‘Xhorxhi, nga Durrësi, kur ishte në qeli, u njoh me një vajzë të dënuar nga familja Toptani dhe…’/ Historia e rrallë e burgjeve të komunizmit

‘Xhorxhi, nga Durrësi, kur ishte në qeli, u njoh me një vajzë të dënuar nga familja Toptani dhe…’/ Historia e rrallë e burgjeve të komunizmit

Foto ilustruese

Memorie.al/ Ndër vitet e gjata që kanë kaluar qysh kurse u ndërtua, ajo shtëpia e thjeshtë në fund të bulevardit të Durrësit, mu përballë derës kryesore të Portit, ka parë shumë histori të çuditshme. Por më interesantja, dua të besoj se ka qenë ajo që ka ngjarë brenda mureve të saj. Këtu ka banuar qysh nga fillimi një familje e nderuar, që kishte një djalë që quhej Xhoxh Koçi. Të shumtë janë ata që e kanë njohur atë burrë të gjatë e të pashëm, që dilte shpesh mbi murin rrethues të avllisë së vogël, që ishte ngjitur me shkallët e gurta që çonin në katin e dytë.

Përfundoni me dhimbjen e kyceve në një kohë të shkurtër me këtë metodë shtëpiake

Kur  Xhoxhi ishte i ri,  ishte shumë i dhënë pas peshkimit. Aso kohe, peshk kishte plot si deti ashtu edhe tregu por kënaqësia e këtyre tipave, ishte kur e kapnin atë vetë. Bëheshin tre a katër shokë dhe në orën e caktuar, pasi merrnin ndonjë trastë, grepat, kallamat e krimbat që i mblidhte ai, që jetonte sipër në kodër, uleshin në rërën e bregut dhe prisnin me durim. Mirëpo një ditë, si për bela, ai djali i kodrës, nuk solli krimba, por një kallëp dinamiti, fitil zjarr përcjellës dhe një kapsollë detonatorë.

– Do na hapësh ndonjë punë – i tha Xhoxhi. – Ça flet o burrë! Kjo për pesë minuta mbush gjithë lagjen me peshk. Pa ç`pa Xhoxhi dhe ashtu si me përtesë u bashkua me shokët. U larguan pak nga vendi i zakonshëm, që të mos i shihnin dhe ai që e solli atë kallëp dinamiti i cili e kishte kryer shërbimin ushtarak dhe e njihte mënyrën e përdorimit të tij, pasi e përgatiti, e ndezi me cigare fitilin dhe e flaku tutje në det. U bë një zhurmë e madhe dhe u ngritën disa dallgë si rrathë koncentrikë, që u përhapën gjithandej. S`kaloi shumë dhe kur gjithçka u qetësua, peshqit filluan të dalin në sipërfaqe me barkun e bardhë lart.

Djemtë kërcyen përpjetë nga kënaqësia, por edhe u ndjenë mirë, kur vunë re se nuk i kishte parë kush. Zunë të mbushnin trastat me shpejtësi dhe t`i nxirrnin në breg. Aty nuk e zgjatën shumë, dhe duke folur e duke qeshur, me trastat në kurriz, morën rrugën e kthimit. Mirëpo, ishin gëzuar para kohe, pasi dikush i kishte parë dhe i kishte raportuar në Degën e Punëve të Brendshme.

Mbas dite vonë, në derën e shtëpisë së Xhoxhit, trokiti një polic që njihej, pasi ishte i plotfuqishmi i lagjes. Ai kërkoi Xhoxhin i cili sapo ishte kthyer nga shpërndarja e peshkut nëpër komshinj dhe i tha të vinte me të, se kishin për të sqaruar diçka në zyrë. E ëma që po merrej me skuqjen e qefullit për darkë, doli dhe e pyeti policin se përse po e merrnin të birin.

– Do kthehet shpejt – u përgjigj ai dhe të dy u drejtuan nga Rajoni i Policisë. Rrugës, thuajse nuk folën fare, por Xhoxhit ku nuk i shkonte mendja: “Mos kam folur gjëkund me ndonjërin për gjëra që s`duhet? Mundet të më kenë parë kur takova ata dy marinarët polakë. Po unë s`u thashë gjë atyre. Le që as më pyetën për ndonjë gjë të dyshimtë. Donin të dinin se ku kishte ndonjë birrari. Apo do të më vënë ndonjë detyrë ata të sigurimit. Edhe kjo më duhet.

”Kur mbërritën në korridorin e madh e të ndriçuar keq të Rajonit, polici pasi ju paraqit oficerit të rojës, një togeri të cilit rripi krahaqafë i varej poshtë barkut, i tha se: – Ky është ai djali. Xhoxhi, aty për aty, nuk e kapi kuptimin e këtyre fjalëve, por kur ai oficeri i shëndoshë urdhëroi një vartësin e tij, edhe ai me shiritin e kuq në krah, që ta shpinte në birucë e kuptoi se puna nuk ishte dhe aq e thjeshtë. Këtë e mësoi më mirë, kur në atë birucë të qelbur që kutërbonte era myk, pa shokët e tij të peshkimit.

– Të thashë për atë dreq dinamiti…  Ja tani, hajde duro këta. Ti e di se është e kundra-ligjshme. Ne s`ishim keq… – Mos e merr kështu, mor burrë. – ja ktheu shoku. – Çdo na bëjnë? Sikur u mbarua peshku i detit. Do na qortojnë, dhe kaq! Dhe vërtetë këtë bindje patën djemtë, derisa i nxorën në gjyq. E morën lehtë dhe si me shpërfillje. Dhe ai që dukej se nuk donte t`ja dinte nga e gjithë kjo, ishte Xhoxhi.

Ai, kishte ca muaj që frekuentonte një kurs anglishteje. Atje dikush i kishte thënë që për t`u dhënë fjalëve të kësaj gjuhe theksin e duhur, duhej të shtrembëronte pak gojën. Dhe Xhoxhi, ca si me shaka e ca si për t`u tallur, zuri t`u përgjigjej pyetjeve të prokurorit dhe gjykatësit me theks anglez. Ata, teksa e dëgjonin ashtu me atë gojën e çuar mënjanë, dhe duke pandehur se po i tallte, e morën inat dhe duke ditur se edhe nga ana biografike, ai e kishte një cen, pa ja zgjatur shumë e dënuan me dy vjet burg.

Të tjerët, me biografi të mirë, me kondicionel, pasi edhe u ndjenë fajtorë dhe të penduar. – Po kjo pikë e zezë – tha me vete Xhoxhi. – Edhe për peshkun që hëngri lagjja, duhet të dënohem. Helm e vrer u bënë ata të familjes, kur Xhoxhin e dërguan për ta vuajtur dënimin në burgun e artizanatit në Tiranë. Natyrisht që u dhimbsej djali, por edhe turpi si turpi. – Bo, bo, ç`na gjeti – thosh e ëma. – Djali si azgan, do mbesë dhe pa martuar, se kush e merr atë, që ka qenë burgjeve. Ose shumë, shumë do gjendet ndonjë hallexheshë… Xhoxhi nga ana e tij, nga që s`gjente arsye tjetër, qortonte veten: – Ç`t`u desh theksi anglez o trap!

Në këtë burg e vuanin dënimin ata, që i quanin të dënuar për krime ordinere. Veç punës, shpesh dhe në ndërtim pallatesh, nuk kishte as tortura dhe as keqtrajtime. Pastaj, Xhoxhi ishte i shoqërueshëm dhe këtu me shokët kalonte mirë. Por burgu si burgu. Sidoqoftë izolim ishte i mbyllur në hekura dhe i ruajtur nga roja të armatosura aty në katin e parë të atij burgu. Kështu që do mërzitej se s`bën. Dhe koha sikur nuk ecte fare. Një ditë u kujtua se në Shtëpinë e Pionierit kishte ndjekur rrethin e morsit. Në dhomën e tij ishte një tub që askush nuk e dinte përse shërbente. Ky tub ngjitej lart në katin e dytë ku qëndronin gratë e burgosura. Edhe ato e vuanin dënimin po në atë godinë, por burrat nuk i kishin parë kurrë.

Xhoxhi u tha shokëve të dhomës se mundohej të lidhej me ndonjërën, si për të kaluar kohën, duke trokitur sipas rregullave të alfabetit mors. – Kushedi, ndonjëra mund të kuptojë – u tha. Dhe nisi nga puna. Godiste tek ai tub dhe e trokitura ngjitej lart. Pas ca kohe, për habinë e tij, dikush po përgjigjej në të njëjtën mënyrë.

