Xhufi: Mesjeta e pastudiuar, 2400 dosje për Arbërit në Arkivat e Venecias (VIDEO)

TIRANE- Duke kërkuar për vite me radhë në Arkivat e Venecias dokumentet që shkruhen për Arbërit, përgjatë shekujve të 15-të, 16 e 17-të , historiani i njohur Pëllumb Xhufi ka zhbiruar të vërtetën historike, aty ku trazohen dinamikat e politikave otomane me ato të krishtërimit europian.

Pa e reshtur asnjëherë punën e tij studimore, autori i veprës madhore “Arbërit e Jonit”, ka shkuar këto ditë në Venecia, për të vijuar një tjetër vepër për Arbërit e Veriut. 

Dy vjet më parë, Historiani Pëllumb Xhufi, u vlerësua me çmimin më të lartë “Çabej” nga Akademia e Shkencave për veprën voluminoze  “Arbërit e Jonit”, me 1440 faqe,

Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, Pëllumb Xhufi bën thirrje për mungesën e studimit të Historisë së Mesjetës, dhe për degradimin e degës së Albanologjisë. Ai deklaron se në arkivat e Venecias gjendet plot 2400 dosje vetëm për Arbërit, të cilat hedhin dritë jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe në problemet etnike të Çamërisë dhe të Himarës.

Mesjeta shqiptare është konsideruar si një kohë errësire, sepse ne e njohim pak, apo ka një histori ndryshe të saj?

Historiani Pëllumb Xhufi e ka një përgjigje, që i kapërcen muret e ngritura deri më sot të historisë shqiptare: Nuk ka qenë një errësirë mesjeta shqiptare, ajo vetëm duhet dritësuar!

Si e morët nismën për të botuar librin voluminoz historik “Arbërit e Jonit”? Çfarë ju ngacmoi dhe çfarë perspektivash patët para botimit të këtij libri?

-Më ngacmoi pikërisht dokumentacioni që unë gjeta në Arkivin e Venedikut, ku bëra dy ekspedita afatgjata që zgjatën disa muaj, të cilat më dhanë mundësinë që unë të bie në një fond të panjohur; fondi i proveditorëve apo qeveritarëve venecianë të Korfuzit, që përbëhej nga rreth 40 dosje voluminoze me dokumente origjinale, të cilat flasin jashtëzakonisht shumë për një shtrirje të trevave shqiptare të jugut që fillon nga Sanxhaku i Vlorës, Sanxhaku i Delvinës, dhe Sanxhaku i Janinës

Jemi në shekujt e 15-të-17-të. Materiali ka të bëjë me këta shekuj. Venecianët kishin edhe koloni të tyre, siç ishte Butrinti, për shembull, dhe më në jug në Çamërinë e sotme edhe qyteti i Pargës. Informacionet që vinin nga stereja (toka) shqiptare, përcilleshin të gjitha në senatin e Venedikut dhe aty sistemoheshin. Aty gjeta materiale me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë politike të Shqipërisë, për historinë ekonomike të Shqipërisë, për problemet etnike, sepse jemi në një zonë kalimtare, siç është zona që quhet Epir apo Arbëria e Jugut, siç e quajnë më së shumti dokumentet e këtyre shekujve dhe  aty sqarohen edhe problemet etnike, që nganjëherë dalin edhe në aktualitetin tonë të ditës dhe shumë herë dalin edhe të shtrembëruara, sepse pikërisht nuk ka një bazë dokumentare që të argumentohen.  Janë shfrytëzuar natyrisht  edhe dokumente të tjera, dokumente spanjolle, dokumente napolitane të Mbretërisë së Napolit dhe si rezultat doli një vepër, që unë gjykoj se shkruan një histori të pashkruar deri tani dhe sqaron mjaft probleme, të cilat kishin ngelur me pikëpyetje.

Cilat ishin disa nga problemet që morën shtjellim dhe zgjidhje në tezat e studimit tuaj?

-Këtu kemi një histori të shekujve të 15-të e të 17-të,  një histori totale mund të thosha; ekonomike, politike, ushtarake, demografike, etnike, por edhe shëndetësore.  Për shembull, për herë të parë me sa di unë, trajtohet në historinë e Shqipërisë, edhe problem i murtajës. Në këtë kuptim dëmet e saj mund të quhen baras me efektet e  luftërave botërore që kanë në kohët moderne. Kujtoj që një murtajë e vitit 1348 shkriu më shumë se një të tretën e popullsisë së Europës. Kështu edhe në trevat e Arbërit ka dokumente që përshkruajnë se murtaja kthehej e ripërtërihej në çdo dhjetë vjet. Nuk mund të llogariten përmbushjet e mëdha që kanë ardhur pas rënies së murtajës, dhe ikjet, emigrimet, zhdukjet e popullsisë, deri në fshatra të tërë.  

Për shembull, ndër problemet etnike, është çështja e Çamërisë që rikthehet edhe në aktualitetin tonë herë pas here. Mua më dalin qartë në dokumente, qoftë veneciane, qoftë në ato napolitane, që popullsia e kësaj treve, të Çamërisë së sotme ka qenë shqiptare, dhe cilësohet e tillë nga dokumentet, nga kancelaritë, qoftë të qoftë të Venedikut apo të Mbretërisë së Spanjës, dhe aty dalin emra  familjesh dhe emra individësh, familjesh që ekzistojnë edhe sot në Çamëri, por edhe në zonën e Himarës. Edhe zona e Himarës pasqyrohet jashtëzakonisht shumë në këtë dokumentacion, dhe aty përcaktohet qartë në dokumente. Gjithmonë thuhet albanezi, pra albanezi vihet krahas emrit të personit apo të popullsisë së një fshati të veçantë, kudo vihet ky përcaktori albanezi, domethënë përcaktori shqiptar.

Problem tjetër etnik është çështja e Himarës. Del që Himara ishte një koncept tepër i gjerë, nuk përfshinte vetëm 13 fshatrat e Bregdetit, por përfshinte të gjithë prapashpinën,  domethënë të gjithë Labërinë. Pra bëhet fjalë për 55 fshatra, të cilat quhen me termin Himarë. Dhe problemi është që nga këto fshatra shumica ishin zonë e Labërisë, ndërsa fshatrat e bregdetit ishin vetëm 13 fshatra. Dhe në ato dokumente që flitet për ekonominë e luftës, sidomos ato spanjolle të Mbretërisë së Napolit, na sqarojnë që pesha e  më e madhe e luftës mbahej pikërisht përtej maleve, në zonën e Labërisë së mirëfilltë, sepse ata ofronin më shumë ushtarë… Bëhet fjalë për kryengritjet antiosmane në shekullin e 16-të dhe fshatrat ishin me banorë shumë më tepër. Për shembull, Nivica e Kurveleshit, Tepelenë, kishte 400 shtëpi, etj, etj.

