Xhest Jeshil

Xhest Jeshil
Xha Tani, autor i ciklit me poezi ''Xhest jeshil'',vjen për suplementin Rilindasi, pas shumë përpjekjesh mes botuesish shqiptarë, për faktin mjaft ''kokëfortë”, i cili nuk mundi dot t'i ndalë çmimin e librit ''Sytë e shkretëtirës'' prej 999 usd. Sikurse dihet prej më shumë se dy dekadash, Xha Tani, rreket që të divorcojë njëherë e përgjithmonë, çmimin e një misri të pjekur, dhe librit që shitet përkarshi urës së Lanës, pasi dija, nuk mund të shpërfillet dhe të kërcënohet kësisoj.

Kompania ''Servisoft'' platformë dixhitale, internet-iptv-telefoni, me qendër në Cërrik dhe shtrirje në gjithë qarkun e Elbasanit, tashmë bëri realitet këtë libër. Ai do të vijë për mbarë lexuesin shqiptar në pranverë të këtij viti, falë bashkëpunimit me shtëpinë botuese “Agolli”.
 
1)
I hodha kujtimet
në mangallin me hi
aty padyshim do kesh qenë dhe ti
 
Pastaj fillova një këngë
një ninullë
nga zemra e nxora dhe drun'ë
 
I grisa dhe fotot
bardhë e zi
i dogja të gjitha ç'qenë vetmi
 
Ja nisa nga e para
u vesha me të bardha
në kërkim të rrugëve të arta
 
 
2)
Ti sa herë hapur do ta gjesh
derën e shtëpisë sime
 
Edhe shilten me lëvozhgat
e bajameve në mes të dhomës
 
Do gjesh fotografitë tona
atë me qafën zbuluar
 
që unë e doja aq shumë
edhe kur skuqesha nga turpi
 
Pastaj do shohësh pandoflat
e pikturuara me lulëkuqe
 
dhe kuadratat e pllakave
që i zgjodhe vet'
 
Ti sa herë hapur do ta gjesh
derën e shtëpisë sime
 
por k'të radhë mbi oborr
do t'kenë çelur trëndafilat dimërorë.
......
 
3)
Të gjithë të braktisin
një ditë
dhe lulja që ti e ujit
largohen pa thënë asnjë fjalë
si lot që mbetet pa tharë
 
Dëshira , premtime dhe ëndrra
do çelin në zemra të ëmbla
do rriten , do ecin , do vdesin
tulipanë për ty do të mbesin
 
Dhe unë nuk kam ku trokas
të kthehem , të shkojë , të bërtas
sirenat në det po gjëmojnë
dashuria ktë stinë s'më mjaftoi
 
Të gjithë të braktisin
një ditë
e di , për këtë nuk kam frikë
kam hapur dritaren të pres
zogjtë , të vetmit miq të shenjt
 
......
4)
Më vjen keq
që sonte nuk do të të këndoj
as një varg nga ato
që të ngopin aq shumë
sepse edhe zëri i ngjan pavionit
me shiringa të përgjysmuara nga dhimbjet.
 
Nuk dua t'i mbash ndezur dritat !
në shpirt kam mbjell
aq shumë trisht
sa që asgjë nuk vezullon
edhe sikur cdo zemër
të ketë një diell
të vetin.
 
Sonte dua një lodër
apo një ketër
që vrapon çiltërsisht
në emër të jetës
pa kokëçarjen intrigante
të moskamjes
 
Më vjen keq
që sonte do t'i mbyll
portat dhe dritaret
do t'i gozhdoj
centimetër për centimetër
ëndrrat, kujtimet, miqtë
dhe gjithë fotografitë
e gënjeshtërta ...
më mjaftojnë dy minuta për muzikën
dhe sekondat e fundit
ja dhuroj me gjithë shpirt
shpresës
si vegim i së nesërmes
nëse vjen
 
......
 
5)
Poezitë e vjeshtës
janë paragrafi i tretë
në romanet dimërore
që na trishtojnë aq shumë
veçse , në fund
zgjatet pambarimisht
një puthje
e pavdekshme
 
Janë të njëllojta
me mijra ëndrra
që i kemi thurrur
për ti besuar
por edhe për t'ja shitur
veht-vehtes
me çmimin e një loti
të vetëm
 
Vargje për vjeshtën
ka edhe brenda një akorjumi me peshq të vegjël
të kuq
me shirita dritëzash
të verdha
të paracaktuara më parë
për të na sjellë të padukshme
një copëz parajsë
vjolë

.....
 
6)
Mbetën në udhëkryq gjithë
ëndrrat
ne kuratorët e zemrave
duarzbrazur
vozisim lumturinë me
lejlekë
 
......
 
7)
Po të kem një vajzë prej
dielli
më besoni
do t'ju shkrijë në dorë
ose, do t'pëshpërisë ndër
dhëmbë emrin tim.
 
Po të kem një ëndërr
vjeshte
ta dini
se nuk e shpika unë
lumturinë
veçse për të jetova kaq gjatë.
 
