Në një kohë kur Shqipëria po përjeton prej ditësh protesta të dhunshme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë nga qelia një mesazh për lëvizjet e të rinjve, duke marrë shkas nga fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ai ka uruar studentët serbë për rrëzimin e Aleksandër Vuçiçit, të cilin e quan “makiavelisti dhe populisti i Beogradit”.

Veliaj është ndalur te mesazhi që protestat studentore përcjellin për politikën. “Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”, shkruan ai, duke theksuar se qytetarët dhe politikëbërësit duhet të kuptojnë sa më shpejt nevojat dhe pritshmëritë e brezit të ri.

"Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!

Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.

Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!" shkroi Veliaj në rrjetet e tij sociale.