Parlamenti i Serbisë ka miratuar një paketë ligjesh që kufizojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Këto ndryshime ligjore po ngjallin shqetësime pasi konsiderohen si shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve.

138 deputetë votuan pro paketës ligjore, ndërsa 37 kundër.

Ligjet e ndryshuara i japin presidentit Aleksandër Vuçiç mundësi më të mëdha për të ndërhyrë në punët e prokurorisë publike dhe të gjyqësorit.

Konkretisht janë miratuar: Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për selitë dhe juridiksionin e gjykatave dhe prokurorive publike, Ligji për ndryshimet e Ligjit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin dhe kompetencat e organeve shtetërore për luftën kundër krimit të teknologjisë së lartë, Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurorinë Publike, si dhe propozimi për ndryshimin e Ligjit për gjyqtarët.

Kritikët i shohin këto zhvillime si një hap pas në standardet demokratike të vendit. Sipas tyre, dobësimi i pavarësisë së gjyqësorit rrezikon balancën institucionale dhe forcon më tej pushtetin e ekzekutivit në Serbi, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e parimeve themelore demokratike dhe sundimin e ligjit.

Serbia i ka nisur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014, por përparimi ka ngecur prej vitesh.