TIRANË- I buzëqeshur para prokurorëve që i kanë mbërritur në spitalin e Traumës për t'i dhënë masën 'arrest me burg', Kreshnik Tusha, i arrestuar për atentatin e dyfishtë në Kurbin, ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen.

Dëshmitë e tij, të zbardhura nga Report Tv, kanë qenë kontradiktore, duke bërë kështu që të shtohen dyshimet se ka qenë ai një nga autorët që kanë qëlluar mbrëmjen e 30 majit drejt Bujar Likës, mikut të Ervis Martinajt dhe Paulin Gjergjit. Përpara prokurorëve, Tusha është shprehur se i kanë bërë atentat atij pranë shtëpisë, sapo po zbriste nga makina, por ndryshe ka deklaruar para bluzave të bardha, të cilëve u ka thënë se është "vetëplagosur aksidentalisht në këmbë".

"Më qëlluan në shtëpi me automatik afër shtëpisë që është gati 1 km larg kompleksit ku ndodhi vrasja e Paulin Gjergjit dhe Bujar Hasanit, nuk është distancë e largët nga shtëpia e tij tek vendi i ngjarjes. Pranë shtëpisë janë gjetur edhe gëzhoja. Më kanë qëlluar, më kanë bërë atentat. Nuk i kam njohur autorët që më kanë qëlluar kam qenë duke ikur natën në shtëpi me makinë sa kam zbritur më kanë qëlluar", tha Tusha para prokurorëve, megjithatë nga hetimet të bëra makina nuk ka asnjë lloj shenje që është qëlluar.

Dyshimet janë të forta se ai është një vrasës me pagesë që ekzekutuar Bujar Likën dhe Paulin Gjergjit. Për këtë korrespondon dhe ora me atentatin, megjithatë pritet përgjigja e analizimit të njollave të gjakut që do të faktojnë ose jo përfshirjen e tij në këtë krim.

Paulin Gjergji dhe Bujar Lika

Si ndodhi atentati?
Tre dëshmi, ajo e banakierit të lokalit dhe dy djemve të viktimës Paulin Gjergji, japin të dhëna mbi karakteristikat e katër personave që morën pjesë në këtë atentat mafioz, por nuk qartësojnë identifikimin e tyre. Djemtë 27  dhe 21-vjeçar kanë pohuar se pa ka kaluar shumë kohë nga hyrja në lokal e babait, shumë shpejt janë shfaqur 4 persona që kanë zbritur nga një makinë, të veshur si policë me veshje të FNSH-së dhe të maskuar. Dy vetë kanë hyrë brenda në lokal, ndërsa 2 të tjerë kanë shkuar në drejtim të makinës ku ndodheshin djemtë e biznesmenit Paulin Gjergji. Kuptohet qartë se atentatorët kanë pasur informacion të saktë se me cilin person ndodhej Bujar Lika, dhe për më tepër kanë pasur të dhëna se biznesmeni Paulin Gjergji, ishte në praninë e djemve të tij. Frika se mos vallë pas sulmit me armë në brendësi të lokalit, do të kishte një kundërpërgjigje nga dy djemtë e Paulin që qëndronin jashtë, ka bërë që katër personat e veshur si policë të ndahen, ku dy kanë qëndruar jashtë dhe kanë mbajtur të neutralizuar djemtë, duke iu prezantuar si polici dhe kanë filluar t’i kontrollojnë fizikisht.

Vetëm kur kanë dëgjuar breshëritë e kallashnikovit dhe të klithmat “na vranë, na vranë” atëherë dy djemtë e biznesmenit Paulin Gjergji, kanë kuptuar gjithçka se s’kishin të bënin me policë por me vrasës të veshur si policë. Njëri nga autorët, i paidentifikuar prej tyre, pasi janë dëgjuar të shtënat në brendësi të lokalit i ka drejtuar armën djalit 21-vjeçar, duke i kërkuar që të mos bëjnë asnjë reagim pasi në të kundërt do i qëllonte. Por sipas burimeve të policisë Laç, 27-vjeçari i është lutur autorëve që të mos i vrisnin vëllanë. Në ikje e sipër, autorët të veshur si policë të FNSH-së, kanë hyrë në automjet dhe janë larguar.

Një tjetër dëshmi e vlefshme është ajo banakierit të lokalit, i cili ka treguar se sapo dy “policët” e maskuar kanë hyrë në lokal, i kanë thirrur në emër Bujar Hasanin dhe më pas kanë qëlluar. Sipas burimeve, Hasani ka marrë një plumb në kokë. Ndërsa pa tij është qëlluar Paulin Gjergji, i cili ka qenë duke vrapuar me shpresën t’i shpëtojë plumbave. Policia thotë se në këtë atentat ka marrë pjesë një skuadër e përbërë nga 7 persona ku njëri ka qëndruar në makinë, dhe 4 të tjerë kanë vepruar. Ndërsa dy të tjerë, besohet se kanë kryer vëzhgimin dhe sinjalizimin e autorëve për vendndodhjen e Bujar Hysenit.

Por kush janë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji?
Bujar Lika kishte në pronësi lokalin "Dea Cafe" në ish-Bllok. Biznesin në Tiranë e kishte në emër të motrës Ardiana Toqi. 37-vjeçari rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e parë në 2016 u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Lika 1 vit burg.

Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra mbrëmë morën pafajësi, ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite, ky i fundit tani i lirë, pasi e kreu dënimin. Viktima Bujar Lika ishte mik i ngushtë i Ervis Martinajt, gjithashtu emër i njohur pas ngjarjes së 2018 në Bllok. Ndërkohë, Paulin Gjergji, i cili deri në 2004-ën e ka pasur mbiemrin, Markaj ka pasur kazino “Vegas” në zonën e  ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Sami Frashëri”.