Withers: Të dëgjohet Arvizu
Korrupsioni ushqen qeverinë

Withers: Të dëgjohet Arvizu<br />Korrupsioni ushqen qeverinë
TIRANE - Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, i ftuar në emisionin "Airport" të gazetares Mira Kazhani, në tv."A1Report!' u kërkoi shqiptarëve që të dëgjojnë Arvizunë dhe jo fjalët e Moore.

Duke hequr dorashkat e diplomatit, Withers e ka kritikuar ashpër qeverinë shqiptare për marrëdhëniet e njëanshme që përpiqet të krijojë me zyrtarë amerikanë, si Moore, grupe lobimi etj, pa dëgjuar të parin zërin e atij që është përfaqësuesi personal i Presidentit Obama, ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Arvizu.

Withers hoqi dorashkat dhe akuzoi qeverinë e Kryeministrit Berisha për nivelin e lartë të korrupsionit që ka instaluar në vend, sa duket, siç shprehet ai në një moment, "sikur qeveria ushqehet prej tij". Madje, korrupsioni është bërë arsyeja kryesore që marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në janë larg asaj që duhej të ishin; kompanitë amerikane hezitojnë të vijnë në një vend me pagesa të larta ryshfetesh dhe kjo përbën dhe dështimin më madh të kësaj qeverie. Withers solli edhe rastin e rreth 400 milionë USD, që  rezultonin të kishin dalë jashtë vendit, gati 1/3 e buxhetit të shtetit, duke pyetur sesa shumë do t'i kishin shërbyer ato qytetarëve shqiptarë.

Lidhur me drejtësinë, ish-ambasadori e tha hapur se "kjo është një qeveri që në mënyrë sistematike ka sulmuar institucionet e drejtësisë, aq sa duket se ato nuk funksionojnë më. Sulmon median, zërat e pavarur dhe po përpiqet të heshtë këto zëra. Humbja e besimit, humbja e idealizimit ka qënë dhe një nga gjërat më fatkeqe që ka ndodhur gjatëkryeministrit Berisha, se ka shtypur ëndrrat, aspiratat e jetës dhe kjo është arsyeja pse duhet demokracia, - theksoi ai.Ndaj, ai në fund të fjalës së tij, u bëri një thirrje qytetarëve shqiptarë që ata të mos lejojnë që zëri i tyre  të heshtet; që ata ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të mos priren nga fatalizmi se nuk duhet votuar. Përkundrazi, ai e theksoi: Shqipërisë i duhet të ringjallë demokracinë, Shqipëria ka nevojë për ripërtëritje.

PJESE NGA INTERVISTA E ISH-AMBASADORIT JOHN WITHERS 

"Unë kam udhëtuar në gjithë Shqipërinë", - tha Withers, - "dhe kam takuar njerëz të mrekullueshëm në të gjithë vendin. Ata janë njerëz të përkushtuar për vlerat e mira të jetës. Po bëjnë të pamundurën për veten, familjen, prindërit, vendin e tyre dhe unë gjithnjë e kam ndier ngrohtësinë e tyre, humorin, shpirtin mikpritës e bujar të shqiptarëve.
 
Z.Withers, mbaj mend që ju keni pasur fjalime të mrekullueshme, në formë përrallash ose historish. A mund ta shpjegoni historinë e tanishme të Shqipërisë nëpërmjet një përralle apo historie?

Po, mundem. Kujtoj atë historinë tragjike të Rozafës, që u flijua në themelet e kështjellës së Shkodrës dhe pati vetëm një kërkesë: Të ushqente fëmijën e saj. Dhe unë mendoj që qeveria e tanishme po përpiqet që ta zhvarrosë. Pra, këto zgjedhje kanë të bëjnë me të ringjallurit e demokracisë, me nxjerrjen nga varri, me çlirimin nga varri.

Kemi disa prononcime nga zyrtarë amerikanë, si Moore, por edhe prononcime nga ambasadori amerikan në Tiranë. Si mendoni, kush e përfaqëson politikën e qeverisë së SHBA-së këtu?
 
Nuk kam njohuri të drejtpërdrejta nga ato që ndodhin në DASH, por më duhet të kem njohuri më specifike për ato që ka thënë Moore në Tiranë. Unë e njoh atë. Ajo që do të thosha unë është kjo: Në çfarëdo lloj toni që mund t'i dëgjojnë, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm kur t'i dëgjojnë këto mesazhe. Mënyra më e mirë është që të dëgjohet ambasadori i SHBA në Shqipëri, Arvizu. Ai është zyrtari më i lartë i politikës amerikane në Shqipëri. Edhe Moore është shumë i rëndësishëm, por nuk është përfaqësuesi personal i Obamës.

Duket sikur ka pasur një ftohje në marrëdhëniet e kryeministrit Berisha me ambasadorin amerikan. Po me ju, ka ndodhur?

Nuk ka pasur mungesë komunikimi mes meje dhe kryeministrit Berisha. Ne kemi komunikuar shpesh në mënyrë të hapur dhe të sinqertë. Mund të mos kemi qënë edhe dakord, por në mënyrë absolute e dinim se cila ishte politika e SHBA-së. Natyrisht që kjo ftohje do ishte shqetësuese, jo vetëm për ambasadorin amerikan, por edhe të tjerët para tij nëse në një moment të caktuar do të sulmoheshin nga kryeministri Berisha. Kjo është vërtet ironike në fakt, sesi ka mundësi që kryeministri që thotë se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së janë shumë të mira dhe nga ana tjetër nuk shkon mirë me përfaqësuesin e SHBA-së. Puna qëndron këtu: që çdo ambasador amerikan ka për detyrë të përfaqësojë interesat e popullit amerikan, pra të thotë të vërtetën. Në një demokraci ne flasim në mënyrë të hapur dhe do japim mendim edhe për një gjë që ndoshta ty nuk të pëlqen ta dëgjosh. Pra, ambasadori amerikan e sheh atë që ndodh, flet për atë dhe kryeministri i hedh ato poshtë sepse nuk ka dëshirë ta dëgjojë të vërtetën ashtu siç shprehet ajo.

Po çfarë interesash ka SHBA, në Shqipëri? Investimet, për shembull?

Mendoj që kjo është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë, që interesat me amerikanët nuk janë stimuluar në mënyrë të plotë. Besoj se një nga elementët kritikë është kjo. Unë në fakt besoja se e toleronte korrupsionin, por korrupsioni tani ka arritur në nivele aq të larta në Shqipëri sa unë besoj se qeveria ushqehet nga korrupsioni, nga këto të mira që fitohen jo në mënyrën e duhur. Unë madje kam lexuar që 1/3 e buxhetit kombëtar, 400 milionë dollarë janë nxjerrë në mënyrë të jashtë ligjshme jashtë vendit. Mendoj se mjedisi është aq i korruptuar dhe qeveria nuk ka interesat e popullsisë, por që synon të pasurojë miqtë e vet në radhë të parë. Pikërisht, pse duhet të vijë një kompani amerikane në Shqipëri kur ka probleme korrupsioni e duhet të japë ryshfete kur mund të shkojë në një vend tjetër ku nuk ka të tilla probleme. Një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie është dështimi për të krijuar një bashkëpunim ndërmjet investitorëve amerikanë dhe Shqipërisë.

Në këtë fushatë lakohen dy emra më shumë, Berisha dhe Rama…
 

Unë mendoj që nuk varet nga personat, por nga politikat. Me sa shoh unë, në 7-8 vitet e fundit, qeveria ka pasur mundësinë të bëjë këtë e atë dhe nuk i ka bërë. Premton tani se do gjejë punë. Por pse nuk i ka gjetur punët më parë? Këto mund të ishin bërë gjatë këtyre 7-8 viteve. Janë dhe disa fantazi aspak realiste si p.sh kjo heqja e vizave me SHBA-në sepse kriteret për të pasur këtë fatkeqësisht Shqipëria nuk i përmbush dhe qeveria as mund të negociojë për to, se bëhen me akte të Kongresit.

Mua më duket mua sikur këto zgjedhje duhet të jenë për ndryshim, që çdo shqiptar të mendojë dhe të pyesë veten: Si është jeta ime tani?  A mundet që kjo qeveri që unë duke jetuar e punuar në këtë, duke u përkushtuar,  të bëjë diçka që unë të arrij nivelin e aspiratave të mia. Atëherë, nëse jo, jepjani këtë mundësi disa aspiratave të tjera.
 
Shqipëria pra, ka nevojë për rilindje?
 
Shqipëria ka nevojë për ripërtëritje. Kur isha në nëntor, në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, u çudita nga një ndjenjë dekurajimi që pashë dhe kuptova nga njerëzit me të cilët fola,  më kuptoni, ishin njerëz nga gjithë spektri politik, jo vetëm nga opozita, ku pashë këtë ndjenjë dekurajimi. Kjo duhet tejkaluar, sepse fatalizmi nuk është përgjigje. Edhe nëse gjerat nuk janë tërësisht të përsosura, ndryshimi është rruga e duhur. Kam lexuar së fundi z.Fatos Lubonja që thoshte: Mos votoni! Jo, nuk jam dakord, se të mos votosh është të priresh nga fatalizmi, të privohesh nga një e drejtë e mrekullueshme për të cilën të parët tuaj kanë punuar. Të mos votosh është nëj formë dorëzimi. Dhe unë do t’i kërkoja çdo zgjedhësi të dalë e të hedhë votën.

Kjo është një qeveri që në mënyrë sistematike ka sulmuar institucionet e drejtësisë, aq sa duket se ato nuk funksionojnë më. Sulmon median, zërat e pavarur dhe po përpiqet të heshtë këto zëra. Qytetarë shqiptarë: Mos lejoni që zëri juaj të heshtet! Ju dhe vetëm ju duhet të guxoni që në mendimet tuaja të keni fatin e kombit tuaj. Sepse ju e keni në dorë që ata të mos kenë mundësi t’ju shkatërrojnë,  të marrin paratë tuaja t’i çojnë jashtë shtetit, t'ju privojnë nga e ardhmja e fëmijëve tuaj.
 