Kryesisht për historinë etnike kanë rëndësi të dhënat për Çamërinë.  Çamëria del me të gjitha qendrat e saj, më Paramithinë, me Margëlliçin, me Pargën, me Prevezën, me Sajavën, dhe qendra të tjera të Çamërisë, ku të gjitha përcaktohen si shqiptare, e popullsia e tyre krejtësisht shqiptare dhe një e dhënë tjetër interesante është që deri në fund të shekullit të 16-të, popullsia shqiptare nuk ishte islamizuar në masë. Tamam në fund të shekullit të 16-të, kryesisht shqiptarët ishin ende të krishterë të ritit ortodoks, në këtë zonë, pra në jugun e mirëfilltë shqiptar… Pra, në Venecia, janë 2400 dosje, për të cilat nuk ia del dot asnjë njeri i vetëm sikur për tërë jetën të punojë, nuk ia del dot. Por aty duhet shkuar me ekipe, të cilat duhet të dinë gjuhën latine. Duhet të dinë paleografinë latine, duhet të dinë italishten mesjetare, sidomos italishten veneciane, të cilat duan një përgatitje të posaçme në lëndën e paleografisë, për të zbërthyer shkrimet e vjetra, gjë që nuk është bërë për fat të keq. Për fat të keq, drejtimi i hulumtimeve në Mesjetë, po shkrihet fare, në kushtet, kur mungon interesimi i institucioneve, në kohën, kur edhe drejtuesit e institucioneve shkencore albanologjike, që merren me këto punë, e kam fjalën për  Institutin e Historisë në Përgjithësi, për Qendrën e Studimeve Albanologjike, që ndërroi edhe emrin u bë Akademia e Studimeve Albanologjike, nuk kanë pasur interes, nuk kanë pasur sensibilitet për këto gjëra.  Dhe Instituti I Historisë, mund të them se nga një Institut Albanologjik, është kthyer në një institut të marrëdhënieve ndërkombëtare me një studim të historisë bashkëkohore. Megjithëse prej pak vjetësh në departamentin e Mesjetës, ku unë kam punuar janë marrë nja dy studiues të rinj që janë mjaft të mirë, por po të kujtojmë që në kohën e Aleks Budës, në Institutin e Historisë, Sektori i Mesjetës ishte sektori më rëndësishëm, siç ishte edhe Sektori i Rilindjes Kombëtare,  ne sot jemi shumë keq. Sektori i Mesjetës ka pasur dikur 12 punonjës të kualifikuar, që u specializuan, siç është edhe rasti im, edhe jashtë shtetit, edhe kolegët e mi. Atëherë kishin studime në osmanisht, kishim në latinist, kishim edhe helenistë.  Pra, është mungesë interesimi, edhe mungesë sensibilieti, mungesë vizioni.  Kuptohet që Historia e Shqipërisë tani është historia e ditës. Këtë drejtim ka marrë instituti, dhe për institucionet e tjera, nuk bëhet fjalë fare, as në Universitetin Shtetëror, apo në universitetet private, absolutisht, ku nuk studiohet fare, as gjuha shqipe, as historia e Shqipërisë, as antropologjia kulturore e shqiptarëve.

Ju, zoti Xhufi, po më kujtoni se këto probleme tashmë ndeshen edhe me arkeologjinë, duke ju kujtuar disa fakte, për shembull si zbulimi i qytetit mesjetar të Kamenicës, nga një ekspeditë e pak viteve më parë e arkeologut të njohur Skënder Muçaj. Probleme me kishat, të cilat janë lënë në gjendje të degraduar, si dhe shumë monumente të kulturës, që  disa të regjistruara dhe disa jo i përkasin Mesjetës. Sa do të ndikonte studimi i historisë në ruajtjen e kësaj pasurie arkeologjike?

Të bësh një Histori të Mesjetës, qoftë edhe histori politike, qoftë edhe kulturore të saj, natyrisht këto kishat, xhamitë e mesjetës, vendet e  kultit, manastiret e ndryshme që ne edhe i kemi me shumicë për fat, janë pjesë integrale, nuk mund të abstragosh për këto.

Në librat e mi, natyrisht këto kanë zënë një vend të rëndësishëm, sepse edhe gjurmët vendase të Historisë të Shqipërisë Mesjetare ne i kemi pikërisht në këto monumentet e kultit. Të kujtoj, duke filluar nga kisha e Shën Mërisë së Brarit, ku është nxjerrë varri monumental i Mihal Zgurës, i vitit 1201, me mbishkrimin edhe në greqishten bizantine, edhe në latinisht. Është një fakt kulturor i jashtëzakonshëm ky. Një shekull më vonë, kemi në Elbasan Manastirin e Shën Gjon Vladimirit, të ndërtuar nga princi Karl Topia, që ka edhe me mbishkrimin, por këtë herë në tri gjuhë, ku ai i shton edhe sllavishten, përveç greqishtes dhe latinishtes. 

Më fal që po të ndërpres, por para pak kohësh kanë ardhur në Shqipëri, disa gazetarë serbë për t’u interesuar pikërisht për Manastirin e Shën Vladimirit. Ka ndonjë lidhje kjo me serbët si faktor historik?

Absolutisht nuk ka lidhje, sepse Manastiri i Shën Vladimirit  është ngritur për nder të Gjon Vladimirit, që ka qenë një princ i Dioklesë. Dioklea është Mali i Zi i sotëm. Jemi në shekullin e dhjetë, e cila në atë kohë ka qenë si gjithë Shqipëria e Veriut tonë, ai trekëndëshi i famshëm katolik, ka qenë katolike.  Banorët kanë qenë katolikë, në një kohë që banorët sllavë dihet që erdhën me vonesë, erdhën në shekullin e 7-të dhe ata u ndanë në katolikë që ishin kroatët, në veri të Kotorrit, dhe në ortodoksë që ishin serbët, të cilët e kishin bazën e tyre në Rashën e famshme, diku në veri të Novi Pazarit të sotëm. Dhe ky manastir, që u ngrit për nder të Gjon Vladimirit, ka pasur një  histori të lidhur vetëm me territoret shqiptare: Dioklea atëherë ka qenë e varur nga Durrësi, ishte në varësi të Durrësit, të dukës bizantin të Durrësit që shpeshherë ishte dhe vendas, shqiptar, nuk ishte një dukë bizantin i ardhur nga Kostandinopoja, dhe aty gjendet edhe varri i tij, ku u ngrit pastaj edhe Manastiri i Famshëm i Shën Gjon Vladimirit në Diokle, në zonën e Krajës, që siç dihet është buzë Liqenit të Ohrit, është në një zonë shqiptare. Dhe të gjitha kronikat na thonë që, edhe në shekujt e mëvonshëm të14-të, të 15-të, të16-të, të 17-të, që ky manastir nderohej nga shqiptarët, qofshin ata ortodoksë, qofshin katolikë, qofshin myslimanë.  Mbas shekullit të 15-të të, të gjithë besimtarët e të gjitha besimeve kryenin ritet për nder të ish sundimtarit, ish princit të Dioklesë, Gjon Vladimirit që e konsideronin të tyren. Në këtë zonë, në shekujt e mëvonshëm kemi një proces sllavizmi të fuqishëm, sidomos në kohën e Stefan Dushanit, por edhe para Stefan Dushanit, kur e pushtuan Dioklean, që ishte një principatë e lirë, por që u pushtua nga mbretërit serbë në vitet e para të shekullit të 13-të. Dhe aty, dëshmohet edhe nga vetë kodi i Stefan Dushanit, që është kryer një politikë e asimilimit etnik.  U detyrua popullsia katolike shqiptare, të konvertohej në ortodokse dhe të ripagëzohej, që do të thoshte të ndërronte edhe emrin të merrte emra sllavë, dhe ne gjejmë edhe emrin të ndryshuar nga shekulli i 14-të e 15-të në emra Dobrosllav, për shembull Dobrosllavi i biri i Gjinit, ose i birit Gjonit, ose i biri i Dedës. Pra kishte emra sllavë dhe mbiemra shqiptarë, që tregonin se babai ose vëllai janë krejtësisht emra shqiptarë. Gjë që tregon që Dobrosllavi në fjalë, nuk është sllav, por është shqiptar, por një shqiptar që ka ndërruar në fillim emrin e pastaj mbiemrin dhe pastaj duke fituar edhe një transformim  kulturor përfundonte në mjaft raste edhe në një asimilim etnik. Sidomos në pjesën veriore, ku kemi dhe fise të tjera, që deri në shekullin e 16-të konsiderohen fise shqiptare... Për shembull si Palabardhët, por që më vonë u kthyen në Bjellopavliç, që është e njëjta gjë, por ky kthim na jep mundësinë të kuptojmë që kemi një proces asimilimi në fillimet e tij, por që pas ca kohe, përfundoi, u konkludua, edhe me asimilimin e etnik edhe të komunisteve të tëra shqiptare të Malit të zi. Dokumentet bizantine na tregojnë se sllavët në veri arritën deri në Gjirin e Kotorrit.

