vendit të ngjarjes ditën kur ka ndodhur krimi. Po Gjuzi ka argumentuar duke pohuar se ka qenë tek vjehrra e tij, një punonjëse poste e quajtur Satliko Kasollari. Nga pyetja e kësaj të fundit policia ka mësuar se Kosollari pasditen e 10 prillit 2018 nuk ka qenë fare në apartamentin e saj, pasi nga deklarimi i saj dhe verifikimet e kryera nga policia, ajo rezulton se ka qenë në emisionin “Rudina” në televizionin “Klan”. Satliko Kosollari, nuk ka takuar dhëndrin e saj Kastriot Gjuzi në 10 prill 2018, por takimi i fundit i saj me Kastriot Gjuzin, ka ndodhur në datën 12 shkurt 2018 në ditëlindjen e djalit të dytë të tij. Prokuroria ka marrë në pyetje dhe Denisa Kosollarin, bashkëshorten e Kastriot Gjuzit, e cila jep një rrëfim kontradiktor me atë që ka dhënë bashkëshorti i saj, duke deklaruar se ishte tek vjehrra. Ndër të tjera Denisa Kasollari rrëfen në prokurori se:

“…rreth orës 15:00, Kastrioti ka dalë sërisht me automjetin e tij. Më pas në orën 17:30 ka ardhur në shtëpi. Më ka marrë mua dhe vajzën dhe kemi shkuar tek gjyshja e saj. Kemi zbritur nga makina unë dhe vajza dhe Kastrioti, na ka thënë se do shkoj të laj makinën. Unë jam kthyer vetë në këmbë së bashku me vajzën…”

Nisur nga kjo dëshmi, prokuroria argumenton se vajza ka qenë tek gjyshja Fatime Hysenllari dhe jo sipas Kastriotit që tregon se e ka çuar tek vjehrra e tij, Satliko Kasollari. Fakt ky që tregon se i dyshuari kryesor për vrasjen e Marios, Kastriot Gjuzi, është i paqartë se ku ka qenë pasditen e 10 prillit 2018 tek gjyshja apo tek vjehrra. Hetimi i prokurorisë, zbuloi se Kastriot Gjuzi gjatë periudhës 9 ditore në arrati ka biseduar dhe dyshohet të ketë bashkëpunuar me Shefikate Shëngjinin, Sinan Kinollin dhe Teki Bulica, ky i fundit një punonjës i bashkisë së Kukësit, nga fshati Kolesjan i qytetit të Kukësit. Hetimi ka zbuluar se Kastriot Gjuzi gjatë kohës së qëndrimit në arrati ka përdorur një numër telefoni të regjistruar në emër të Petrit Avdillarit, ose siç njihet ndryshe “Xubi” i Yzberishtit, i proceduar disa herë nga policia dhe që në vitin 2018 ndodhej në burg për akuzën e “Vjedhjes me dhunë” dhe “Shkatërimi i pronës”. Oficerët e policisë, i kanë kryer një vizitë në burgun 302 në Tiranë, Petrit Avdillari, duke i kërkuar këtij të fundit të japë shpjegime lidhur me përdorimit e numrit të tij nga Kastriot Gjuzi. Petrit Avdillari ndër të tjera ka shpjeguar se:

”…Unë nuk kam dijeni për numrat e telefonit të regjistruar në emrin tim. Është hera e parë që i shikoj. Mesa më kujtohet para një muaji kam takuar një person që nuk e njihja, i moshës 30 e ca apo 40 vjeç dhe mua mu deshën ca lekë. Së bashku me të shkuam tek një dyqan AMC-je, pasi më dha 2000 lekë të reja, aty tek dyqani në qendër tek 2-3 dyqane aty. Unë nuk e njihja fare këtë person, ai më tha marrim ca numra kështu dhe i shiste në qendër, tek “Dollari”. Ky person ishte tip sekseri. Unë i thashë mos na bësh ndonjë gjë dhe ai më tha nuk ka ndonjë gjë jo. Me kartën time ai mori 20 numra telefoni ndërsa mua me dha 20 mijë lekë të vjetra. Ky person ishte i gjatë, qeros, pak i dobët dhe po ta shikoj e njoh, por emrin nuk ia di…”.

Teksa ka kryer një rezyme të plotë të analizës hetimore prokurori i çështjes Avni Kraja, në dosje thotë se:

“…nga hetimet motivet e ngjarjes të bëjnë të mendosh më së shumti në atë të hakmarrjes për gjakmarrje, në lidhje me vrasjen e shtetasve Ilir Gjuzi dhe Armando Nela. I ndjeri Mario Majollari, njihet si njeri i urtë, pa asnjë lloj problem dhe konflikti me ndonjë person, aty ku banon por edhe nga ana që njihet. Motivi i gjakmarrjes është pista kryesore e këtij hetimi sepse si nga të dhënat e grumbulluara, autori i dyshuar Kastriot Gjuzi, që në momentet e para i është fshehur hetimit, arsyet që e shtynë atë për të kaluar ilegalisht në Republikën e Kosovës dhe jo nëpërmjet kalimit të ligjshëm kufitar, mos gjetja e tyre në banesë, motori i makinës i nxehtë në oborr dhe dera e saj hapur, në banesë kishte shkulur dhe zhdukur DVR-në e pamjeve filmike që do të hidhnin dritë mbi vetë atë, si dhe më kryesorja është drejtimi i lëvizjes së tij dhe fshehja për t’ju shmangur hetimit, bashkëpunimi me persona të tjerë në verifikim me numrat e telefonit si Petrit Avdillari, Shefikate Shëngjini, Sinan Kinolli dhe Vera Bulica…” 