Natyrisht pyetja e parë: – Kush je.

Dhe përgjigja erdhi: – Jam filania, nga familja Toptani.

Pastaj vijuan pyetjet: – Ku ke mësuar alfabetin mors? – Pse je dënuar?

Përgjigja: – Kur isha në shtatëvjeçare, veja në rrethin e ndërlidhjes, por në shkollën e mesme më ofendonin si bijë e një familje të pasur, që ata e kuptonin: armike. Dhashë, dhashë e nuk durova dot. Ju ktheva: – Ikni mor lebër të ndyrë. U bëtë ju o trashamanë të më shani mua. Çobenjtë e dreqit. E më tej: – Gabova që u thashë kështu, por e humba arsyen. Dhe ata të gjykatës më dhanë tre vjet, gjysmën e dënimit, për shkak të moshës.

Edhe Xhoxhi, nga ana e tij, në vazhdim të këtyre shkëmbimeve, sqaroi fatin e tij, ashtu siç kishte ngjarë. Ky komunikim u përsërit ditë, javë e muaj të tërë, derisa një ditë Xhoxhi edhe pse këtë vajzë nuk e kishte parë asnjëherë, ndjeu se po e dashuronte. Ai kishte parasysh faktin se ajo qe dënuar pse ruajti dinjitetin e saj, vinte nga një familje e shquar dhe ishte me kulturë. Dhe mbi të gjitha e sinqertë në ato që thoshte. Ndaj, gjithmonë me atë morsin e tyre, i pohoi dashurinë e tij dhe propozimin që të bëhej gruaja e tij. Ajo gati ishte e përgatitur shpirtërisht për këtë. Zemra i thosh se po lidhej me një njeri të mirë, faji i vetëm i të cilit ,ishte se kishte gjuajtur ca peshq në mënyrë të gabuar dhe kishte përdorur një theks të pa duruar nga gjyqtarët. Por mbi të gjitha, ajo e dinte tani se ai qe dënuar më shumë se paskej si dhe ajo, një cen në biografi, pra për atë famëkeqen luftë klasash. – Do ta bisedoj me familjen, kur të vinë në takim – ju përgjigj vajza.

Dhe ashtu bëri. Ata, kur e dëgjuan, gati nuk e besuan. Por pastaj, duke menduar se tani e bija do ta kishte më të vështirë të ngrinte familjen e saj, e dhanë pëlqimin, duke arsyetuar se fundja afër, në Durrës do të ishte. U lumturua Xhoxhi kur ajo i tha se edhe ata janë dakord. Gjithë atë natë nuk fjeti nga kënaqsia. Edhe shokëve të dhomës ua tha, sido që ata diçka kishin kuptuar qysh më parë. E dinin se ai kishte bërë dikur shaka me atë theksin anglez, por ishte i ndershëm dhe me të tilla gjëra nuk luante. Kur afroi koha e lirimit të Xhoxhit, ndërkohë që vajza kishte edhe nja tre muaj për ta kryer, i tha se ditën që ajo do të dilte, do ta priste te dera e jashtme e burgut. –

Nuk e di si më përfytyron por që të më njohësh, do shohësh një djalë të gjatë. Vetë Xhoxhi, kur doli nga burgu dhe ua tregoi lidhjen e tij me një vajzë të panjohur në burg, ata në fillim qeshën. Pastaj duke parë vendosmërinë e tij dhe se nga cila familje vinte, por edhe arsyen qesharake pse ishte dënuar, e uruan Xhoxhin. Dhe nuk kishin gabuar, ashtu sikurse nuk kishte gabuar as vetë Xhoxhi, i cili kaloi me atë vajzë një jetë të lumtur. Ajo ishte e bukur e mbi të gjitha shumë e sjellshme. Kur dilinin nga ajo dera buzë bulevardit, ku dikur kishte trokitur ai polici, të gjithë i admironin. Lindën dhe rritën pesë fëmijë, njëri më i mirë se tjetri. Nga ana e tij Xhoxhi, nuk doli kurrë për të gjuajtur peshk, por gjithmonë u thosh shokëve se çdo e keqe e ka dhe një të mirë./Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?