Në jug të gjirit të Kotorrit nuk ka popullsi sllave, e thotë këtë edhe Konstandin Pofirogeneti një historian i shekullit të dhjetë, që ishte njëherësh edhe perandor, dhe i njihte shumë mirë popujt mbi të cilët sundonte, sepse e gjithë kjo trevë ka qenë në sundimin e Bizantit.

Vlera e dokumenteve që keni gjetur ju, ka edhe një rëndësi të veçantë  për shkak se dihet që pushtuesit osmanë, kanë bërë çmos për të zhdukur gjurmët e këtyre qytetërimeve, kryesisht në rajonin e Jonit, dhe të jugut, e në fshatrat që përmendëm gjatë intervistës sonë...

Ky problem i emigracioneve masive nga trevat shqiptare është një problem i vjetër. Nuk lind me pushtimin osman të Shqipërisë. Ne kemi që në kohët parahistorike, popullsi parailire, të cilat janë shpërngulur në Italinë e Jugut, Japikët, Daunët. Siç dihet, janë popullsi ilire, edhe shkenca të tillë i njeh që banojnë sot në Italinë e Jugut, në pjesë të gjëra të Italisë së Jugut. Po kështu ka pasur dhe ne periudha të tjera të tjera ikje,edhe në kohët bizantine, ku gjejmë familje shqiptare të shpërngulura në Italinë e Jugut  herë si ushtarë, herë si strategë bizantinë, dhe herë-herë edhe si bujq. Natyrisht që shfaqja e këtij invazioni osman, që fillon që nga fundi i shekullit të 14-të, që nga vitet 1380; ku duken edhe inkursionet e para osmane, sidomos në pjesën e jugut të Çamërisë deri në Vlorë u shoqëruan edhe me ikje masive. Dhe ne kemi para Skënderbeut, në vitet 1390, një fluks të madh mërgimesh drejt jugut, që në njëfarë mënyre përmbyti krahinat e Greqisë së sotme. Të ikurit ishin kryesisht nga Epiri, nga zona e Arbërisë së Poshtme, Çamëria, zona e Delvinës, zona e Vlorës, e Këlcyrës, e Përmetit, e Kolonjës. U shpërngulën në të gjithë zonën e Livadhjasë të  Korinthit, të Athinës, një zonë e cila është prapë e rrethuar nga fshatrat shqiptare, dhe të Peleponezit. Por është një dyndje masive. Imagjinoni në Peleponez, që tre të katërtat  ishin me popullsi shqiptare në fillim të shekullit të 15-të.  Dhe kjo tendencë u zhvillua edhe në ishujt afër Peleponezit. Janë tre ishujt e famshëm: Hydra, Siros, Spetses dhe Poros apo edhe Salamina, që ndryshoi dhe emrin dhe u quajt Kullur nga shqiptarët, siç ishte madje dhe Anastas Kullurioti. Dhe përveç kësaj vale pastaj, vala tjetër e madhe është ajo e pushtimit osman, sidomos mbas vdekjes së Skënderbeut, ku ka një dyndje që dëshmohet sërish në dy drejtime; në drejtim të jugut drejt trevave greke, por dhe aty shumë shpejt arriti vala e pushtimit osman.. , kështu që drejtimi kryesor ishte drejt brigjeve italiane dhe e gjithë Italia, bregdeti lindor italian, nga Venecia në Ankona, Pesaro, etj, dhe deri në Sicili, që përfshin Kalabrinë, Pulian edhe Siçilinë, të gjitha këto u prekën nga kjo ardhje e madhe e shqiptarëve. 

Ka  dokumente, mes të cilave edhe një dokument i Papës Paul II, që tregon sesi arbërit vinin me anije të dëshpëruar, dhe zbrisni në brigjet italiane. Kishte mes tyre familje fisnikësh si Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Matrëngat, Muzakajt, ishin me shumicë, por kishte edhe fshatra të tëra që u shpërngulën. Kur u vendos sundimi osman, fshati Luaras i Çamërisë u shpërngul i gjithë në Italinë e Jugut. Fshatra të tëra u braktisën, qytetet u rrudhën në muret e tyre dhe ishte një humbje e madhe.