Qytetarët shqiptarë gjithmonë dëshirojnë të dëgjojnë mesazhe nga të huajt. Për shembull, unë do doja të dëgjoja më shumë elitën tonë shqiptare. Pse mendoni se disa nga mendjet tona më të ndritura heshtin, nuk flasin?
 

Kjo është një pyetje me vend. Nuk është se kam përgjigjen e saktë për të. Por mendoj se është e rëndësishme që intelektualët shqiptarë të formëzojnë vizionin që do të ketë Shqipëria, si z.Kadare apo dhe një intelektual tjetër në Kosovë, z.Qosja, që kam nisur ta lexoj e të tjerë; Pra, ka një fuqi të madhe intelektuale që duhet të zëvendësojë atë theks të madh që vihet tek të huajt. Por, ka dhe zëra të tjera, si udhëheqësit fetarë, që mund të flasin për atë që quhet çështje njerëzore, si psh po flet edhe Papa. Do inkurajoja udhëheqësit fetarë ta bëjnë këtë, por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Do ishte mirë që ky zë të dëgjohet në një skenë edhe më të gjërë.
 
Çfarë mund të thoni për të ardhmen?
 
Jam takuar me një gazetare kur isha në Shqipëri dhe ajo kishte shkruar diçka për mua që isha idealist dhe idealizmi nuk ka vend në Shqipëri. Atëhërë ne bëmë një intervistë për këtë temë. Humbja e besimit, humbja e idealizimit ka qënë dhe një nga gjërat më fatkeqe që ka ndodhur gjatëkryeministrit Berisha, se ka shtypur ëndrrat, aspiratat e jetës dhe kjo është arsyeja pse duhet demokracia. Jo se demokracia është një ideal, por një mënyrë pragmatike për të arritur gjera pragmatike që Shqipëria do. Ne nuk shikojmë sundimin e ligjit; ai është dëmtuar rëndë dhe duket sikur funksionon vetëm për ata që kanë pushtetin. Pra, na duhet t’i çlirojmë institucionet nga kontrolli që ekziston tani i  Kryeministrit Berisha dhe t’i lemë ato tiI përgjigjen ligjit. Ndaj kjo është arsyeja pse në këto zgjedhje njerëzit duhet të votojnë duke hedhur poshtë ata që kanë hedhur poshtë demokracinë. Dhe kështu Shqipëria do shohë drejt së ardhmes. E di që ka cinizëm, që njerëzit ndihen të dekurajuar nga gjërat që kanë ndodhur, por njerëzit me votën e tyre duhet të vendosin të ardhmen e tyre.
 
Sipas mendimit tuaj, a do jetë e mundur që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme?
 
Jam i shqetësuar për atë nëse zgjedhjet do jenë të lira. Kam parë një raport që doli nga misioni i ODIHR-it, kur rreth 300 mijë persona s’kanë adresën e saktë e në rast se privohen nga vota, do ndikojnë tek mandatet në Parlament. Jam ende i shqetësuar për KQZ-në, nuk ka qënë ndonjë organizëm shumë i fortë edhe në zgjedhjet e mëparshme. E dimë që më parë se mund të manipulohej, por tani shohim me shqetësim si mund të funksionojë me legjitimitet. Unë e kam quajtur veprimin e Parlamentit kundër KQZ-së një “grusht shteti administrativ” dhe kjo deklaratë nuk është mjaftueshmërisht e fortë. Si mundet që një strukturë kaq qëndrore për të vendosur për zgjedhjet është në këtë gjendje?! Përsa i përket datës 24 qershor, shpresoj që do jetë një agim i ri, agimi i ndryshimit dhe ato që kanë ndodhur deri më tani do ndalohen nga veprimet e zgjedhësve shqiptarë. Më lejoni që për një minutë të ndaj me ju diçka. Po lexoja një pjesë nga Gjergj Fishta, nga “Lahuta e Malcisë”, në të cilën thuhet një gjë që është shumë e rëndësishme për atë që po ndodh. Ka ardhur koha që premtimi që flet Fishta, lirisë së mendjes së shqiptarëvem është bërë, mendja e shqiptarëve është maturuar. Fjala ime e fundit është që shqiptarët të marrin demokracinë e tyre. 
 
withers ne Airport

(Foto: Mira Kazhani dhe Withers ne emisionin Airport)

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjikondi: Ja taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme! Ja pse administrata Trump nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës

Gjikondi: Ja taktika e çiftit Meta-Kryemadhi për të shpëtuar pronat e vendosura në mënyrë të paligjshme! Ja pse administrata Trump nuk do t’i heqë ‘non-gratën’ Berishës