Skënder Minxhozi: Vula e humbur e PD zyrtare në zgjedhjet e 14 majit

Skënder Minxhozi: Vula e humbur e PD zyrtare në zgjedhjet e 14 majit

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj

A mund të sillet një parti e madhe që ka qeverisur Shqipërinë për 13 vjet, si një forcë politike e vogël që lufton të marrë ndonjë post këshilltari bashkiak në Shkodër, Vlorë apo Durrës? A mund të mungojë në një takim të madh kombëtar, siç janë zgjedhjet, një stemë që përfaqëson gjysmën e trashëgimisë politike të tranzicionit shqiptar? Dikush mund të thotë se opozita nuk do të mungojë në 14 maj pasi do të kandidojnë Berisha dhe Meta me koalicionin e tyre. E vërtetë edhe kjo, por ja që mpakja e stemës zyrtare të PD në fletët e votimit është një vakum që s’mund të kalojë pa rënë në sy. Zgjedhjet janë veç të tjerash, edhe një garë simbolesh.

Partia Demokratike zyrtare, ajo pjesë e PD që mban ende jakën e xhaketës stemën zyrtare blu me simbolin PD të stilizuar që e njohin të gjithë që nga fundi i vitit 1990, ka vendosur me vullnetin e saj që të neglizhojë rreth 75 përqind të pushtetit që do të ofrohet në 14 maj përmes zgjedhjeve lokale. Ka debatuar me orë të tëra, për të vendosur në fund që do të garojë vetëm për 25 përqind të vendeve për kryetar bashkie në rang vendi. Një tërheqje e pashoqe në një garë kombëtare elektorale, nga një parti dikur e madhe, që sot i ngjan një pasqyre të thyer në njëmijë copa.

Kjo që bën sot Alibeaj dhe të tjerët me simbolin politik që përfaqësojnë, është një kapitullim në stil të gjerë para Ramës dhe Berishës. Një zbythje pa lavdi në fushën e betejës zgjedhore, që zbulon konturet reale të asaj pjese të partisë që ende kontrollojnë. Dhe që janë tejet të vogla e pa peshë.

Pa asnjë shpjegim bindës, kundërshtarët e Doktorit brenda PD fillimisht u përpoqën të përdorin firmën e munguar të Lulzim Bashës për të mos hyrë fare në zgjedhje. Shumëkush e kupton sot se debati shterpë me Celibashin, në lidhje me firmën e Lulzim Bashës, paska fshehur një krizë të thellë, që në fakt ka qenë pjesërisht e dukshme edhe pa zgjedhjet e 14 majit në mes. Është e lexueshme gjithashtu edhe përse vetë Basha, i cili refuzon të certifikojë në gjykatë dorëheqjen nga partia, është fshehur dhe hesht në mesin e një fushate elektorale.

Demokratët “me vulë” do të duhet t’ju shpjegojnë sot e deri në ditën e zgjedhjeve mbështetësve të tyre, se përse fjala vjen PD-ja zyrtare ka kandidat për bashkinë e Mallakastrës por jo për atë të Vlorës, se pse kandidon në Lezhë por jo në kryeqendrën e të djathtës, në Shkodër, se pse ka gjetur një emër vetëm për Poliçanin por jo për Gjirokastrën. Do të duhet të shpjegojnë gjithashtu se cila është arsyeja që partia me stemën zyrtare të opozitës në xhep, nuk gjeti dot dy burra apo gra me reputacion dhe emër të mirë për dy qytete madhore si Durrësi dhe Elbasani. Si do të justifikohet Alibeaj përballë atyre opozitarëve që do të donin t’i votonin kandidatët për kryetar të PD zyrtare në këto bashki, por nuk do të mund ta bëjnë diçka të tillë?!

Harta laramane e kandidimeve që kjo pjesë e PD po i ofron sot shqiptarëve, është parathënia më e keqe jo për 14 majin, pasi atë e kanë humbur ende pa nisur, por për diçka shumë më të madhe sesa një garë për Durrësin e Shkodrën. Kjo tërheqje e pakuptimtë dhe frikacake është një parathënie e errët për luftën gjyqësore rreth simboleve zyrtare të partisë, që do të vijojë me shumë gjasë pas zgjedhjeve. Një fraksion i partisë që nuk arrin të mbulojë territorin me kandidatura, as që ja vlen të merret parasysh nga ndonjë gjyqtar, si pretendent për stemën dhe vulën zyrtare.

Kur nuk ja dolën të kenë të paktën një fushatë të ngjashme me Berishën, pse ngrefosen nëpër studio sikur po ja dalin të maten me të?! Derisa i hapën krahun kandidatëve të Foltores nëpër tre të katërtat e bashkive, pse vijojnë të pretendojnë se janë diçka e ndryshme nga Sali Berisha dhe pala e tij në PD?! Bashkohuni  me ta më mirë që të kamufloni të paktën sa të mundeni humbjen përballë ish-shefit të rikthyer.

Me këtë fund pa lavdi, antiberishizmi brenda PD vijon të mbetet një foshnje e vdekur. Fundi politik i Berishës do të vijë gradualisht nga mosha dhe humbja e peshës politike në vend, e jo nga ndonjë përmbysje brenda pallatit. Sepse veç të tjerash, edhe pallatin Doktori e ka marrë për vete me hunj e shkallë zjarrfikësash në 8 janar, duke i nxjerrë në zyra me qera këta të vulës.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 27/03/2023 17:02

    Si Berisha e Alibej nje topmuti jane. Brume i thartuar. Gatuar me uje Lane.

    Përgjigju
    • Franci: 28/03/2023 08:23

      Ky grupim doli kundra Berishes vetem sepse e kerkuan SHBA, por ne fakt jane njelloj te brumosur me mentalitet e filozofi jane “ berishiane “.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Drejt përfundimit shkolla 'Jusuf Hoti' në Katund të Ri, Rama ndan pamjet (VIDEO)

Durrës/ Drejt përfundimit shkolla 'Jusuf Hoti' në Katund të Ri, Rama ndan pamjet (VIDEO)