Unë dua të theksoj se ne jemi një vend me histori të pashkruar për periudha të tëra. Duhet që si vend i tillë që kemi një problematikë kombëtare që jemi dy shtete tani, është edhe Kosova, janë  shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë një popullsi e madhe, janë shqiptarët në Greqi, shqiptarët në diasporë, dhe historiografia ka një detyrë të jashtëzakonshme. Problemi është që qeveritarët tanë duhet ta kuptojnë këtë gjë dhe bëjnë mirë që shajnë regjimin e kaluar komunist, por po them se në çështje të shkencave albanologjike, në atë kohë është bërë shumë më tepër se ç’është bërë sot dhe kjo nuk u bën nder qeveritarëve tanë demokratë, të cilët në fusha të tjera mund të shquhen mbi regjimet e kaluara, por në këtë fushë nuk i afrohen regjimit të kaluar komunist. Madje, unë do të thosha as regjimit të mbretit Zog. Prandaj duhet ta kenë në vëmendje, lëvrimin e Shkencave Albanologjike; të Historisë, të Gjuhësisë, të Antropologjisë, të Historisë së Arteve Figurative, etj, sepse është një vlerë që na mban bashkë. Ajo që na bashkon është historia, gjuha, kultura. Ky është thelbi i shkencave albanologjike dhe për këto pushtetarët u japin shumë vëmendje. Ka shumë halle ky vend, por ju do të shikoni që edhe në momentet më të rënda se ky, në Shqipëri janë bërë botime të shkëlqyera albanologjike; siç mund të shihni në vitin 1944, kur ishte kulmi i luftës apo në situata të tjera të vështira të historisë së popullit. Tirana, patjetër, duhet të rifitojë atë rol që iu dha në që vitet  1968 me Konferencën Albanologjike për Skënderbeun, që u quajt nga gjitha bota shkencore e huaj si “qendër e albanologjisë”. Kjo është një ambicie e shëndetshme, që duhet ta kenë të gjithë qeveritarët, pushtetarët, por edhe drejtuesit e institucioneve shkencore, që edhe ata më duken se janë pak si të dezorientuar në këtë kohë tranzicioni.

Në një bisede të mëhershme rreth librit tuaj, ju më thatë se do ta pasuroni me dokumente të tjera. Bëhet fjalë për një vëllim tjetër, apo për një ribotim të kësaj vepre?

-Unë po nisem në një ekspeditë tjetër për ne Venecia me kursimet e mia; as me mbështetjen e Institutit të Historisë, as të akademisë. Kam një monografi në dorë që ka të bëjë me Arbërit e Veriut, ku do të dalë një vëllim po aq voluminoz sa “Arbërit e Jonit”. Do të jetë një histori e disa trevave që sot, për fat të keq, nuk flitet më as shqipja: Tivari, trevat akoma më në veri të Tivarit, Ulqini, e gjithë zona e Malësisë së Mbishkodrës që ndodhet sot në territorin e Malit të Zi; Kelmendi, Pipat, Palabardhët që përmenda më lart, Hoti, Gruda. Janë zona, të cilat, për fat të keq, edhe kur ende flitet shqipja aty, ato janë të zbrazura pothuaj krejt nga popullsia. Pra, ky është një shërbim, është një obligim edhe ndaj shkencës historike, ndaj popullit të vet, edhe ndaj profesionit të historianit. Ky është profesioni i historianit që të shkruaj historinë e popullit tonë. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 18/10/2019 09:03

    Futjuni punës dhe përkthejini të gjitha dosjet, që të 2400 dosjet!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, Kevin Hajrulla u qëllua nga disa plumba në bark, ndodhet në gjendje të rëndë! Flet një dëshmitar: Sapo dëgjova të shtënat u shtriva barkas

Atentati në Vlorë, Kevin Hajrulla u qëllua nga disa plumba në bark, ndodhet në gjendje të rëndë! Flet një dëshmitar: Sapo dëgjova të shtënat u shtriva barkas