Nga arratia, Erjon Llapushi ka reaguar pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin ndaj tij me 17 vite burg për vrasjen e kamerierit Gazmend Kurmakut në tetor të vitit 2021 në Elbasan. Ai ka ndarë për mediat edhe një deklaratë noteriale përmes së cilës pretendon se marrëdhëniet mes dy familjeve janë normalizuar dhe thotë se kërkon drejtësi pasi është dënuar për vrasje me dashje. Por, sipas tij nuk ka pasur konflikt më parë dhe as plan për të vrarë Kurmakun.
“Sot nuk po flas për t’i ikur përgjegjësisë. Po flas për të kërkuar të vërtetën. Një jetë ka humbur. Këtë nuk e kam mohuar kurrë. Përballë dhimbjes së familjes së të ndjerit, kam qëndruar me kokë ulur. Por një tragjedi nuk duhet të kthehet në një padrejtësi tjetër. Unë jam dënuar për vrasje me dashje. Për një ngjarje ku ka pasur vetëm një goditje me grusht. Nuk ka pasur armë. Nuk ka pasur thikë. Nuk ka pasur sende të forta. Nuk ka pasur plan. Nuk ka pasur pritë. Nuk ka pasur konflikt të mëparshëm. Nuk ka pasur njohje të mëparshme. Nuk ka pasur qëllim për të vrarë. Unë nuk po them se nuk ka ndodhur tragjedi. Ka ndodhur. Dhe ajo tragjedi do të më rëndojë gjithë jetën.
Por unë po them se nuk kam vrarë me dashje. Dashja nuk shpiket. Dashja provohet. Nuk mjafton pasoja e rëndë për ta quajtur një njeri vrasës me dashje. Duhet të provohet që ai ka dashur pasojën, ose e ka pranuar atë me ndërgjegje. Unë nuk e kam dashur. Nuk e kam kërkuar. Nuk e kam pranuar vdekjen e askujt. Prandaj pyes publikisht: Si mund të quhet vrasje me dashje një goditje e vetme me grusht? Pa armë. Pa plan. Pa konflikt të mëparshëm. Pa qëllim për të vrarë. Unë nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi. Nuk kërkoj favor. Kërkoj të njëjtin standard si çdo qytetar tjetër. Familja e të ndjerit, me gjithë dhimbjen e saj, ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me familjen time. Kjo është bërë me akt noterial”, thuhet në deklaratë.
Sherri mes tyre, nisi për një tavolinë të rezervuar, ku kryekamarieri, Gazment Kurmaku i tha atë kohë Llapushit, se ajo ishte e zënë dhe nuk duhej të ulej aty. Llapushi kapi nga fyti Kurmakut, e kërcënoi me thikë, e më pas e vrau. 57-vjeçari ndërroi jetë në spital 5 ditë më vonë pas ngjarjes.

Kliko këtu për të lexuar deklaratën e plotë
Komente




