PRISHTINË, 28 Nëntor/ATSH/.- Komuna e Vushtrrisë për festimin e 102 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të kujtuar festat e tjera të kombit shqiptar, që lidhen me këtë datë, organizoi manifestim në Shtëpinë e Kulturës "Hasan Prishtina".
Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Rama, e cila tha se "sot po festohet një datë tepër e veçantë për kombin shqiptar".
"Populli shqiptar ndër shekuj derdhi gjak për tokën tonë. U sprovuam, na dëbuan, na i dogjën shtëpitë, na vranë, por ne përsëri lindëm, përsëri filluam jetën në këtë tokë, sepse ishte e jona. Diçka që ta jep Zoti, s'mund të ta marrë as fuqia më e madhe e botës", tha drejtoresha Rama.
Një fjalim rasti mbajti edhe historiani vushtrrias, Izet Miftari, i cili u shpreh se "populli shqiptar padyshim që është populli më i vjetër, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë".
"28 nëntori është datë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, pasi na lidh me Skënderbeun, datëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci nga Llausha, i cili ishte vrarë nga policia pushtuese serbe në Kosovë", tha Miftari.
Në këtë manifestim u shfaq edhe një program i pasur kulturoro-artistik, ku performoi ansambli i valleve dhe kënduan disa këngëtarë vushtrrias./k.s/