Po të kem një kukull
qelqi
është e vërtet
kështu e doja
Dashurinë.
 
8)
Kam dëshpërimin tim sa një mal
dhe çdo herë luaj me të
aq sa dhe ditët mbulohen
me një cikël gri të panjohur.
Dua të përkundem në
lisharësen e andrrallave
të mbush një shtëpi me zjarr
ku mëngjesi të na zgjojë bashkë.
 
Kam dëshpërimin tim
më të madh në bot
më të bukrin mbi dhe
kam qëllimin e mirë
kam fobi abstrakte
për t'u ndjerë
Atdhe.
 
......
 
9)
U zgjua Tirana
me ëndrrën e madhe
me shalët e bardha
ashensorin e prishur
dhe festat pagane
-         -         -
U zgjua Tirana
pa qumështin e fshatit
pa rrathët e fatit
me zemrën e thyer
demonstratat shpërthyen
-      -        -
I thurrur nga guri
i shtypur nga burri
po presin të lindin
fëmijët pa prindin
-      -       -
U zgjua Tirana
edhe këtë mëngjes të nxehtë
vrapojnë turma njerzish
vrapojnë dhe shurdh-memec
 
.....
 
10)
Ndarja është kufiri
tangenteve me biseda të marra
barrierë e një puthjeje të padukshme
ose maji i shndrruar nga lejlaja
 
Dhe unë shoh pasqyrën
dhe asgjë tjetër
nuk ndriçon si më parë
pastaj mbledh copat
e qetësohem
si fëmija nga e qara
 
Kufiri është si ndarja
por ka një fytyrë me dy anë
në sejcilën prej tyre jam unë
e gjithkund, ajër anë e mbanë
 
Tash e tutje
po fle në jastëk të butë
me pupla të artë.
 
.....
11)
Lamtumirë
o shprehje kaq e shenjt
o timbër vrasës
por me një personalitet ushtarak;
 
Tani po heq këpucët
e muaxhirit
dhe po pastroj jakat e bardha
të marinarit
 
Po vendos me imtësi
librat e ndaluar mbi rafte të grirë
që babai
ta gjej gati përqafimin
 
Pastaj
do të shtrihem në minderin e vjetër
[me molat gërryese]
për një gjumë të thellë
të pafundm.
 
.....
12)
Po vijnë gazmorët
veshur me ngjyrat e ylberit
me kapelet stërgjatëse krishtlindjesh
e me gjithëçfarë vallesh të harruara
Me djepin përkundur
me trenat imagjinarë
të veshur kllounët
që na bëjnë të qajmë
Qyteti mbushur me dallgë
mashtron dhe hënën aq lart
kordelet e verdha i var
si lulet e kuqe mbi varr
Po vijnë gazmorët
edhe këtë vit për dreq
dhe unë dritare si kukuth
kaq shumë pranverën pres...
 
......
13)
Ku t'i gjej dy pika lot
Të shes shpirt
E s'i ble dot.
Të marr anë
Të marr mëhalla
Të këpus gjithë lule-boret
Nënës t'ja stolis kurora.
Do t'i mbjell tek kokë e varrit
Trëndelina me blerime
Do ti bëhem degë e gjallë
Ta freskoj e të qaj hall'...
 
.......
 
14)
 Unë nuk kam vdekur akoma
 veçse ruleta e inflacionit tim ka ndryshuar shigjetë
 dhe ngjyrat që përbënin lojën
 kanë ndryshuar.
 Unë, nuk vdes kurrë!
 brenda meje
 ka mbirë një trung i përjetshëm
 që pi ujë mbi majat e atyre maleve gri.
 Mbështes kokën
 dhe habitem si kam vdekur njëher' i ri.
 Çuditeni?!
 Ju falem o njerëz të mirë!
 A e mbani mend si keni jetuar më parë?
 Si jeni vdekur e ringjallur sërish ?
 Hesht. Pusho. Mos fol. Jezit...
 Gjykata e supremit shtetëror më tha;
 Akuzohesh për zhgënjim dhe trill
 si dhe një fjalor-mbajtës pa leje
 përfshi këtu liri't pa kufij...
 Dhe ja;
 Megjithkëtë unë nuk di të vdes!
 Porsa kam filluar të dua një shpirt
 që ndez dhe ngroh pambarimisht
 të vetmen lutje të përgjakshme, të përjetshme që s'fle.
 Nënshtrohem para teje Zoti im
 si i vetmi besim dhe kuptim
 tretem dhe shkrihem te jem
 të paktën një herë, një lule bli.
 Qëllimi i së cilës
 ish aroma që do jepja për njerëzit
 e kësaj bote pa liri!
 Unë nuk vdes kurrë...
 kur zemra e ndarë në dysh
 është emblema e flamurit tim.
 Dhe ju të gjithë
 të ndarë në katërqind fish
 jeni copëza
 trup
 tragjedish...


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf