TIRANE-Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u ka kërkuar drejtuesve të policisë që të ruajnë sekretin hetimor, pasi pas ngjarjeve të fundit ka pasur rrjedhje të informacioneve. Në takimin e zhvilluar ditën e shtunë, ai u ka kërkuar që asgjë të mos dalë në media.

Urdhri i ministrit erdhi pas daljes së pamjeve të vrasjes në Rrëshen, por edhe detajeve nga krimi në familje në Paskuqan. Lleshaj ka kërkuar kujdes me porositë që ka dhënë, pasi në të kundërt do të ketë masa.

Përshëndetje të nderuar shefa Komisariatesh dhe sektorësh. Marr shkas nga dalja në media të materialeve procedurale si në rastin e vrasjes në Rrëshen dhe vrasjes në Paskuqan ku dalin detaje të cilat jo vetëm që bëjnë sekret hetimor po skandalizojnë opinionin duke i interpretuar çdo farë personi.

Ju porosis:

Asnjë komunikim me mediat për asnjë lloj argumentimi.

Pasqyrimi i punës suaj do të bëhet nëpërmjet zëdhënësit të drejtorisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme.

Në çdo rast që do të konstatoj do të filloj pa hezitim ecurinë e rëndë disiplinore ndaj jush. Me të njëjtin shqetësim përcilleni të vartësit tuaj këtë mesazh. Nuk dua justifikime për daljen e tyre por ju porosis të jeni të vëmendshëm për ecurinë. Konfirmoni” thuhet në mesazhin e Lleshajt. 

Vetëm në ditët e para të këtij viti janë regjistruar disa ngjarje kriminale, vrasje në Mirditë, Mallakastër, Tropojë dhe në Paskuqan.