Por ky qëndrim analitik i prokurorit Avni Kraja ndryshon në përfundim të hetimeve, ku në muajin maj 2019 i është drejtuar gjykatës së Tiranës, me një kërkesë për pushimin e çështjes penale ndaj të arrestuarit Kastriot Gjuzi, që deri në këtë periudhë mbahej i mbyllur në burg, për akuzën e “Vrasjes për gjakmarrje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Në këtë analizë të dytë prokurori Kraja i thotë gjykatës:

”…nga tërësia e provave të marra gjatë hetimit të këtij procedimi, kemi konkluduar se për të dyshuarin Kastriot Gjuzi nuk ka ndonjë provë direkte që të lidhë veprimet e tij me pasojën e ardhur, vrasjen e shtetasit Mario Majollari. Kjo pasi nuk është bërë e mundur që të sigurohen pamjet filmike, kjo sepse në zonën ku ka ndodhur ngjarja, nuk kishte kamera sigurie në bizneset apo banesat në afërsi të saj. Nuk ka ndonjë person që të ketë parë ngjarjen në fjalë, që të jetë dëshmitar oKular i kësaj vrasjeje. E vetmja që deklaron se duhet të ketë qenë Kastriot Gjuzi autor i vrasjes së djalit të saj Mario Majollari është nëna e tij. Nuk është gjetur arma që është përdorur për vrasjen e Mario Majollarit. Në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me dyshime se Kastriot Gjuzi është autor i vrasjes së Marios. Hetimi në ngarkim të tij duhet të  pushohet, pasi çdo dyshim interpretohet në favor të Kastriot Gjuzit…”

A:Kjo kërkesë e prokurorisë për pushim të hetimeve ndaj Gjuzit dhe lirimin e tij nga qelia me argumentin se nuk ishte gjetur arma e krimit, është miratuar në 28 maj 2019 nga gjyqtari i Tiranës, Kreshnik Omari. Pas seancës gjyqësore nëna e Marios, Naile Nela deklaroi:

 “…që nji njeri që ka vrarë, të rijë 9 ditë me armë në dorë me duket njëçikë absurde. Edhe emri i Kastriot Gjuzit, doli në momentin që policia hetoi. I vetme faj i Marios, ishte që kishte atë mbiemër dhe atë gjak…”

Vendimi i Kreshnik Omarit që miratoi pushimin e hetimeve dhe nxori Gjuzin nga qelia është ankimuar në gjykatën e Apelit Tiranë. Por në datën 22 korrik 2019 treshja e gjyqtarëve Astrit Haxhialushi, Fatmira Hajdari dhe Genti Shala, kanë vendosur miratojnë dhe në Apel pushimin e ndjekjes penale për Gjuzin. Gjatë një interviste në “Report Tv”, Naile Nela thotë:

“…sa të kem frymë dhe sa të kem jetë nuk do ta lë mbrapa këtë gjë, sepse djali im ishte i pafajshëm, djali im u vra prapa kurrizit, sepse e dinin që ke familja ime nuk kishte aq forcë si të bësh vetëgjyqësi si dhe nga instancat shtetërore. Nuk kam tek drejtësia besim, deri më sot nuk kam. Të shikoj tek e larta sa mund të eci…më ka humb besimi…”

Sot njeriu që qëndroi për 12 muaj në burg si i dyshuari kryesor për vrasjen e hasmit të tij, Mario Majollarit, jeton i qetë në Tiranë dhe së fundmi i është drejtuar gjykatës së Tiranës për dëmshpërblimin financiar të ditëve që qëndroi në burg. Ndërsa Mario Majollari, i riu me shumë ëndrra dhe pa asnjë faj në jetën e tij, pagoi me gjakun e tij etjen e hakmarrjes të familjeve Nela dhe Gjuzi, që babai i tij Avni Majollari i vrau të afërmit në vitin 2000. Një realitet surreal, dhe i pa imagjinueshëm për botën perëndimore ku aspirojmë të hyjmë. Mario, i riu që synonte dhe ëndërronte të jetonte në Suedi, nuk u lejua as të jetojë jetën e tij, pasi prej prillit 2018, ai qëndron i pajetë në varrezat e Tufinës. Ndërkohë nga ana tjetër nëna e tij, Naile Nela, endet dyerve të gjykatave për të kërkuar drejtësi. Shpresa e fundit e Naile Nelës tashmë është Gjykata e Lartë, aty ku ndodhet në listë pritje mes mijëra dosjeve penale dhe çështja e ekzekutimit, të Mario Majollarit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur