Megjithëse dy ditë me vonesë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas kërcënimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, duke rrezikuar kështu furnizimin me ujë të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha i ka cilësuar deklaratat e Vuçiç si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.
Teksa thotë se Vuçiç është ‘padroni i kryeministrit Edi Rama’, Berisha akuzon Presidentin serb për një politikë të drejtuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve.
Më tej duke theksuar se Vuçiç po përdor etjen si armë gjenocidale, në emër të PD-së Berisha shkroi se dënonte me forcë deklaratat e Vuçiç, për të cilat tha se janë një akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Reagimi i Berishës:
Do t’ju shterojë uijn!
Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky kërcënim i hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik dëshmon dhe një herë se Presidenti i Serbomadhisë Vuçiç me imagjinatën e tij të sëmurë është i aftë që në një urrejtje të pakufishme ndaj shqiptarëve të planifikojë përdorimin edhe të etjes si armë genocidale ndaj etnisë së tyre dhe vendit fqinj.
Partia Demokratike dënon me forcë një kërcënim të tillë si akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Lajmi kryesor:
‘Serbia e humbi Kosovën, hartat janë më pak të gatshme për kompromis’, Rama i përgjigjet Vuçiçit për Ibrin: Lumenjtë ndjekin gjeografinë dhe jo bisedat diplomatike










