Ylli Pata: Çfarë tregon 'sulmi final' për ta marrë PD në tavolinë?

Ylli Pata: Çfarë tregon 'sulmi final' për ta marrë PD në tavolinë?

Ish-kryeministri Sali Berisha

Ka një perceptim jo të plotë në opinion, kur zhvillohet debati mbi gjendjen në Partinë Demokratike. Njerëzit që përgjithësisht komentojnë në televizione, janë më së shumti deputetë, apo përfaqësues të atashuar të foltores.  Janë kryesisht personazhe që duan të bëjnë karrierë nga lart dhe përdorin të njëjtën metodë, atë të sulmit të dy krahëve dhe frazave boshe për bashkim e puqje të palëve që janë grirë e sharë me njëri-tjetrin. Shumë rrallë apo aspak, në emisione thirren njerëz që janë aktivistë që punojnë non stop në strukturat e Partisë Demokratike.

Militantë të angazhuar që e njohin dhe e dinë opinionin e anëtarësisë thuajse non stop, e mund të sjellin më realisht vibrimin e bazës së PD-së. Në opinionin e përgjithshëm që trajtohet, thuhet se është e vërtetë se në PD ka dy palë, por Sali Berisha ka më shumë ndjekës brenda Partisë Demokratike sesa Enkelejd Alibeaj. E ky është gjykimi më semplist por fare realist në analizën që bëhet. Kjo vjen thjesht sepse nuk e merr kush, apo e tërheq opinionin nga zemëreku real i forcës politike për të cilën bëhet analiza; bazën e saj.

I vetmi deri tani ka qenë Zaloshnja, por që e ka tërhequr perceptimin si një sondazh nga një kampion militantësh, ku pjesa më e madhe e tyre janë thjesht përkrahës të PD-së. Partia Demokratike, edhe pse e dërrmuar nga sulmi që Sali Berisha i ka bërë prej më shumë se një viti, ajo i ka aktive pjesën më të madhe të strukturave të saj. E kjo jo vetëm aty ku opozita ka bastionet e vjetra, por edhe në çdo qytet e fshat të vendit. Anëtarët që për vite e vite kanë qenë komisionerë, vëzhgues, të punësuar e pjesë e struturave organizative ekzistojnë në të gjithë vendin. Thjesht për t’i riaktivizuar duhet një rithemelim real dhe reformim i Partisë Demokratike, por i vërtetë.

E sipas të gjitha gjasave, me çfarë po shikohet deri tani, pjesa më e madhe e bazës së PD-së ka qenë e barazlarguar në “gjakmarrjen” që ndodh lart, duke mos lejuar që të përdoren e keqpërdoren. Së pari, që është realisht zhvillimi më i rëndësishëm politik, por që shumë pak shtjellohet, është fakti se Sali Berisha nuk ka arritur të marrë qoftë edhe një pjesë të PD-së në betejën e tij të çmendur kundër SHBA-së. E ka provuar me thuajse të gjitha metodat: joshje, shantazhe, intriga por nuk ja ka arritur dot.

Degët e strukturat e PD-së, në pjesën më të madhe kanë hyrë në “fazën e fjetjes”, ndërkaq në vende kyçe politikisht, këto struktura janë rreshtuar hapur kundër Sali Berishës. E kjo ka ndodhur pikërisht aty ku interesi politik është më i madh, si në bastione të njohura, e zona me rëndësi strategjike. Bëhet fjalë për veriun, ku degët e PD-së janë kthyer në pika politike nevralgjike.

Një tjetër efekt politik i kësaj situate, është se duke parë fuqinë potenciale që kanë në një proces real zgjedhor brenda partisë, thuajse të gjithë deputetët aktualë të PD-së janë braktisur dhe lënë në fatin e tyre. Sot mund të thuhet pa asnjë hezitim, se nuk ka asnjë deputet: si nga foltorja, ashtu edhe nga pala tjetër që të ketë nën kontroll strukturat në zonën e tij. E ndaj ata lëvizin si lavjerrësi për të përfituar diçka nga sipër.

Sipas gjasave, nëse do të ketë një ditë një proces, të paktën në përgjithësi- të rregullt votimi të brendshëm për të caktuar kandidatët, thuajse e gjithë trupa e deputetëve aktualë të PD-së nuk do të rikandidojnë. Pasi ata e kanë humbur lidhjen me bazën, por dhe nga ana tjetër, personazhet lokalë të strukturave kanë rritur ambicjen për të kandiduar vetë dhe rrethi i tyre në territor. E ky tregues, është mjaft pozitiv për të ngjallur konkurrencën.

E cila është i vetmi injektor dhe motivues në një shoqëri demokratike. Sali Berisha tentoi që pikërisht në ngjalljen e ambicjeve për karrierë, të përfshinte në fazën e parë të betejës së tij “për të reformuar PD-në” një numër të madh njerëzish, që më pas u larguan dhe demotivuan, pasi panë qartësisht se ku e kishte hallin doktori.

Shumë nga këto njerëz, që u përfshinë në fazën e parë, në shumicë nuk ishin nga strukturat, por ose nga ambjentet paralele të së djathtës, ose të larguar nga Basha. Ata menduan se do ta përdornin Berishën për të ecur përpara, e ndoshta me dinakëri kanë munduar se mund t’ja arrijnë, pasi doktori është “impresentabile” pikërisht prej damkës së madhe të non grata-s. Berisha, sipas të gjitha gjasave, më pas i largoi, duke i nuhatur synimet e tyre.

Pra, Sali Berisha nuk ka me vete as strukturat e deritashme të PD-së, e as pjesë nga të larguarit, përveçse një grup fanatikësh dhe të lidhur prej interesit me të. Ndaj e kërkon Partinë Demokratike në tavolinë, sepse nëse bëhet proces normal më 3 mars, nuk e merr dot, dhe politikisht e ka humbur përfundimisht partinë. Ndaj dhe avokati i tij nuk sugjeron proces nga treshja e Apelit, por thjesht një procedurë të ngjashme me atë që ndoqi Agron Zhukri.

Nëse do të ketë një gjykim të drejtë çështja e PD-së, duhet gjykuar në themel: pra a janë strukturat e tubimit të 11 dhjetorit që u mblodh në “Air Albania”, të zgjedhur rregullisht nga strukturat statutore të Partisë Demokratike? E që të verifikohet kjo, duhet të thirren palët, dëshmitarët, e mbi të gjitha përgjegjësit realë statutorë të strukturave që nxjerrin delegatët për Këshillin Kombëtar. Logjikisht, procesi mund të kërkojë disa ditë, ose duhen verifikuar mandatet e përfaqësimit. E si logjikë, do të dilte krejt qartë PD-ja nuk i takon as Foltores, as “rithemelimit” e as grupit të njerëzve të marrë andej-këtej duke i shitur si pjesëtar strukturash.

Berisha e di më mirë se të gjithë se me drejtësi e ka të humbur gjyqin, pasi nëse do ta kishte me vete strukturën, sot Sali Berisha do të bënte të paktën protesta e tubime më për të qenë, pasi i organizojnë strukturat. Berisha, di gjithashtu se përveçse nuk i ka me vete demokratët, bëri edhe atë gjëmën e 6 marsit, ku e thelloi edhe më shumë hendekun. Madje edhe pas 6 marsit, si në Shkodër ku u hoqën nga puna përfaqësues të strukturave të PD-së në bazë. Akt që e ka bërë thuajse armik të egër me PD-në reale, atë që është në bazë. Ndaj heziton që të dalë në zgjedhjet e 14 majit me një subjekt tjetër, ngaqë e di se është i mbaruar e nuk ja fal kush. 

Por një parti, nuk fitohet në tavolinë, por duhet të kapësh mendjet e njerëzve, të cilat i shikojnë gjërat o si vetë Berisha, ose më mirë se ai. Madje me interesa krejt të kundërta me të. Ndaj dhe doktori turfullon dhe kërkon ta fitojë betejën në tavolinë me procedurë…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale